CES i Las Vegas është panairi më i rëndësishëm i teknologjisë në bote, i cili nisi sot. Dezertimet e vazhdueshme nga ana e kolosëve të teknologjisë dhe rritja e të infektuarve nga varianti Omicron nxitën organizatorët të shkurtojnë kohëzgjatjen e panairit më datë 7 janar, një ditë para.
CES është sigurisht vendi i duhur për të prezantuar inovacionet më të mira dhe trendet për vitin që do të vijë. Panairi i Las Vegas, pavarësisht vështirësive që ka shkaktuar pandemia, është zgjedhur veçanërisht nga Samsung si vitrinë për të prezantuar linjën e re të televizorëve.
Dhe në mesin e shumë njoftimeve, spikat një pajisje inovatore e vogël, e madhe, e krijuar për të kursyer energjinë dhe me vëmendje ndaj mjedisit. Quhet EcoRemote dhe është një telekomandë e prezantuar, në të vërtetë, edicionin e kaluar, në CES 2021. Por këtë vit, ajo është e pajisur me një funksion interesant. Nëse modeli i mëparshëm mund të rikarikohej me energji diellore, tashmë azhurnimi parashikon një sistem rikarikimi tërësisht të ri – nëpërmjet valëve të router të WIFI në shtëpi.
Telekomanda, gjithnjë e karikuar
EcoRemote mund të shfrytëzojë valët radio të router dhe t’i shndërrojë në energji. Ky është një sistem inovator rikarikimi që funksionon mirë te pajisjet me fuqi të ulët, ashtu si një telekomandë. Është edhe mundësia për të shfrytëzuar dritën e jashtme apo të brendshme për rikarikim, apo portën e USB-C. Ashtu si në modelin e mëparshëm, qëllimi është eliminimi i baterive. Sipas një vlerësimi nga vetë Samsung, transformimi i telekomandave drejt sistemeve inovative të rikarikimit do të shmangte 99 milionë bateri të skaduara në harkun e 7 vjetëve.
Televizorët e rinj microLed
Linja e re e smart tv që Samsung do të prezantojë në CES do të sjellë shumë risi. Pas saj qëndron filozofia «Screens everywhere, Screens for All» (Ekrane kudo, Ekrane për të gjithë), ose ndryshe dëshira për të krijuar ekranin e përshtatshëm për çdo nevojë.
Gama e televizorëve microLED zgjerohet. Këto ekrane, të përbërë nga miliona LED me përmasa mikrometrike, duke krijuar një thellësi të imazhit me cilësi të lartë – tashmë nuk janë vetëm 110 inç. Samsung propozon edhe dy modele më të vogla – gjithsesi të menduara për hapësira të mëdha – 101 dhe 89 inç. Jo vetëm përmasat, por edhe çmimet në këtë rast, nuk janë për të gjithë.
Për momentin dihet vetëm çmimi i TV me ekran 110 inç, 130 mijë euro. Këta televizorë janë të pajisur edhe me MultiVieë, që mundëson shikimin e përmbajtjeve nga katër burime në të njëjtin moment dhe me Dolby Atmos për audio. Është edhe Art Mode – mundësia për të shfrytëzuar ekranin për të rikrijuar një galeri arti në shtëpi, e cila shfaq veprat e preferuara.
Samsung Electronics prezanton Freestyle, ekranin portabël argëtues që mund ta merrni me vete kudo shkoni
Samsung Electronics Co., Ltd njoftoi edhe prezantimin e ekranit të ri portabël – pajisje argëtuese, The Freestyle. Freestyle, e pajisur me teknologji dhe fleksibilitet unik në llojin e tyre, u ofron klientëve mundësinë të marrin me vete, kudo që shkojnë, përmbajtjet video dhe audio.
Freestyle është një projektor, altoparlant inteligjent dhe një pajisje për ndriçimin e mjediseve, të gjitha në një pajisje të vetme, të lehtë, të cilën mund ta merrni me vete. Freestyle peshon vetëm 830 gramë dhe ju lejon të shndërroni me lehtësi, çfarëdo hapësire në një ekran.
“Freestyle është një projektor unik në llojin e vet, fleksibël, i krijuar për të përmbushur stilet e ndryshme të jetës së konsumatorëve” – deklaroi Simon Sung, zv.president ekzekutiv dhe përgjegjës i departamentit të shitjeve dhe marketingut të Visual Display Business të Samsung Electronics. “Pa kufizime të hapësirës dhe të faktorit formë, Freestyle është një pajisje argëtuese që mund të përdoret në çfarëdo mënyre që preferojnë konsumatorët”.
Freestyle është i pajisur me funksione të plota auto keystone dhe auto leveling. Falë këtyre karakteristikave, pajisja mund të përshtasë automatikisht ekranin e saj me çfarëdo sipërfaqe dhe këndi, çdo herë me një imazh në proporcion të përsosur. Ndër të tjera, falë funksionit të vendosjes së fokusit automatik, Freestyle shfaq një imazh të qartë në çfarëdo sipërfaqe, në çfarëdo këndi, deri në përmasa 100 inç. Pajisja kushton 899 dollare.