CEZ Shpërndarje nisi sot një aksion duke i ndërprerë energjinë elektrike institucioneve buxhetore dhe jo buxhetore, të cilat janë debitore. Në njoftim e saj, kompania thekson se asnjë nga institucionet nuk ka reaguar pas apelit të përsëritur për shlyerjen e faturave të prapambetura.
Data 7 gusht ishte afati i fundit që CEZ Shpërndarje kishte vendosur për institucionet dhe ujësjellësit për të paguar faturat e energjisë elektrike.
Në total detyrimi i institucioneve pa llogaritur kamatëvonesat është në vlerën e 65 milionë dollarëve.
“U la një afat për të gjitha këto institucione për të paguar detyrimet e prapambetura por asnjë prej tyre nuk ka reaguar për shlyerjen e debisë. Ky ishte një apel i përsëritur që CEZ Shpërndarje i bënte këtyre institucioneve. Para disa muajsh këto institucione ishin njoftuar për detyrimet ndaj kompanisë si dhe pjesa më e madhe e tyre ka pranuar se janë debitorë. CEZ shpreh vendosmëri për të mos furnizuar me energji asnjë nga institucionet debitore derisa ata të paguajnë”, thuhet në deklaratë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.