ERE rrëzon planin e çekëve për të marrë kredi nga IFC dhe BERZH. Pritet vendimi për licencën
Gazeta “Shqip”, Ard Kola/
CEZ kishte plan të investonte 100 milionë euro për dy vitet e ardhshme, por Enti Rregullator i Energjisë (ERE) e rrëzoi javën e kaluar, duke përforcuar më shumë idenë se “kompanisë çeke” po i bëhen gati valixhet. Sipas vendimit të marrë së fundmi, zbardhur dy ditë më parë në Fletoren Zyrtare, ERE ka refuzuar t’i japë garanci CEZ-it për të marrë kredi te dy bankat e huaja ndërkombëtare, BERZH dhe IFC. Kjo është tentativa e dytë, brenda tre vitesh. Në të parën, CEZ kërkoi të merrte kredi 100 milionë euro, por sërish ERE e refuzoi, kurse kompania arriti të merrte vetëm 30 milionë euro. Shkak i mosmiratimit nga ERE lidhej me faktin se CEZ kërkonte që Enti të respektonte planin e miratuar të humbjeve nga audituesi i pavarur dhe t’u jepte garanci çekëve se do të rriste çmimin e energjisë elektrike. Me këto dy vendime, CEZ do ta kishte më të lehtë aprovimin e kredisë nga huadhënësit dhe në këtë mënyrë shlyente edhe kredinë.
Rrëzimi për herë të dytë, ndodhur tani me një vendim të tetorit, lidhet për të tjera shkaqe. CEZ kërkoi të merrte kredi tek IFC-ja dhe BERZH-i, duke lënë peng kompaninë. “Bordi i komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë, pasi shqyrtoi kërkesën për lënien peng të aseteve si kolateral nga shoqëria CEZ, pranë bankave IFC/EBRD, si dhe relacionin e grupit të punës, vendosi të refuzojë kërkesën e shoqërisë, për miratimin e një marrëveshjeje hipotekore, në kuadër të huas bankare prej 100 milionë eurosh”, deklaron ERE.
Burime zyrtare të kompanisë së shpërndarjes së energjisë thonë për gazetën “Shqip”, se vendimet e ERE-s i kanë penalizuar disa herë planet e CEZ-it për të investuar në Shqipëri. Por ERE jep të tjera argumente. Sipas Entit, në vitin 2011, kompania duhet të kishte investuar afro 5 miliardë lekë, por realizoi vetëm gjysmat. “Pra, u lanë të lirë të investonin dhe askush nuk i pengoi të realizonin planin dhe objektivat”, sqaron Enti.
Investimet në rrjet për të ulur humbjet konsiderohen pika e nxehtë e debatit mes shtetit shqiptar dhe kompanisë CEZ. Janë pikërisht investimet dhe nivelet e tyre që kanë shkaktuar përplasje mes palëve. Nëse CEZ-i do t’i kishte realizuar investimet sipas deklaratës rregullatore, 300 milionë euro për 5 vjet, natyrshëm që situata me humbjet (vjedhjet) në rrjet nuk është siç paraqitet sot, ku gjysma e energjisë elektrike vidhet, nuk paguhet dhe humbet në rrjet.
Mosmiratimi i kredisë 100 milionë euro konsiderohet si shansi i humbur, ose i fundit, për të shpresuar në përmirësimin e klimës mes palëve. Sakaq, ERE do të vendosë sot se çfarë do të bëjë me licencën e kompanisë, nëse do të nisë procedurat për shqyrtimin për ndryshimin e madh, apo do t’u japë mundësi çekëve të tregojnë besueshmëri. Mbledhja është shtyrë dy herë, ndoshta për shkak të vështirësisë së marrjes së vendimit. Janë dy licenca që diskutohen, ajo e tregtimit të energjisë elektrike dhe asaj për shpërndarjen. Të kontaktuar nga gazeta, të dyja palët shpresojnë për “mirëkuptim”, por, nga ana tjetër, sa më shumë kalon koha, aq më tepër rriten “kuotat e bastit” se CEZ-i do të largohet brenda vitit nga Shqipëria.
Shkak i refuzimit për aprovimin e kredisë lidhet me faktin se CEZ do të linte peng asetet te bankat
Bilanci
Plani – Nëse CEZ-i do t’i kishte realizuar investimet sipas deklaratës rregullatore, 300 milionë euro për 5 vjet, situata me humbjet nuk është siç paraqitet sot
Realizimi – Sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE), në vitin 2011, kompania CEZ duhet të kishte investuar afro 5 miliardë lekë, por realizoi vetëm gjysmat
Vendimi – Të kontaktuar nga gazeta, të dyja palët shpresojnë për “mirëkuptim”, por, nga ana tjetër, sa më shumë kalon koha, aq më tepër rriten “kuotat e bastit” për largim
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.