Smartphone Android na përgjojnë, edhe kur nuk i përdorim…
55 faqe që s’të lënë nga t’ia mbash. Dhe që ndoshta tregojnë një realitet që tashmë e dimë. Shërbimet falas që Google u ofron miliarda njerëzve në mbarë botën, nuk janë edhe aq të lirë.
Monedha me të cilën e paguajmë përdorimin e Android, Gmail, GoogleMaps dhe gjithçka tjetër, nuk është gjë tjetër veçse të dhënat tona.
Kolosi i Mountain View na njeh më mirë se kushdo tjetër. Raporti me titullin “Google Data Collection”, me autor Douglas Schmidt, e tregon këtë gjë shumë mirë. Schmidt, i cili për ironi të fatit, ka të njëjtin mbiemër me ish-administratorin e deleguar të Google (Eric Schmidt), është profesor në Computer Science në Vanderbilt University, një universitet me seli në Nashville, në Tennessee.
Raporti i Schmidt, që në pak orë bëri bujë në gjysmën e botës, tregon se si Google mbledh dhe regjistron të dhënat e përdoruesve, duke kuptuar zakonet dhe preferencat e tyre. Një studim unik në llojin e tij, që ngre dyshime mbi përpunimin e të dhënave personale nga ana e Big G.
Përfundimet tregojnë se si Google i përgjon përdoruesit e tij, edhe kur smartphone-t e tyre Android janë të mbyllur, ose kur lundrojnë në Chrome me modalitetin ‘incognito’ (edhe pse në këtë rast, të dhënat fshihen sapo mbyllet faqja). Mbledhja e të dhënave nga Big G, me fjalë të tjera,është e vazhdueshme. Dhe vijon edhe kur përdoruesi është i bindur se largohet prej tij.
Android nën hetim
Raporti mbështetet në disa pika kyçe dhe hedh dyshime serioze mbi të gjitha për sistemin operativ Android, të cilin kohët e fundit, Komisioni Europian e gjobiti me 4,3 miliardë euro. Për të vërtetuar mbledhjen pasive të të dhënave nga ana e Google, profesor Schmidt konfiguroi dy smartphone të ndryshëm (i pari me Google Chrome si browser) dhe një iPhone (me Safari dhe pa Chrome). Të dy telefonat nuk u përdorën për 24 orë.
Në atë kohë, Schmidt zbuloi se pajisja me sistem operativ Android u dërgoi 900 kampionë të dhënash serverëve të Google, nga të cilat rreth 35% lidheshin me vendndodhjen, ndërsa pjesa tjetër ishte për Google Play dhe të dhënatë pajisjes. Në total, modeli me sistem operativ Android, gjatë 24 orëve që nuk u përdor, i dërgoi Google rreth 4,4 megabyte të dhëna. Ndërsa iPhone për të njëjtën periudhë, i dërgoi Google 0,76 megabyte, rreth 6 herë më pak.
Ndërsa serverët e Google dërguan pak më shumë se 40 kërkesa në orë te pajisja me sistem operativ Android, krahasuar me 0.73 kërkesa në orë tek iPhone. I njëjti raport tregoi se iPhone dërgojnë 10 herë më pak të dhëna te serverët e Apple se sa modelet me sistem Android te serverët e Google.
“Eksperimentet tona – shkruan autori i studimit – tregojnë se një telefon me sistem Android, inaktiv (me Chrome të aktivizuar në background) i komunikon Google gjatë një periudhe 24 orë rreth 340 herë informacione rreth vendndodhjes, mesatarisht 14 komunikime të dhënash në orë”.
Roboti i Google, me më shumë se 2 miliardë përdorues, është një minierë autentike të dhënash për Big G.Dhe transmeton informacione, edhe kur pajisja nuk është në përdorim. Kur përdoruesi nis ta përdorë smartphone, fluksi i të dhënave të transmetuar te serverët e Mountain View shumëfishohet.
“Nëse përdoruesi fillon të përdorë smartphone Android, shkruhet në raport –komunikimet pasive domein-eve të serverëve tëGoogle rriten në mënyrë të ndjeshme”. Mjaft të mendosh që edhe nëse nuk ndërveproni me aplikacionet ‘made in Google’, te serverët e Big G transmetohen “11,6 MB të dhëna në ditë, ose 0,35 GB në muaj”. Këto numra na bëjnë të kuptojmë se “edhe nëse nuk i përdorim aplikacionet e Google, ai gjithsesi është në gjendje t’i mbledhë dhe t’ua transmetojë të dhënat tona kompanive partnere për qëllime reklamimi”.
Google, i uritur për të dhëna
Raporti i Douglas Schmidt, i publikuar në“Digital Content Next”, thellohet edhe në biznesin e reklamave të Google. Autori shpjegon se sasia e informacioneve personale që Google mbledh falë platformave të saj (nga Chrome tek YouTube, nga Android te Maps) është “befasuese”. Raporti pretendon se në fund të ditës, “Google ka identifikuar interesat e përdoruesit me saktësi shkencore”.
Në këtë, Chrome, me dy miliardë përdoruesit e tij, është vendimtar. Schmidt thekson në fund se, ndërkohë që skandali Facebook – Cambridge Analytica bëri bujë në media, Google deri më sot ka arritur të mbetet në rrugën e duhur me praktikat e tijtë mbledhjessë të dhënave “edhe pse ka aftësinë të mbledhë shumë më shumë informacione personale për përdoruesit”.
Burimi: Il Sole 24 Ore