Më shumë se një milion vizitorë kanë admiruar koleksionin Morozov në Paris. Por, për shkak të luftës në Ukrainë, kthimi i këtyre kryeveprave impresioniste në Rusi është i ndërlikuar.
Picasso, Gauguin, Renoir e shumë të tjerë – koleksioni Morozov përfshin rreth 200 vepra të disa prej piktorëve më të famshëm europianë, si dhe disa vepra të rëndësishme të artistëve rusë.
Për herë të parë, ky koleksion i jashtëzakonshëm u prezantua jashtë Rusisë, në një ekspozitë të mbajtur në Francë.
Në fillim të muajit shkurt, më shumë se 1 milion njerëz kishin vizituar “Koleksionin Morozov – Ikonat e Artit Modern”, ekspozitën e mbajtur në muzeun e Fondacionit Louis Vuitton në periferi të Parisit.
Ekspozita u shty deri më 3 prill, por me përfundimin e saj, organizatorët francezë dhe rusë po përballen me probleme diplomatike dhe logjistike: si do t’i kthejnë ata këto vepra të artit në tre muzetë rusë nga u morën: muzeu Hermitazhin në Shën Peterburg, Muzeu i Arteve të Bukura në Pushkin dhe Galeria Tretyakov në Moskë.
Pasi trupat ruse pushtuan Ukrainën, shumica e vendeve europiane ndaluan linjat ajrore ruse që të hynin në hapësirën e tyre ajrore. Edhe Rusia vendosi ndalimin e fluturimeve nga Perëndimi.

Ivan Morozov (portret) së bashku me të vëllanë ka blerë një nga koleksionet më të mëdha në botë të artit impresionist dhe modern
Lufta e bën të vështirë kthimin e këtyre veprave
Edhe kthimi i tyre me kamion do të ishte i komplikuar, tha Fondacioni Louis Vuitton. Në bashkëpunim me institucionet përkatëse ruse, ata po shqyrtojnë se çfarë duhet të bëjnë nëse ka “një problem” me kalimin e kufirit, tha Jean-Paul Claverie, këshilltar special i Bernard Arnault, kryetarit të Fondacionit Louis Vuitton.
Një “hartë rrugore” është krijuar për kthimin e këtyre veprave që ndodhen aktualisht në Europë, tha ministrja ruse e Kulturës, Olga Lyubimova, në një konferencë për shtyp, por pa dhënë detaje.
Të dyja palët thanë se veprat e artit fillimisht mund të mbeten në ambientet e Fondacionit Louis Vuitton. Siguria e pikturave është prioriteti kryesor, thanë ata.

Një koleksion historik i kryeveprave
Pikturat janë pjesë e një koleksioni historik privat. Në fund të shekullit të kaluar, vëllezërit Mikhail (1870-1903) dhe Ivan Morozov (1871-1921) i blenë këto vepra nga artistë të rëndësishëm europianë, duke përfshirë Gauguin dhe Cezanne.
Kur regjimi carist i Rusisë ra në vitin 1918, koleksioni u shtetëzua. Fillimisht, ai do të bëhej pjesë e Muzeut të Artit Modern Perëndimor, por Stalini, i cili e përçmonte artin europian, e mbylli atë në vitin 1948. Këto punime u shpërndanë te Muzeu Pushkin i Moskës dhe te ai Hermitage në Shën Petersburg.
Për arsye ekonomike, shteti sovjetik shiti disa nga këto vepra, duke përfshirë “Café de Nuit” të Van Gogh-ut, e cila shkoi në Universitetin e Yale, si dhe “Portretin e Zonjës Cezanne” të Cezanne-it, e cila tani i përket Muzeut Metropolitan në Nju Jork.
Ekspozita e Parisit, e cila u hap në shtator të vitit 2021, u festua si një ngjarje e rëndësishme diplomatike, ku të pranishëm ishin presidenti francez Emmanuel Macron dhe ministrja ruse e kulturës Lyubimova.

Dilema kulturore nga të dyja palët
Koleksioni Morozov nuk është ekspozita e vetme ku organizatorët po hasin në vështirësi për të kthyer veprat në Rusi.
Një ekspozitë e madhe e Carl Faberge në Muzeun Victoria dhe Albert në Londër, e cila zgjat deri më 8 maj, përfshin 13 ekspozita nga muzetë rusë – një vezë Faberge që Vladimir Putin ia dhuroi Hermitazhit Shtetëror në Shën Petersburg, si dhe sende në pronësi të Fondacionit Link of Times, themeluesi i të cilit, Viktor Vekselberg, është në listën e personave të qeverisë britanike të cilëve u janë vendosur sanksione.
Edhe muzetë në Rusi po përballen me probleme të ngjashme. Ekspozita “Diversity United” në Galerinë Tretyakov të Moskës, një bashkëpunim Gjermani-Francë-Rusi, është anuluar.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier u tërhoq së fundmi nga angazhimi i tij për shfaqjen e organizuar nga Fondacioni për Art dhe Kulturë me qendër në Bon, i kryesuar nga Walter Smerling.
“Kësaj here, plani ynë për të ndërtuar ura nëpërmjet artit, përtej vështirësive politike, nuk funksionoi,” tha Smerling për Deutsche Welle, duke shtuar se ai druhet që “në një të ardhme të parashikueshme, ekspozitat e artit bashkëkohor nuk kanë asnjë mundësi që të zhvillohen në Rusi, në kushtet e mungesës së lirisë dhe të veprimeve luftarake”.
Duke pasur parasysh tragjedinë që po ndodh aktualisht në Ukrainë, problemet në botën e artit mund të duken të një rëndësie të vogël. Por, deri përpara luftës, projektet e bashkëpunimit midis muzeve ruse dhe atyre europiane konsideroheshin si një shtyllë e rëndësishme diplomatike. / Deutsche Welle