Shqipëria do të mirëpriste po aq sa Serbia investimet direkte gjermane. Por një trashëgimi e varfër në industrinë e rëndë na lë pak hapësira për të qenë konkurrues. Në një intervistë për “Monitor”, drejtorja e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, tregon se me çfarë duhet të konkurrojmë, e çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për të tërhequr investimet e mundshme nga Afrika e Veriut e tashmë edhe nga zonat përreth Ukrainës
Intervistë me Anette Kasten, Drejtore Ekzekutive, DIHA
Me një marrëdhënie ekonomike të instaluar në prag të rënies së komunizmit, Gjermania është bërë vendi i parë me të cilin filluan tregtia e investimet e zgjeruara më tej në ekonominë e tregut. Përse vendi ynë nuk arrin të jetë sa duhet tërheqës për investimet gjermane, krahasuar me shumë vende të Europës Lindore?
Do të thoja se kjo nuk është një periudhë shumë e gjatë. Shqipërisë i duhet të konkurrojë me vende të tjera në tranzicion, disa prej të cilave kanë pasur një tranzicion të shpejtë. Por, kjo varet shumë edhe nga lehtësitë për prodhim, veçanërisht në këtë periudhë. Shqipëria nuk mund të konkurrojë me vende të tilla si Republika Çeke, apo Sllovakia, kur edhe në periudhën e komunizmit kishin kapacitete të mëdha industriale. Edhe Shqipëria ka industri, por jo në këtë kuptim. Ndaj, sipërmarrësit gjermanë mund të shkojnë në disa vende të tjera për të prodhuar pjesë për sektorin e automobilave.
Edhe në lidhje me vendet e tjera në Ballkan, në periudhën e Jugosllavisë, Serbia ishte një furnizues për kompani gjermane. BMW, për shembull, ka porositur pjesë të ndryshme në Serbi dhe ju e shikoni që atje ka një industri të fortë prodhuese e shumë kapacitete të reja janë formuar gradualisht.
Shqipëria pati një periudhë të gjatë, veçanërisht nga fundi i komunizmit, kur prodhimi nuk ishte aq i fortë dhe nuk ka qenë furnizues e nuk ka pasur lidhje me vendet perëndimore. Kishte prodhim e industri, por jo në atë nivel cilësor që kërkonin vendet perëndimore.
Ky është një rol tragjik i Shqipërisë dhe nuk është e lehtë të shkojë në vend. Çdo qeveri do të ketë probleme me këtë. Ju nuk mund të shpikni apo të ndërtoni në mënyrë të papritur një nivel të lartë prodhimi në industrinë e rëndë. Ndaj, nëse më pyesni përse nuk është investuar në industri, ju them se po paguani një kosto të së shkuarës.
Por, Shqipëria ka potenciale dhe duhet t’i zhvillojë ato. Nga këndvështrimi ynë mund të konkurroni me industrinë e lehtë.
Dhe ne në DIHA kemi pasur së fundi shumë pyetje për prodhimin në industrinë e lehtë, sektorin e instalimeve, tekstile, shërbime mjekësore. Këta janë sektorët që përbëjnë interes për Shqipërinë.
Vendi ka burime në gaz e naftë dhe shërben si furnitor, ndërkohë po ndërtoni një infrastrukturë. Këta tre faktorë na kanë shtyrë të promovojmë Shqipërinë në Gjermani e madje edhe në vende të tjera.
Çfarë kërkojnë sipërmarrjet gjermane që duan të investojnë në Shqipëri dhe cilat janë pikat e dobëta dhe të forta të ekonomisë sonë?
Në këndvështrimin tim duhet të punoni shumë për një funksion të mirë të administratës. Sipërmarrjet kanë nevojë për procedura të thjeshta administrative, të thjeshta e të qarta. E kjo shkon për të gjithë administratën dhe për doganat. Ne vlerësojmë se qeveria po punon në këtë drejtim dhe çka kërkohet nuk mund ta ndryshoni në një vit. Nga ana tjetër, duhet të kujdeseni për sigurinë ligjore. Pasiguria ligjore është pika e vlerësuar më dobët në vrojtimin tonë të bërë së fundi. Pra, duhet të punoni në disa faktorë të brendshëm e në të njëjtën kohë duhet ta bëni të njohur Shqipërinë, si një vend interesant për të prodhuar.
Duke parë kostot e punës mund të duket interesante për prodhuesit gjermanë që kanë investuar në Afrikën e Veriut. Pasi krahas kostove, edhe stabiliteti politik është një faktor i mirë për Shqipërinë. Madje edhe sipërmarrjet në Ukrainë e në vendet përreth saj po shikojnë për mundësi të reja. Ky mund të jetë një shans për Shqipërinë që të promovojë kapacitetet e saj në industrinë e lehtë.
Ky vit ka filluar me një sistem të ri taksash. Si e shikon sipërmarrja gjermane këtë paketë?
Taksat janë një prej njëzet faktorëve që ndikojnë në vendosjen e bizneseve këtu. Dhe këta faktorë përcaktojnë investimet. Niveli real i taksave që duhen paguar sigurisht është vlerësuar më keq se vjet, pikërisht për shkak të reformës së paketës fiskale, pasi janë thjesht taksa më të larta. Por, ritheksoj, ky është vetëm një faktor. Investitorët që vijnë në Shqipëri vlerësojnë krahas taksave, edhe motivimin e stafit, personelit dhe shumë faktorë të tjerë. Ndaj të gjithë së bashku, puna e administratës, cilësia e pagesave, formojnë anën e investimit.
Për faktorët e tjerë, si ka ndryshuar vlerësimi i sipërmarrjeve gjermane?
Faktori i parë i vlerësuar në Shqipëri është kostoja e fuqisë punëtore, të paktën për disa sektorë. Krahasuar me një vit më parë, shumë faktorë janë vlerësuar negativisht, por me një ndryshim shumë të vogël. Anketa e fundit për klimën e biznesit na tregon se qeveria ka shumë për të bërë. Megjithatë, rezulton se produktiviteti është shumë mirë, kualifikimi, veçanërisht kualifikimi akademik është i tillë, ndërsa fleksibiliteti i punësimit është i ulët. Pra, Shqipëria nuk është aq keq, e vetmja gjë që mendojnë është se Shqipëria nuk është e njohur sa duhet.
Intervistoi A.MUÇAJ
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.