Ekziston një vijë shumë e hollë ndarëse midis një debati të shëndetshëm dhe një konflikti që merr një kthesë të shëmtuar – veçanërisht në vendin e punës.
Thënë kjo, ju nuk duhet të humbisni përfitimet që vijnë nga debati në punë, pasi ai sjell ide më të mira dhe marrjen e vendimeve në grup.
“Një debat kuptimplotë mund ta bëjë ekipin që të gjejë idetë dhe zgjidhjet më të mira, si dhe të ndihmojë në arritjen e përparimeve të mëdha”, thotë Chandni Chopra, drejtor i HR në LambdaTest.
“Debati në vendin e punës mund të jetë i shëndetshëm dhe konstruktiv në momentet kur duhet të merret një vendim që do të ndikojë të gjithë kompaninë. Është shumë e rëndësishme që të përfshiheni në një debat nëse dy opsionet kryesore janë krejt të kundërta dhe secila prej tyre ka anët e veta pozitive.
Debati do t’i mundësojë të gjithëve që të studiojnë të mirat dhe të këqijat e secilës palë, pa u shndërruar në diçka personale,” shton Sharon Dylan, bashkëthemeluese dhe trajnere për karrierën në Management.org.
Çfarë duhet të keni parasysh kur debatoni në vendin e punës?
Për të shmangur sjelljet problematike gjatë bisedave të vështira dhe për të pasur diskutime sa më konstruktive, është e rëndësishme të kuptoni se çfarë duhet duhet të keni parasysh kur debatoni në vendin e punës.
Përqendrohuni te tema dhe idetë – jo te njerëzit
Hapi i parë për të debatuar në mënyrë konstruktive është që të përqendroheni te tema dhe idetë – kurrë te njerëzit. Kjo e fundit do të përshkallëzohet shumë shpejt në një konflikt të tensionuar.
“Përqendrohuni vetëm te tema dhe jo te punonjësi. Kur bëheni pjesë e një debati në vendin e punës, është shumë e lehtë të kapeni dhe të sulmoni personin që prezanton anën tjetër të medaljes, në vend se të merreni me temën. Prandaj, mos harroni të përqendroheni vetëm te tema aktuale”, thotë Dylan.
Gjeni momentin e duhur për debat
Koha është gjithashtu e rëndësishme. Ka një moment dhe vend të përshtatshëm ku bën sens të keni një debat të ashpër, por jo në prag të mbylljes së një afati ose me praninë e njerëzve të tjerë që nuk janë palë të interesuara, thotë Mike Coles, një ndërmjetës i certifikuar dhe avokat për çështjet e punësimit:
“Ju duhet të llogarisni hapësirën dhe momentin e duhur për t’u siguruar që njerëzit të mund të dëgjojnë dhe të dëgjohen,” thotë ai. Nëse e dini se do të keni një bisedë të vështirë, është më mirë të mendoni kohën dhe hapësirën për ta zhvilluar atë pa faktorë të tjerë stresues.
Ejani në bisedë të përgatitur
Gjithashtu, ju duhet të vini të përgatitur në një debat, pavarësisht nëse e dini se do të përpiqeni të bindni kolegun që të dëgjojë idenë tuaj për një projekt, ose ekipi juaj ndoshta nuk do të bie dakord me ju për një vendim shumë të rëndësishëm.
“Mos harroni të studioni paraprakisht lidhur me pikat që dëshironi të diskutoni. Përpiquni të identifikoni pyetjet që mund të lindin, në mënyrë që të keni të gjithë informacionin e duhur për t’iu përgjigjur atyre,” rekomandon Dylan.
Inkurajoni anëtarët e ekipit që të flasin
Mos harroni se zërat më të lartë në dhomë nuk janë të vetmit që kanë rëndësi. Ndoshta keni introvertë në ekipin tuaj dhe njerëz që nuk duan konflikte. Inkurajoni të gjithë njerëzit në tryezë që të ndajnë pikëpamjet e tyre.
“Sigurohuni që ekipi juaj të ketë një platformë të hapur për të folur dhe shkëmbyer ide e mendime. Ofrimi i mundësive për të gjithë në organizatë është diçka thelbësore”, thotë Chopra.
Mos bini dakord, por duke treguar respekt
Një nga shtyllat e debatit të shëndetshëm është respekti. “Respektoni mendimet e të tjerëve dhe mbajini gjithmonë bisedat shumë objektive. Nëse nuk jeni dakord me këndvështrimin e dikujt, mos u pajtoni me të, por gjithmonë duke treguar respekt”, shton Chopra.
“Mungesa e respektit sjell krijimin e një mjedisi toksik në ekip. Debatet, nëse bëhen me paragjykime personale, mund të sjellin një mjedis toksik në organizatë dhe të ndikojnë negativisht te kultura e kompanisë.”
Shfaqni të dëgjuarin aktiv
Dëgjimi aktiv luan një rol kyç për t’u siguruar që të gjitha palët të ndihen se po merren parasysh. Gjithashtu, ai ndihmon në shmangien e keqkuptimeve. “Ritheksoni atë që keni dëgjuar për të konfirmuar që e keni kuptuar mirë.
Kjo shërben për t’u siguruar që të dyja palët janë në të njëjtën linjë dhe ofron konfirmim për folësin se ju po e dëgjoni atë me të vërtetë, në vend që të prisni radhën tuaj për të ofruar kundërshtimin”, sugjeron Coles.
Mos prisni një zgjidhje të menjëhershme
Gjatë mosmarrëveshjeve dhe diskutimeve të pakëndshme, mund të dëshironi të arrini një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur. Por kjo nuk është një pritshmëri realiste, thotë Coles, i cili rekomandon përcaktimin e një momenti në të ardhmen për të konsideruar edhe një herë diskutimin që u bë.
“Nëse caktoni një moment dhe vend të përshtatshëm për debat, kjo duhet të përfshijë kohën e nevojshme për reflektim dhe për të rikonsideruar e zgjidhur diskutimin. Në këtë mënyrë, të gjitha palët mund të mbledhin më shumë informacione, nëse kjo është e nevojshme.”. / Hive