Resortet e skive në Europë po përgatiten për sezonin e parë normal pas katër viteve, duke pasur një numër të lartë rezervimesh deri më tani, ndërsa njerëzit, më në fund, po përgatiten të nisen për pushimet e tyre të parealizuara që nga viti 2019.
Por, para se sezoni të fillojë, mund të ndihen kudo pasojat e krizës së rritjes të çmimeve të energjisë. Zona e skive Panarotta në Trentino-Alto Adige të Italisë ka njoftuar tashmë se nuk do të vërë në punë teleferikët e skive këtë dimër, duke u bërë kështu zona e parë në vend që jep këtë njoftim.
Megjithëse ka të ngjarë që vetëm resortet më të vogla do të përdorin masa të tilla, operatorët e zonave të skive të të gjitha madhësive po monitorojnë nga afër situatën.
“Një gjë është e sigurt: askush nuk do të harxhojë energji në mënyrë abuzive,” tha për Lonely Planet Elena Protopopow, shefja e Tregjeve në Mbretërinë e Bashkuar për Bordin Turistik austriak Tirol.
Si po ndikon te çmimet rritja e kostove të energjisë?
Vendet europiane po përpiqen të zvogëlojnë kërkesën për energji dhe të racionojnë furnizimet e tyre, në një kohë kur pushtimi i Ukrainës nga Rusia vazhdon të ndikojë në furnizimin me energji.
Në Francë, shumë resorte janë aktualisht në negociata për të rinovuar kontratat e energjisë. Zëvendëspresidentja e sindikatës Domaines Skiables de France (DSF), Anne Marty, ka paralajmëruar se faturat e energjisë elektrike mund të rriten me tetë herë këtë vit për disa prej operatorëve të vendit, sipas një raporti nga Euronews.
Në Alpet Franceze, resorte të tilla si Morzine dhe Avoriaz janë të vendosur për të mbrojtur skiatorët nga ndikimi i çmimeve. “Teleferikët e skive do të jenë të hapur dhe nuk do të ketë rritje të çmimeve për të bërë ski,” tha Sara Burdon nga Zyra e Turizmit e Morzine.
Por, për shumë operatorë në të gjithë Europën, rritja në koston e të bërit ski është e pashmangshme. Skiatorët që shkojnë në zonën e Dolomiti Superski, 15 resortet e skive të Dolomiteve të Italisë që përfshihen në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, po përballen me rritje të çmimeve prej 10% krahasuar me çmimet e vitit të kaluar.
Në Jungfrau të Zvicrës, të njohur ndryshe si “Maja e Europës”, çmimi i rezervimeve paraprake për personat në moshë madhore është rritur nga 777 CHF (783 €) në 850 CHF (857 €), megjithëse skiatorët janë të garantuar për kthimin e parave nëse autoritetet urdhërojnë mbylljen e resorteve për shkak të mungesës së energjisë ose të pandemisë COVID-19.
Çfarë nismash po marrin resortet europiane të skive për kursimin e energjisë?
Ulja e termostatit, kufizimet për të bërë ski gjatë natës, teleferikët e skive që lëvizin më ngadalë – këto janë disa nga masat që po merren për kursimin e energjisë. Masat po projektohen që të shkaktojnë sa më pak probleme për skiatorët.
Në Val d’Isère të Francës, shpejtësia e teleferikëve të skive do të reduktohet nga pesë në katër metra në sekondë, një ndryshim që parashikohet të sjellë rritjen e kohës së udhëtimit me një minutë. Megjithatë, resorti beson se kjo gjë nuk do të vihet re fare nga skiatorët.
Operatorët francezë po punojnë për të arritur uljen me 10% të konsumit të energjisë që ka vendosur qeveria për të gjitha bizneset. Në Morzine dhe Avoriaz, ku shpejtësia e teleferikëve do të optimizohet edhe në varësi të numrit të skiatorëve, po merren masa që të fiket ndriçimi rrugor nga ora 23:00 deri në 5 të mëngjesit në zona të caktuara. Disa nga iniciativat e tjera për kursimin e energjisë janë edhe ulja e temperaturës në pishinat publike me një ose dy gradë Celcius, si dhe fikja më herët e dritave të Krishtlindjeve.
Resortet e skive që përdorin energji të rinovueshme po i mbajnë kostot nën kontroll
Është më se e qartë se operatorët e skive që tashmë kanë bërë investime në energjitë e rinovueshme janë në një avantazh të dukshëm me të tjerët dhe kjo vihet re në fundjavat e hapjes së sezonit.
Në LAAX të Zvicrës, një resort i cili ka vendosur një objektiv për t’u bërë një destinacion neutral ndaj karbonit deri në vitin 2030, ashensorët funksionojnë me energji hidroelektrike dhe diellore pa CO2. Nxehtësia e mbetur nga teleferikët përdoret për ngrohjen e restoranteve lokale. Një zëdhënës i zonës konfirmoi për Lonely Planet se nuk do të ketë rritje të çmimit për përdorimin e teleferikëve këtë sezon.
Flota e mirëmbajtjes në Val d’Isère, për herë të parë në këtë sezon, do të furnizohet me energji të prodhuar nga vaji vegjetal i trajtuar me ujë (HVO), një burim 100% i rinovueshëm që redukton emetimet e CO2 me 90%.
Dy autobusë elektrikë do të hyjnë gjithashtu në shërbim, ku i pari është pjesë e një flote që shpresohet të arrijë deri në 15 autobusë në vitin 2025. Në “Tre Luginat” (Les Trois Vallées), 450 panele diellore janë instaluar së fundi në çatinë e stacionit të mbërritjes së gondolës Ariondaz në Courchevel.
Në fillim të këtij viti, Serre Chevalier në Alpet Jugore të Francës instaloi turbinën e saj të parë hidroelektrike, ndërkohë që kërkon të arrijë një objektiv për prodhimin e 30% të energjisë elektrike nëpërmjet burimeve të rinovueshme deri në vitin e ardhshëm. / Lonely Planet