Është shumë e thjeshtë të zhytesh në atmosferën kulturore të Novi Sad, qytet në të cilin fabrikat e dikurshme sot janë shndërruar në vende arti, një fortesë historike mirëpret një festival muzikor dhe një rrugë e gjallë arti ndriçon kthinat më të papritura të një lagjeje
Qyteti i dytë më i madh i Serbisë, Novi Sad, ka fituar çmimin “Kryeqyteti Europian i Kulturës” për vitin 2022 dhe për të festuar këtë ngjarje, e cila është shtyrë me një vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit, po bëhet çdo gjë që është e mundur me një program të ngjeshur me ekspozita, evente dhe spektakle.
Përfitoni nga rasti për të kaluar një fundjavë për të njohur dhe për të vlerësuar sa më shumë të jetë e mundur nga këto atraksione kulturore.
Stacionet kulturore, aty ku e vjetra ndërthuret me modernen
Në lidhje me këtë ngjarje, në Novi Sad janë hapur hapësira të reja për artin dhe spektaklet, secila me karakterin dhe programin e vet. Duke qenë se shumë nga këto hapësira ndodhen në ndërtesa historike të restauruara, vizita e këtyre të ashtuquajturave “stacione kulturore” ju jep rastin t’i hidhni një vështrim së shkuarës së Novi Sad, ndërkohë që zhyteni në kulturën bashkëkohore.
Stacioni kulturor i Svilara – kjo fabrikë ku dikur ngjyrosej mëndafshi në zonën e Almaški është shndërruar sot në një hapësirë për ekspozita të artit bashkëkohor dhe ekspozita fotografike, në një mjedis të mrekullueshëm industrial.
Stacioni kulturor i Egység – në këtë kështjellë të madhe të shekullit XIX, e risjellë në jetë falë një ristrukturimi të plotë, zhvillohen koncerte dhe seminare të muzikës klasike.
Fortesa e Petrovaradin dhe e shkuara për t’u zbuluar
Historia e Novi Sad spikat kudo. Bëni një shëtitje në Sheshin e Lirisë, në qendrën historike, për të admiruar arkitekturën e ndërtesës së bashkisë dhe kishën e Shën Marisë, famullinë katolike dhe një sërë ndërtesash të tjera. Për të mësuar më shumë mbi historinë e qytetit bëni një shëtitje në këto site historike.
Fortesa e Petrovaradin: Për shekuj me radhë, kështjella e dashur ka ruajtur vendin e saj në qendër të aksionit të Novi
Sadit. Dikur një fortesë ushtarake, me biruca, thesare dhe 16 kilometra tunele nëntokësore (ende të hapura për vizitorët), sot në të zhvillohet festivali i famshëm Exit, një ngjarje e përvitshme për dashamirësit e muzikës.
Petrovaradin, e cila ndodhet në bregun e djathtë të Danubit, konsiderohet një nga fortesat e ruajtura më mirë në Europë.
Përveç saj ka shumë për të parë këtu: Muzeu i Qytetit të Novi Sad, skulptura Lufta e Drerëve (Borba jelena), “Ora e dehur” e çuditshme me akrepat e kthyer dhe ndoshta, gjatë shëtitjes në tunelet nëntokësore, mund të ndesheni edhe me fantazmat që jetojnë në kështjellë…
Muzeu i Vojvodinës
Historia e rajonit nga periudha e Paleolitit deri në shekullin XX është dokumentuar në këtë muze, në të cilin janë ekspozuar disa nga gjetjet arkeologjike më intriguese. Pajisje, bizhuteri, qeramika dhe monedha ofrojnë një tablo të jetës së përditshme, zakoneve funerale dhe kulturës fetare të vendbanimeve të vjetra të Vojvodinës.
Këtu ndodhen edhe objekte mbresëlënëse ushtarake, si për shembull dy helmeta të bukura romake, të veshura me ar dhe të zbukuruara me bizhuteri, të cilat u zbuluan në vitin 1995 së bashku me pjesë të tjera të pajisjeve të një oficeri të kavalerisë romake.
Nga galeritë në rrugë, një zhytje në artin serb
Ata që duan të zbulojnë dhe të thellojnë njohuritë mbi artin serb, zgjedhjet janë të shumta në Novi Sad, ku institucione kulturore të afirmuara dhe hapësira kulturore moderne ekspozojnë më të mirën e talenteve lokale.
Galeria Matica Srpska – vendi që duhet të vizitoni për të zbuluar kryeveprat serbe të shekullit XVIII, ndër të cilat një portret i paharrueshëm i një vajze nga Uroš Predić.
Arti i rrugës – ju nuk duhet ta humbni atmosferën e gjallë artistike urbane të Novi Sad, ku muret janë të pikturuara me murale dhe grafitë fantastikë.
Festivale dhe evente, momenti për të festuar kulturën
Siç e përmendëm pak më sipër, festivali muzikor Exit është suksesi i madh i qytetit gjatë verës, i cili këtë vit feston 20-vjetorin. Programi parashikon një skaletë ndërkombëtare me spektakle kërcimi, rock dhe muzikë alternative në katër ditë.
Në kalendar parashikohet edhe Gradić Fest, një festival me muzikantë të rrugës që zhvillohet çdo dit në fund të gushtit. Për dashamirësit e teatrit, është edhe festivali që mbahet në pranverë Sterijino Pozorje, i cili sjell në skenë teatro rajonalë.
Burimi: Euronews