Ndoshta, ajo është ekonomia më e suksesshme në botën e pasur, shkruan The Economist
Cili është problemi më i madh me të cilin po përballet Amerika? Apo Japonia? Britania? Franca? Opinionet në këtë drejtim janë të ndryshme, por ka disa shqetësime që shfaqen herë pas here. Ka nga ata që fajësojnë rritjen e ngadaltë të të ardhurave mesatare, që ka shkaktuar zemërim dhe zhgënjim të madh në mesin e atyre që punojnë.
Ndërkohë borxhi publik është shumë i lartë dhe fatkeqësisht me tendencë për t’u rritur, duke qenë se popullsia po plaket. Dhe pikërisht kjo pjesë e popullsisë grumbullon edhe numrin e faturave me vlerë më të lartë për kujdesin shëndetësor dhe pensionet, shkruan The Economist.
Pastaj vjen emigracioni, i cili ka nxitur reagime të ashpra populiste në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë Europën. Për këtë arsye, për një numër të madh njerëzish, emigracioni, është një nga shkaqet më shqetësuese dhe mbi të gjitha si pasojë e mungesës së konsensusit politik në lidhje me menaxhimin e këtyre krizave në rritje.
Rritja e të ardhurave, borxhi i ulët publik, një shtet me mirëqenie të përballueshme, mbështetja e madhe ndaj emigracionit masiv dhe konsensusi i gjerë i politikave që mbështesin këto çështje, janë disa prej ëndrrave të largëta në pjesën më të madhe të vendeve të pasura.
Por të shumtë janë edhe politikanët perëndimorë të cilët as që nuk e imagjinojnë kombinimin harmonik të pikave të mësipërme. Fatmirësisht, ata nuk kanë pse ta imagjinojnë fare një vend të tillë, sepse ai ekziston dhe është Australia. Ndoshta për shkak të pozicionit gjeografik, larg të gjitha shteteve të tjera, apo sepse ajo ka vetëm 25 milionë banorë, vëmendja që ka shkaktuar në pjesën tjetër të botës ka qenë gjithmonë e paktë.
Por ekonomia e saj është padyshim më e suksesshmja në botën e pasur. Australia ka qenë në rritje për 27 vite radhazi, pa përjetuar asnjë recesion. Ky është një rekord për një vend të zhvilluar. Rritja e saj gjatë kësaj periudhe është pothuajse tre herë më shumë se ajo që ka arritur Gjermania.
Të ardhurat mesatare janë rritur katër herë më shumë sesa në Amerikë. Borxhi publik, në 41% të PBB-së, është më pak se gjysma e nivelit të Britanisë. Edhe fati, ka luajtur rolin e tij në këtë drejtim, dhe këtë nuk mund ta lëmë kurrsesi pa përmendur.
Australia është e bekuar me shumë minerale hekuri dhe gaz natyror, relativisht thuajse në të njëjtat nivele me Kinën. Edhe politika e shëndoshë ka luajtur rol të rëndësishëm.
Pas recesionit të fundit, të vitit 1991, qeveria e asaj kohe reformoi sistemet e kujdesit shëndetësor dhe të pensioneve, duke kërkuar që klasa e mesme të paguante më shumë. Rezultati është se qeveria e Australisë shpenzon vetëm gjysmën e mesatares së OECD-së në drejtim të pensioneve, si pjesë e PBB-së dhe ky hendek do të zgjerohet vetëm në vitet e ardhshme. Entuziazmi i Australisë sa i përket emigracionit është edhe më i madh.
Rreth 29% e banorëve të saj kanë si vendin e tyre të origjinës një vend tjetër, jo Australinë, sa dyfishi i përqindjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjysma e australianëve janë ose emigrantë, ose fëmijë të emigrantëve.
Numri më i madh i emigrantëve në Australi është nga Azia. Edhe në këtë drejtim, po ta krahasojmë Australinë me pjesën tjetër të botës, si për shembull me Amerikën, Britaninë apo Italinë ajo pasqyron një tablo të ndryshme, në krahasim me këto shtete ku flukset, edhe pse të pakta të emigrantëve, kanë shkaktuar armiqësi midis një pjese të madhe të elektoratit. Apo me Japoninë, ku lejimi i emigrantëve për të qëndruar në këtë shtet konsiderohet si tabu. Ndërsa në Australi, të dyja partitë kryesore në vend bien dakord se pranimi i një numri të madh emigrantësh në vend është thelbësor për shëndetin e ekonomisë.
Këto arritje kanë padyshim edhe mangësi. Fondi privat i investimeve, për shembull, përmes të cilit australianët janë të detyruar të kursejnë për pensionet e tyre, është akuzuar shpeshherë për tarifa të tepërta, duke i lënë pensionistët në nivele më të varfra, nga sa mund të shmangej.
Duhet përshëndetur, ashtu si në fakt kanë bërë shumë shtete, mënyra sesi Australia i mirëpret emigrantët e ligjshëm. Por duhet dënuar edhe mënyra në të cilën Australia i trajton emigrantët që vijnë në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet anijeve, duke i dërguar ata në ishujt më të largët të Paqësorit, aty ku emigrantët e ligjshëm nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për vite e vite të tëra. Për më tepër, ka reforma që Australia duhet t’i kishte ndërmarrë që kohë më parë.
Australianët aborigjenë vuajnë nga disavantazhe të shumta, me të cilat thuajse asnjë prej qeverive nuk është marrë. Ngrohja globale po shkakton në mënyrë të dukshme dëme të rënda. Por megjithëse thatësirat po bëhen të shpeshta, Australia nuk ka bërë thuajse asgjë për të frenuar emetimet e gazrave serë. Shembulli i Australisë tregon edhe faktin tjetër se reformat që konsiderohen si të pamundura për t’u arritur diku tjetër, këtu mund të realizohen në mënyrën më të përsosur të mundur.
Demokratët në Amerikë sulmojnë shumicën e propozimeve për të kufizuar kostot në rritje të pensioneve publike apo të kujdesit shëndetësor, duke nxitur vetëm konflikte partiake. Në Australi, Partia e krahut të majtë ishte pioniere e politikave të tilla. Partia Laburiste ia shiti pensionet private të detyrueshme sindikatave si një rritje në përfitime, duke qenë se janë punëdhënësit ata të cilët janë të detyruar të bëjnë pagesa të rregullta për punonjësit e tyre në fondet e investimit.
Kjo parti arriti të sigurojë edhe një pension bazë publik, i cili u paguhet vetëm atyre që nuk kanë arritur të krijojnë kursime personale. Në të njëjtën mënyrë, ka shumë mundësi që të sigurohet edhe mbështetja ndaj emigracionit masiv, madje edhe nga vende të ndryshme kulturore. Njëkohësisht, është thelbësore që votuesve australianë t’ju krijohet siguria se kufijtë e tyre janë të mbrojtur sipas rregullave përkatëse.
Përsëri, bipartizanizmi është i rëndësishëm. Ishte pikërisht një qeveri e krahut të djathtë ajo që lejoi fillimisht flukset masive të emigrantëve nga Azia, duke pranuar një numër të madh emigrantësh nga Vietnami në vitet 1970.
Sistemi i votimit preferencial, ku australianët rendisin kandidatët sipas zgjedhjes, në vend që të zgjedhin vetëm një, ka gjithashtu një ndikim moderues.
Të shkatërrosh burimin më të mirë
Ironia e të gjitha atyre që thamë më lart qëndron në faktin se teksa përfitimet e këtij sistemi po bëhen më të dukshme, vetë australianët duket se janë më të zhgënjyer prej saj. Votuesit po shprehin dyshime, në drejtim të efikasitetit të qeverisë. Kjo nuk është reflektuar në ulje të vendeve në Parlament të partive kryesore vetëm falë sistemit zgjedhor, por votimi i tyre ka rënë me rreth 20 pikë përqindje që nga vitet 1980.
Politikanët, të vetëdijshëm për pakënaqësinë në radhët e votuesve, po i ndryshojnë anëtarët e tyre gjithnjë e më shpesh. Ata kanë ndërruar shumë Kryeministra, per shembull, me shpresën se një personalitet i ri, do të ndikojë pozitivisht në qëndrimin e partisë së tyre me elektoratin.
Disa anëtarë të Partisë qeverisëse Liberale, duke mos përfshirë këtu Kryeministrin aktual, kanë filluar të bëjnë thirrje për ulje të numrit të emigrantëve që do të pranohen, duke hedhur poshtë dekada të tëra konsensusi për këtë çështje. Reformat ambicioze janë bërë të rralla. Pjesa tjetër e botës mund të mësonte shumë nga Australia, por edhe vetë australianëve do t’u duhej që t’i përditësonin ato herë pas here.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.