Çfarë na tregon për ekonominë rënia e Dow Jones

10/04/2020 10:00 PM 0 komente

Është e vështirë të ndiqen rëniet e frikshme në tregjet financiare pa u përmendur Dow

 

Nga Dave Merrill dhe Esha Dey

Menaxherët profesionistë të parave, si dhe investitorët e ndryshëm, shpesh kontrollojnë Dow — ose Mesataren Industriale të Dow Jones — për të krijuar një ide të qartë të gjendjes së tregjeve. Ky tregues, i quajtur thjesht Dow, është një mesatare e matur nga çmimet e 30 aksioneve amerikane blue–chip, që në përgjithësi janë lider në industrinë e tyre.

Mes vështirësive aktuale, vërejtja e këtij indeksi mund të ndihmojë në matjen e dëmit që po i shkakton koronavirusi portofolave dhe nëse rënia është një pasojë afatshkurtër e turbullimit të zinxhirëve të furnizimit dhe rrallimit të kërkesës së konsumatorit apo një simptomë më e gjerë e një tregu të fortë që ka përfunduar ciklin e tij.

Për të kuptuar më mirë aspektet e ndryshme të ekonomisë dhe sinjalet që ato japin, ne kemi grupuar 30 aksionet e Dow në nëntë sektorë të gjerë ekonomikë – kujdesin shëndetësor, energjinë, prodhimet bazë për konsumatorin, shërbimet e komunikimit, teknologjinë e informacionit, produktet diskrecionale, financat, produktet industriale dhe materialet bazë. Më poshtë është një përmbledhje e tregut të aksioneve të SHBA-së nga pikëpamja e Dow.

 

Komponentët e një rënieje prej 8,300 pikësh

Kritikët e Dow thonë se treguesi portretizon në mënyrë të pasaktë tregun e përgjithshëm pasi aksionet me një çmim më të lartë, si ato të Apple dhe Boeing, janë të mbipërfaqësuar. Boeing është një shembull i rëndësishëm, pasi rënia e tij e tanishme nuk pasqyron vetëm problemet që lidhen me shpërthimin e koronavirusit, por edhe me krizën e vazhdueshme të kompanisë që u shkaktua nga dy përplasje fatale të avionëve të tipit 737 Max brenda një periudhe pesëmujore, në fillim të vitit të kaluar. Sidoqoftë, tani Boeing është kontribuuesi më i rëndësishëm në rënien e Dow që nga kulmi i tij në 12 shkurt.

 

KLIKONI PËR TA ZMADHUAR

 

Siç tregohet në grafikun e mësipërm, disa aksione të caktuara, si ato të Walmart, kanë qenë mjaft të qëndrueshme, ku grupi që duket se performon më mirë, është ai i prodhimeve bazë për konsumatorin. Mesatarisht, aksionet në katër sektorë të tjerë, kujdesi shëndetësor, shërbimet e komunikimit, teknologjia e informacionit dhe produktet diskrecionale, po performojnë më mirë krahasuar me rënien e përgjithshme prej 28% të Dow.

 

Prodhimet bazë për konsumatorin

-7.7%

Këto produkte për konsum janë ato që mbeten pjesë e buxhetit familjar, pavarësisht problemeve financiare në ekonominë vendase dhe pritet që të kenë një nivel më të lartë sesa pjesa tjetër e indeksit. Stoku i Walmart shihet si një “strehë” mes kërcënimit të afërt të një recesioni, ndërsa shitjet ushqimore në përgjithësi po rriten teksa konsumatorët ruajnë rezerva dhe përgatiten për pandeminë.

 

Kujdesi shëndetësor

-13.6%

Aksionet e prodhuesve farmaceutikë dhe bioteknologjikë kanë ecur mirë mes panikut të përhapur, ndërsa disa kompani bënë të ditura planet e tyre për të luftuar Covid-19. Në të njëjtën kohë, investitorët pa entuziazëm më për spitalet e vendit, të cilat tashmë janë mbytur në borxhe, mund të ndiejnë një presion edhe më të madh pasi operacionet me zgjedhje janë shtyrë. Gjithashtu, nëse ekonomia hyn në recesion, kjo mund të nënkuptojë që spitalet do të marrin më shumë pacientë që janë të siguruar nga Medicare dhe Medicaid, gjë që është më pak fitimprurëse, si dhe do të ketë rritje të faturave të papaguara.

 

Shërbimet e komunikimit

-20.4%

Megjithëse Dow përfshin vetëm dy kompani nga ky grup — Walt Disney dhe Verizon — në përgjithësi, rezervat e këtij sektori kanë qenë më të qëndrueshme në krahasim me tregun e gjerë, duke pasur parasysh edhe një ekspozim të përzier ndaj përhapjes së virusit. Kriza ka çuar në një rënie drastike të shitjeve të biletave nëpër kinema, megjithatë, një pjesë tjetër e sektorit – si ofruesi i shërbimeve online Verizon – mbetet kryesisht i izoluar nga çdo ndikim i koronavirusit, megjithëse shitjet e pajisjeve mund të pësojnë disa ulje për shkak të kufizimeve në furnizim dhe mbylljeve të dyqaneve.

 

KLIKONI PËR TA ZMADHUAR

 

Teknologjia e informacionit

-25.5%

Kompanitë teknologjike, qoftë IBM, Apple apo Microsoft, duket se janë të mbrojtura pasi investitorët e durueshëm janë në pritje të ndihmave që do të ofrojë teknologjia 5G, produktet e informatikës cloud dhe Inteligjenca Artificiale, edhe pse zinxhirët e tensionuar të furnizimit global kanë ulur shkallën e optimizimit për të ardhmen e afërt.

 

Produktet jo të domosdoshme

-30.8%

Shpenzimet jo të domosdoshme, si blerja e këpucëve, rrobave, orendive apo makinave, apo edhe ngrënia në restorante, pritet të bien, gjë që reflektohet në rënien e mprehtë të aksioneve të kompanive si Nike dhe McDonald’s. Aksionet e restoranteve kanë vazhduar të bien, pasi më shumë kompani po ofrojnë vetëm shërbime për blerjen dhe marrjen me vete të ushqimit, zgjedhje që e kanë bërë me dëshirë, ose me mandat nga shteti/qyteti, ndërsa aksionet e operatorëve të linjave të lundrimit kanë rënë në mënyrë drastike.

 

Financat

-32.4%

Kompanitë financiare kanë qenë ndër më të goditurat pasi virusi po kërcënon të çojë ekonominë drejt një recesioni, dhe indeksi KBW i bankave kryesore amerikane ra me gati 40% që nga mesi i shkurtit, kur filloi shitja më e gjerë e nxitur nga virusi. Pasi Rezerva Federale uli normën bazë të interesit në pothuajse zero gjatë fundjavës, fitimet e bankave pritet të pësojnë ulje, së bashku me shqetësimin në rritje që huamarrësit nuk mund të paguajnë kreditë në një ekonomi të dobët.

 

Industrialet

-37.6%

Teksa përhapja në masë e virusit po detyron distancimin social, dhe po i pengon njerëzit të blejnë makina apo të bëjnë fluturime, ndikimi po prek edhe industrinë prodhuese dhe zinxhirin e saj të furnizimit.

Fabrikat dhe uzinat në të gjithë globin po detyrohen të mbyllen. Boeing, i cili po përpiqej me vështirësi të zgjidhte problemet me aeroplanin 737 Max, që u dënua vitin e kaluar pas dy rrëzimeve fatale, tani po përballet me një situatë dyfish të vështirë pasi industria e linjave ajrore po përjeton një rënie të jashtëzakonshme të kërkesës.

Nga ana tjetër, kjo mund t’i detyrojë linjat ajrore të shtyjnë prenotimet, ose të anulojnë disa prej tyre, nëse situata nuk përmirësohet brenda disa muajve. Nervozizmi i përgjithshëm i investitorëve është reflektuar edhe në aksionet e Caterpillar dhe United Technologies, të cilat mund të konsiderohen si liderë të ekonomisë industriale globale.

 

Energjia

-38.4%

Aksionet e energjisë janë në vështirësi pasi sektori po përballet me rëndesën që vjen nga koronavirusi, ndërsa lufta e vazhdueshme e çmimeve midis Arabisë Saudite dhe Rusisë nuk po ndihmon askënd. Energjia është grupi me performancën më të dobët në S&P 500 këtë vit, me një rënie prej 54%. Ndërkohë, nxjerrësit e naftës në SHBA po përgjigjen duke ulur buxhetet e kapitalit të tyre dhe dividentët, në përpjekje për t’i bërë ballë rënies.

 

Materialet

-46.1%

Indeksi i materialeve S&P 500 ka rënë rreth 28% që prej 21 shkurtit. Sektorët më të goditur ishin ato që merreshin me kimikatet, plehrat kimike dhe metalet industriale. Të gjitha varen nga ekonomia globale për kërkesën e produkteve të tyre. Kjo rënie bëri që prodhuesi i plehrave kimike Mosaic Co. dhe prodhuesi i plastikës LyondellBasell Industries N.V. të humbnin rreth 50% të vlerës së aksioneve që nga fillimi i shitjes. Ndërkohë, aksionet e prekura më pak ishin ato të minatorit të arit Newmont Corp, pasi çmimet e arit mbetën relativisht të qëndrueshme mes shitjes globale të shkaktuar nga paniku.

Rimëkëmbja nga rënia drastike

Që prej viteve 1980, Dow ka regjistruar tre rënie të tjera me më shumë se 25% nga nivelet më të larta. Historikisht, rimëkëmbjet nga këto humbje kanë zgjatur për disa muaj.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of