Çfarë ofron shteti 10 mijë km² për vizitorët

13/08/2019 1:27 PM 0 komente
Ujëvarat e Mirushes

Sipërfaqja e Kosovës është 10,908 km², por edhe pse e vogël, ajo ka hapësirë për turizëm dhe vende me peizazh të mrekullueshëm. Kosova ka vende turistike malore, shëndetësore, objekte natyrore dhe objekte kulturore – historike, që mund të shfrytëzohen nga vizitorët për ekskursione, sport, pushim, kulturë, për arsim dhe edukim. Duke filluar nga Bjeshkët e Nemuna, Malet e Sharrit, Mirusha, Drini i Bardhë, Shpella e Gadimës, Prizreni, Peja, Gjakova e Ura pa lumë në Vushtrri dhe rajone të tjera…

 

Nga Prishtina, Fatos Shala

 

Kosova është një vend i mrekullueshëm dhe ka shumë vende për t’u vizituar. Ju mund të vizitoni disa prej qyteteve më të bukura dhe mikpritëse dhe të shihni disa nga vendet më të mira, të pasura me histori. Ndonëse një vend i vogël, Kosova ka bukuri mahnitëse që të duhet kohë e gjatë për t’i shijuar e për t’i kujtuar. Lexoni më poshtë për disa prej këtyre vendeve…

 

Ujëvara e Drinit të Bardhë

Ujëvarat e Mirushës dhe Ujëvara e Drinit

Ujëvara e Mirushës dhe Ujëvara e Drinit janë dy atraksione turistike shumë të veçanta në vendin tonë. Ato vizitohet nga turistë të shumtë, që vijnë nga e gjithë bota. Ujëvarat e Mirushës ndodhen në fshatin Llapçevë të Komunës së Malishevës.

Ato janë pjesë e një parku me rëndësi të veçantë natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike. Lumi Mirusha, gjatë rrjedhës së tij, kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanioni i lumit Mirusha dhe këtu krijon 12 ujëvara dhe 16 liqene që paraqesin një fenomen të rrallë morfo‐hidrologjik.

Ujëvara e Drinit të Bardhë ndodhet në fshatin Radavc, 11 km larg nga qyteti i Pejës. Ujëvara krijohet në burimin e lumit Drini i Bardhë dhe është 25 metra e lartë. Peizazhet malore që rrethojnë ujëvarën e bëjnë atë pikën më tërheqëse turistike në tërë Kosovën. Në afërsi të zonës, ka edhe të tjera ujëvara më të vogla.

 

 

Bifurkacioni në Ferizaj

Lumi i Nerodimës buron në Bjeshkët e Jezercës (një fshat në afërsi të Ferizajt) dhe ndahet pakthyeshëm në dy degë, të cilat kanë derdhje në dy dete. Dega veriore derdhet në lumin Sitnicë dhe vazhdon rrugëtimin në lumin Ibër, Moravë dhe përmes Danubit derdhet në Detin e Zi, ndërsa ajo jugore përmes lumit Lepenc dhe Vardarit, derdhet në Detin Egje.

 

Shpella e Mermertë në Gadime

Shpella e Mermertë, që njihet ndryshe edhe “Shpella e Gadimës”, për shkak të vendit ku ndodhet, në fshatin Gadimës të Komunës së Lipjanit, është e gjatë 1500 metra, por vizitorët lejohen të shohin veç 1300 metra. Brenda shpellës gjendet Kati i Mesëm që është për vizitorë, Kati Nënujor dhe Kati i Sipërm.

Në verë, temperaturat në shpellë janë konstante, 13 gradë Celsius, kurse në dimër 11-13 gradë. Brenda saj është edhe një liqen i gjatë 15 – 25 metra, duke e bërë edhe më tërheqëse këtë pikë shumë të bukur turistike të Kosovës.

 

Mali Gjeravica

Mali Gjeravica

Mali Gjeravica është mali më i lartë në Kosovë. Është pjesë e Bjeshkëve të Nemuna dhe ka lartësi 2656 metra mbi nivelin e detit. Qyteti më i afërt është Deçani, në të cilin mund të shkohet me autobus nga Prishtina apo Prizreni.

Hiking është natyrisht aktiviteti kryesor për të bërë në Malin Gjeravica. Për t’u ngjitur deri në majë, ecja zgjat rreth 8 orë dhe është 11 km e gjatë. Edhe pse është disi e gjatë, ngjitja nuk është shumë e vështirë dhe këshillohet edhe për fillestarë të ecjeve malore.

Kjo majë ndodhet në perëndim të Kosovës, gjegjësisht në vargmalet e Bjeshkëve të Nemuna që ndajnë kufirin shtetëror të Komunës së Deçanit me Shqipërinë. Maja e Gjeravicës i takon territorit të Komunës së Deçanit dhe afër saj gjendet edhe maja tjetër Gusani, me lartësi 2639 metra mbi nivelin e detit, duke u renditur e dyta pas majës së Gjeravicës.

Maja e Gjeravicës ndodhet në gjerësinë gjeografike veriore 42.53° dhe 20.13° të gjatësisë gjeografike lindore. Ajo është një nga atraksionet turistike më të vizituara nga alpinistët e shteteve të ndryshme që nga viti 1975.

 

Mali i Lubotenit

Luboteni shtrihet në kufirin midis Kosovës dhe Maqedonisë, dhe ka lartësi 2,498 metra mbi nivelin e detit. Pika është e izoluar nga pjesa tjetër e maleve Sharr, duke i dhënë një peizazh tërheqës dhe paraqitje imponuese. Ky është një destinacion i njohur për hiking. Pranë pikës qëndron Liqeni i Livadhit, i cili cilësohet një nga liqenet më të bukura në Ballkan.

 

Brezovica

Ka një arsye kryesore për të ardhur në Brezovicë, skijimi. Është destinacioni më i vizituar në dimër në Kosovë. Brezovica ka 16 km shpate, me gjatësi mesatare prej 4 km. Vendpushimi është i disponueshëm, për një mesatare prej 128 ditësh në vit.

Pistat e skijimit kanë 5 ashensorë skish dhe 4 hotele. Është një vendpushim mjaft i pëlqyer për skiatorët, i cili ka mirëpritur një numër garash kombëtare dhe ndërkombëtare. Përveç kësaj, ajo përdoret si një vend trajnimi për ekipet e sporteve dimërore të Kosovës. Për entuziastë të skijimit, Brezovica është një destinacion i shkëlqyer.

 

Prishtina

Prishtina është një qytet i gjallë dhe shumë njerëz hyjnë në vend. Ka jetë nate nga më të mirat në Ballkan, muze interesante etj. Është kryeqyteti i Kosovës ku mund të shkohet edhe me autobus nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Bosnja, gjë që e bën atë një destinacion të madh në një turne në Ballkan.

Vendi kryesor i interesit është në dalje të Prishtinës. Manastiri i Graçanicës është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Është ndërtuar në vitin 1321 nga një mbretëri serbe. Është një shembull i mrekullueshëm i arkitekturës mesjetare serbe dhe vendi krenohet me të. Imazhi i kësaj ndërtese të veçantë është në shumë kartolina dhe broshura. Ju mund të shkoni atje me autobus ose me taksi.

Udhëtimi rreth e qark zgjat 45 minuta. Në Prishtinë, ju duhet të vizitoni Muzeun Etnografik. Ky është muzeu më i mirë në Prishtinë, i cili ndodhet në një ndërtesë të shekullit XIX. Ka gjithashtu një numër tempujsh të bukur fetarë për t’u vizituar. Pikat kryesore përfshijnë Xhaminë Jashar Pasha dhe Katedralen Nëna Terezë. Në katedrale ju mund të hyni në kullë dhe të ngjiteni deri te kambanorja, ku mund të shihni nga lart qytetin.

Prishtina ka një jetë nate shumë të mirë, sidomos të premten dhe të shtunën. Ka një numër të madh baresh të ndryshme për të vizituar. Pronarët janë miqësorë dhe mikpritës. Ashtu si në pjesën tjetër të Kosovës, Prishtina nuk vuan nga incidentet si pasojë e alkoolit, ku mund të vijë deri te pllakosja nëpër disa vende më të njohura të natës në Europë.

 

Gjakova

Disa thonë se nata në Gjakovë është më e mira në Ballkan. Aty ka dy pika më të frekuentuara. Çarshia e Vogël, e cila ndodhet në qendër të qytetit dhe është më e shtrenjtë dhe Çarshia e Vjetër, më e lirë, por ka cilësi më të mirë. Në këto dy pika do të gjeni dhjetëra kafene, bare dhe klube gjithnjë plot. Vendasit janë miqësorë dhe mikpritës, birrat janë të lira dhe të ftohta. Nëse ju pëlqen muzika live, atëherë keni DJ dhe këngëtarë të cilët performojnë çdo të premte dhe të shtunë.

 

Kalaja e Prizrenit

Prizreni është një qytet me histori, prej nga është shkruar një pjesë e madhe e historisë shqiptare. Lidhja e Prizrenit është e para që na vjen ndër mend sa herë që përmendet ky qytet në pjesën jugperëndimore të Kosovës. Por përveç kësaj shtëpie historike, edhe Kalaja e Prizrenit është fortesa e qëndrueshmërisë së këtij vendi. Kalaja e Prizrenit është simboli i qytetit dhe një element i rëndësishëm në identitetin kulturor të Kosovës.

Kalaja ngrihet mbi qytet, sikurse edhe mbi luginën e thellë të Lumëbardhit dhe Rrafshin e Dukagjinit. Kalaja i ka fillesat në periudhën e parë të qytetërimit të këtij rajoni, në parahistori, me një zhvillim të vazhdueshëm në Periudhën Bizantine dhe Osmane. Si kala kjo ka funksionuar deri në vitin 1912.

 

Peja, një prej qyteteve më turistike në Kosovë

Peja është një qytet i bukur në Kosovë, që shtrihet në Luginën e Lumbardhit, rrethuar nga Alpet shqiptare. Kjo shtrirje gjeografike i ka dhënë vendit një natyrë të mrekullueshme, falë së cilës tërheq turistë nga anembanë botës. 11 kilometra larg qytetit të Pejës, në fshatin Radavc, gjendet një shpellë e cila mund të cilësohet “mrekulli natyrore”. Ajo është shpella e “Bukuroshes së fjetur”.

Me një gjatësi 1420 metra, shpella përbëhet nga korridore dhe kanale në të cilat mund të eksploroni bukuri të papara. Shpella përbëhet prej katër elementeve morfologjike: galeritë kryesore, galeritë e majta, galeritë e poshtme dhe kanalet vertikale. Shpella, jashtëzakonisht e veçantë, është duke u studiuar ende, pasi brenda saj ka tregues të periudhës së paleolitit.

Mirëpo, me ndihmën e ciceronëve që presin në hyrje të shpellës, ia vlen që të vizitohet dhe të njiheni edhe nga afër me bukurinë e saj. Çarshia e Vjetër është një pjesë shumë e bukur e qytetit të Pejës, e cila njëkohësisht është edhe zonë me trashëgimi kulturore. Kjo çarshi është shumë e rëndësishme dhe ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe regjionit më gjerë. E ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane në shek. XIV, ajo përbëhej nga katër pjesë kryesore (Çarshia e Madhe, Çarshia e Gjatë, Okoli dhe Çarshia e Shatërvanit).

Regjioni i Bjeshkëve të Rugovës i shtrirë në veriperëndim të qytetit të Pejës, me sipërfaqe 32.492 ha, paraqet një prej vendeve më të bukura në Kosovës, e cila gjatë vitit tërheq me mijëra turistë. Bukurinë këtij regjioni ia shton Gryka e Rugovës, e cila fillon 2 kilometra nga qendra e qytetit, e që ndahet në dy pjesë nga lumi Lumbardhi. Përpos që mund të qetësoheni me peizazhe që iu çlodhin nga përditshmëria, ky vend turistik ofron edhe shërbime dhe aktivitete të shumta sportive. Janë të shumta aktivitetet që zhvillohen në këtë regjion malor nga popullata vendase, si dhe nga vizitorët e shumtë që gjatë gjithë vitit e vizitojnë këtë rajon të bukur malor.

 

Ura pa lumë në Vushtrri

Vushtrria është qytet në pjesën veriore të Kosovës me një popullsi prej rreth 70 mijë banorësh. Një nga atraksionet kryesore të këtij qyteti është Ura e Vjetër e Gurit. Kjo urë gjendet në pjesën veriperëndimore të hyrjes së qytetit, e cila sipas hulumtimeve të fundit, llogaritet të jetë ndër urat më të vjetra të llojit të vet në Kosovë. Në lidhje me vjetërsinë e urës ka versione të ndryshme, por dominojnë mendimet sipas të cilave ajo është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane apo edhe më herët në kohën e Perandorisë Romake.

Në vetë qytetin e Vushtrrisë ajo njihet me emrin Ura e Vjetër e Gurit. Sot, Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri gjendet mbi shtratin e thatë të lumit Sitnicë, uji i të cilit, për shkak të përbërjes pedologjike të tokës, e ndërroi rrjedhën për afër një kilometër në perëndim. Nuk dihet saktësisht se kur lumi Sitnica ka ndërruar rrjedhën e tij dhe nuk kalon më nën Urën e Gurit, por dihet që ka së paku dy shekuj që kjo Urë e Gurit ka mbetur pa lumin e saj, dhe si e tillë bëhet rast i rrallë në botë, Ura pa lum.

 

Liqeni i Batllavës

Liqeni i Batllavës ndodhet në territorin e Komunës së Besianës, fare pranë fshatit Orllan. Liqeni i Batllavës padyshim se është një nga atraksionet turistike më të frekuentuara në Kosovë. Në fundjavë shihen grupe të rinjsh e familjarë që bëjnë piknik përreth liqenit, fëmijë që luajnë dhe të moshuar që ecin në qetësi nën plepa. Nuk mungojë as peshkatarët. Liqeni i Batllavës është i thellë 48 metra. Në këtë liqen është një central për nxjerrjen e ujit. Ai ka tri nivele (në fund, në mes dhe afër sipërfaqes së ujit).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of