Ekonomistët po e quajnë “Dorëheqja e Madhe”. Njerëzit po i lënë punët e tyre në shifra shumë të larta dhe nuk ka asnjë indikator se ky eksod masiv do të ngadalësohet në të ardhmen e afërt.
Termi u përmend për herë të parë nga Anthony Klotz, profesor i menaxhimit në Teksas, i cili në maj të vitit 2021 tha se një valë dorëheqjesh po afrohej, ndërsa njerëzit përtypnin mësimet nga izolimi dhe rimendonin se si duhet të dukej jeta normale. Pasi kanë punuar nga shtëpia për muaj të tërë, pa udhëtuar për në punë dhe me më shumë kohë për familjen, shumë njerëz kanë vendosur se është koha për një ndryshim.
Ky trend është më i theksuar në SHBA. E ashtuquajtura ‘shkalla e dorëheqjes’, një matës i dorëheqjeve vullnetare në muaj, u rrit në gusht në një maksimum historik prej 4.3 milionë njerëz, ose 2.9% e së gjithë fuqisë punëtore, sipas Byrosë së Statistikave të Punës të SHBA. Në industrinë e argëtimit dhe atë hoteliere, të cilat u goditën rëndë nga kufizimet e COVID-19, norma u rrit në një rekord prej 6.4%.
Në Mbretërinë e Bashkuar, gati një e katërta e punonjësve kanë në plan ta lënë punën e tyre brenda tre deri në gjashtë muajve të ardhshëm, sipas një sondazhi të fundit nga firma e rekrutimit Randstad. Për më tepër, pothuajse 70% e të anketuarve thanë se ishin të sigurt në mundësinë e ndryshimit të vendit të punës.
Pse kaq shumë njerëz po lënë punën e tyre?
Njerëzit po e lënë punën për një sërë arsyesh. Klotz i tha Bloomberg Businessweek se ka pasur “dorëheqje në pritje” që nuk u dhanë në ҫastet e këqija të shpërthimit të pandemisë, kur shumë njerëz ndiheshin të stresuar dhe të pasigurt.
Disa njerëz mund ta kenë marrë vendimin si rrjedhojë e përfitimeve bujare të marra nga qeveria gjatë pandemisë, ndërsa të tjerët ndoshta thjesht po kërkonin një pagë më të mirë.
Por duket se ka arsye më të thella pas këtij eksodi historik.
Shumë njerëz janë të rraskapitur dhe të konsumuar, pasi kanë punuar shumë për një kohë të gjatë në pandemi. Merrni si shembull bankierët e rinj. Oraret e zgjatura dhe rraskapitëse kanë qenë gjithmonë pjesë e punës, por kjo u intensifikua gjatë një viti e gjysmë që lamë pas, për shkak të përshpejtimit të ritmit të marrëveshjeve të reja. Shumë bankierë të nivelit fillestar vendosën se kaq mjaftonte.
Si përgjigje, bankat rritën pagat fillestare në mbi 100,000 dollarë, duke u përpjekur për të joshur dhe mbajtur talentet e reja. Por edhe kjo nuk ka qenë gjithmonë e mjaftueshme.
Një studim i fundit në Harvest Business Review zbuloi se dorëheqjet kanë qenë më të larta në industritë që patën një rritje të kërkesës gjatë pandemisë, ku në krye qëndrojnë teknologjia dhe kujdesi shëndetësor.
Rritja e shqetësimeve për shëndetin mendor
Trazirat e pandemisë shkaktuan pasoja të rënda për të gjithë. Në rastet kur punëdhënësit nuk ofruan mbështetje të mjaftueshme për punonjësit e tyre, këto kohë të vështira u bënë edhe më keq. Vetëm dy e treta e të anketuarve në një studim të fundit të porositur nga Modern Health thanë se punëdhënësit e tyre kishin treguar kujdes për mirëqenien e tyre mendore.
Ky perceptim i indiferencës ose mungesës së mbështetjes nga punëdhënësit po i shtyn disa punonjës që të kërkojnë punë diku tjetër. Një e treta e punonjësve – menaxherë dhe jo-menaxherë bashkë – thanë në sondazh se po merrnin në konsideratë ndryshimin e kompanisë për hir të shëndetit të tyre mendor.
Ashtu siҫ pritej, trajtimi i problematikave si lodhja apo stresi në punë, si dhe vuajtjet dhe humbjet njerëzore që shumë personave i është dashur të përballojnë, mbetet një nga sfidat kryesore për punëdhënësit që përpiqen të mbajnë punonjësit e tyre më të mirë, sipas McKinsey & Company.
Puna fleksibël duket se do të vazhdojë
Mënyra se si ne punojmë ka ndryshuar në mënyrë drastike që nga fillimi i pandemisë. Pas punës nga shtëpia prej disa muajsh, të çliruar nga shpenzimet dhe telashet e vajtjes në punë dhe me më shumë kohë në dispozicion për familjen dhe për angazhimet e tjera, shumë njerëz hezitojnë të kthehen në zyrë me kohë të plotë.
Më shumë se një e treta e të anketuarve në një studim të fundit të Beamery thanë se balanca e tyre punë-jetë kishte qenë më e mirë në kulmin e pandemisë dhe 42% duan që puna fleksibël të vazhdojë. Shumë kompani po përgjigjen duke pranuar oraret elastike si pjesë e normalitetit të ri.
Lëvizja e profesionistëve në mes të karrierës
Një sërë studimesh kanë treguar se shkalla e dorëheqjeve është rritur më shpejt për punonjësit në mes të karrierës, kryesuar nga ata me një kohëzgjatje prej pesë deri në dhjetë vitesh në një pozicion. Kjo mund të shpjegojë faktin që shumë punonjëse vonuan lëvizjen e tyre në vitin 2020 për shkak të pasigurisë së shtuar, si dhe të rritjes së ngarkesës të punës dhe lodhjes.
Edhe gratë po i lënë vendet e punës me ritme më të larta se burrat, një trend ky që i paraprin Dorëheqjes së Madhe, por përshpejtuar në vitin 2021, sipas Visier. /Patrick Henry, World Economic Forum