Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të monitorimit të sigurisë konsumatore, ka bërë me dije se është konstatuar një produkt i cili nuk përmbush standardet në treg dhe që është i dëmshëm.
“Njoftimi i kategorisë ALERT ndërkombëtar , në portalin RASFF (RAPID ALERT SYSTEM FOR FOOD AND FEED) me numër notifikimi 398975, për produktin “Pjatë prej porcelani për përdorim të përditshëm”, i cili pas kontrollit laboratorik të kryer nga ana e autoriteteve të ushqimit , Qipro, ka rezultuar se paraqet nivel të migrimit të plumbit mbi kufirin e lejuar, duke paraqitur risk serioz me ndikim në shëndetin e njeriut.”-thuhet në njoftimin e institucionit.
PËRSHKRIMI I PRODUKTIT:
Emri i produktit: Pjatë prej porcelani për përdorim të përditshëm
Emri i produktit në etiketë: Plate for Daily use-Porcelain
Numri i artikullit: DFB-075
Numri i LOT: 16HKF7
Pamja e jashtme e produktit: 19 cm Ø
Kategoria e produktit: MATERIAL NË KONTAKT ME USHQIMIN
Barkodi: 0470095000030
“Konsumatorët që kanë blerë këtë produkt nuk duhet ta përdorin pasi është i rrezikshëm dhe ta kthejnë pranë pikës së shitjes ku e kanë blerë. “-njofton më tej ISHMT.
Inspektoriati thekson se ka ndërmarrë një fushatë të rëndësishme në kuadër të garantimit të cilësisë dhe evidentimit e heqjes nga tregu të të gjithë produkteve pa standardin e duhur.
Sakaq, Inspektoriati njofton se kanë nisur bashkëpunimin me Doganat, me qëllimin për të identifikuar produktet jo në konformitet, me mbështetjen e projektit “Humelica”. Ky bashkëpunim ka për qëllim rritjen e efiçencës së bashkëpunimit midis dy institucioneve për të ndaluar vendosjen në treg të produkteve jo të sigurta, që nuk plotësojnë kriteret ligjore të detyrueshme sipas Legjislacionit në fuqi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.