Edhe pse zgjedhja e Donald Trump tronditi shumë gjëra, ne shqiptarët kemi se çfarë të mësojmë prej saj.
Së pari, edhe një i varfër mund të votojë një të pasur, ndonëse janë të skajshëm në çdo gjë. Donald Trump e mori fitoren nga votat e të varfërve, duke prishur klishenë politike se të majtën e votojnë shtresat e margjinalizuara. Megjithëse duket si një paradoks, e ka shpjegimin te problemi më i madh që kanë sot amerikanët, që është pabarazia sociale. Donald Trump premtoi punësim me çdo kusht, duke shprehur se do të hapte minierat e qymyrit, pa e çarë kokën për konventa mjedisore apo detyrimet globale të SHBA-së, do të prishte marrëveshjet tregtare e do të rishikonte aleancat.
Së dyti, vota në demokraci nuk mund të blihet, por të fitohet. Kundër Trump ishin gati të gjithë, edhe përfaqësuesit më të lartë të partisë së tij, edhe liderë të tjerë botërorë, edhe shumë amerikanë. Por Trump fitoi se amerikanët nuk e shesin votën për koniunkturë, e as se janë të varfër.
Së treti, zemrat e votuesve fitohen kur flet me gjuhën e tyre. Trump foli pa doreza, jo me gjuhë të drunjtë dhe diplomatike, por me gjuhën e rrugës që amerikanët e thjeshtë e përdorin dhe e kuptojnë. Ai edhe shau, e i thanë pa edukatë. Por për amerikanët kjo është një shfryrje mërzitjesh në gjuhën e tyre, ndaj e votuan se e kuptuan.
Së katërti, lista e premtimeve të Trump kishte të njëjtën renditje me atë të shumicës së amerikanëve. Ai diti ta lexojë këtë listë, ndaj edhe fitoi. Amerikanët, të lodhur nga politika e jashtme që prodhoi më shumë emigracion brenda vendit të tyre, më shumë viktima nga terrorizimi dhe lufta pa fund, nuk iu interesonte më se çfarë të tjerët presin nga Amerika, po se çfarë Amerika do të bënte për qytetarët e saj. Ata prej vitesh janë ushqyer me idenë e kombit të madh, që ka të drejtë të bëjë gjithçka e s’mund ta përtypnin përuljen ndaj Rusisë apo Kinës. Trump u dha atyre idenë se këto gjëra duan dorë të hekurt dhe jo marrëveshje për mirëkuptim që s’kanë përgjigje.
Së pesti, popujt nuk votojnë për sisteme elitash por sisteme që japin shanse. Trump arriti të zgjojë dhe të marrë votën gri për të çmontuar establishmentet politike që me Clinton rrezikoheshin të ricikloheshin.
Së gjashti, korrupsioni. Në SHBA, Trump e bëri teh të fushatës këtë çështje sepse amerikanët kishin parë që krizat dhe konfliktet ishin pjellë e disa interesave të ngushta që korruptonin elita në emër të pushtetit. Trump është biznesmeni që ka falimentuar shtatë herë dhe po kaq herë është kthyer në miliarder. Është e frikshme që një personazh të tillë ta çosh në Shtëpinë e Bardhë, por ama ai amerikanët i ka bindur se di të ringrihet duke iu premtuar pikërisht ringritjen, atë për të cilën kishin nevojë.
Së shtati, konsekuenca. Megjithëse qëndrimet e Trump u cilësuan të rrezikshme edhe nga stafi i tij i ngushtë, ai i qëndroi besnik vetvetes. Dhe vendin e panikut të votuesit e zuri siguria se ai do t’i bëjë gjërat që premton.
Së fundmi, amerikanët nuk janë imun. Prej kohësh, rendi botëror po vuan nga pasiguria e krizës financiare të disa viteve më parë dhe konfliktet ushtarake të hapura që po zgjasin pa zgjidhje dhe shumë viktima. Në Europë, kjo situatë solli ripërtëritjen e krahut të djathtë ekstrem, ndërsa Britania e lënduar në sovranitetin e saj nga BE, i tha po Brexit, duke demonstruar hapur se është e pakënaqur se si po qeveriset rendi botëror.
Donald Trump duket se është produkti më i spikatur që mund të nxjerrë në breg rrjedhja e këtyre ngjarjeve. Por, ndikimi amerikan, si efekt zinxhir do të jetë më i madh. Bota ka nevojë për një rend të ri, me ekuilibra të rinj dhe Trump do të shtyjë që kjo gjë të bëhet nga nevoja e pjesës tjetër të botës për kundërveprim.
Ne shqiptarët i kemi shumë herë më të mëdha problemet sesa amerikanët. Pabarazi ekstreme, varfëria e tejskajshme dhe në masë të madhe, përqendrim i pasurisë në një grup të vogël, riciklimi i elitave pa ide dhe shumë korrupsion.
Por pse Amerika shumë më pak e motivuar se ne për të bërë këtë gjë, gjeti fuqinë për të reaguar, ndërsa ne jo.
Mësimi unik që vjen gjithnjë prej demokracisë amerikane është se një shtet i së drejtës është një shtet i shanseve të barabarta. Edhe për Trump. Dhe zgjidhja e problemeve fillon këtu, kur njerëzit nuk mund t’i përjashtosh, në të kundërt do të dënohesh. Amerikanët kur votuan për Trump, votuan për zgjedhjet e tyre, edhe ne shqiptarët duhet të dimë të votojmë për veten dhe jo për të tjerët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.