Château Frontenac, hoteli më i fotografuar në botë

20/05/2019 3:49 PM 0 komente

Simbol i Quebec City, mjaft i dashur nga njerëzit e famshëm dhe nga politikanët në të shkuarën, ky hotel-kështjellë, unik në llojin e vet, ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness

 

I projektuar nga arkitekti amerikan Bruce Price, Château Frontenac është një simbol i Quebec City. Është monument kombëtar dhe hoteli më i fotografuar në botë.

Sipas Librit të Rekordeve Guinness, Château Frontenac është hoteli që mban rekordin e fotografive. Dhe është vërtet mbresëlënës, elegant dhe madhështor. Château Frontenac është simbol i historisë dhe arkitekturës së Quebec City, me kulla dhe kullëza që dominojnë nga lart Cap Diamant (një “kodër” 54 metra e lartë).

Château Frontenac është një ndërthurje mes së shkuarës dhe së tashmes, me suita që mbajnë emrat e vizitorëve të tij më në zë: suita Trudeau, e cila mban emrin e dy kryeministrave kanadezë; suita Churchill, në nder të Winston Churchill, i cili qëndroi këtu gjatë dy takimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore; suita Roosevelt, De Gaulle, Elizabeth II në nder të Mbretëreshës së Anglisë.

Château Frontenac i cilësuar “Historic National Site” në vitin 1980 dhe Pasuri e Trashëgimisë së UNESCO-s, është pjesë e një zinxhiri hotelesh që u ngjajnë kështjellave, të ndërtuar në shekullin XIX për Canadian Pacific Railway. Hoteli u përurua në vitin 1893 ndërsa në vitin 1924 u ndërtua kulla qendrore. Për Quebec City, Château Frontenac ka qenë gjithnjë një simbol.

Château Frontenac me 18 kate dhe 600 dhoma ka mirëpritur gjithnjë personalitete të shquar si Princesha Grace e Monakos dhe njerëz të famshëm si Paul McCartney, Leonardo DiCaprio dhe Angelina Jolie. Por nëse nuk mund ta përballoni qëndrimin tuaj aty, ju gjithsesi mund ta vizitoni atë me guidë, – do të jetë një udhëtim në histori, në hotelin më të fotografuar në botë.

Por nëse mund ta përballoni qëndrimin në këtë hotel luksoz, një nga suitat më luksoze është Fairmont Gold, në katin e 14, me një pamje të mrekullueshme mbi qytetin e vjetër të Quebec City.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of