Check up merr 8.5 milionë euro për kontrolle të pakryera

29/02/2020 12:10 PM 0 komente

I ashtuquajturi koncesion i check-up, është një kontratë e partneritetit publik-privat dhe ka si qëllim kontrollin mjekësor bazë që është një program kombëtar, i cili synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundjet më të përhapura, me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore.
Kjo kontratë ka filluar të zbatohet në datë 31.03.2015. Shoqëria koncesionare ka marrë përsipër të ndërtojë, pajisë me aparaturat mjekësore të nevojshme, operojë dhe menaxhojë 20 laboratorë.

Për këtë kontratë, partneriteti publik privat në nivel vjetor janë parashikuar 475 000 përfitues të shërbimit, pra 39 583 raste në muaj, për të cilat kompania koncesionare i merr pagesat, pavarësisht nga fakti nëse ato realizohen apo jo. Por, numri real i kontrolleve të kryera për periudhën 2015-2018 ka qenë shumë më i ulët, përkatësisht 244 420 në vitin 2015; 329 555 në 2016; 316 601 në 2017 dhe 2018 në 428 891 (shih tabelën më poshtë). Në total, për këto 4 vjet, diferenca mes kontrolleve të paguara dhe atyre të realizuara rezulton 580 533.

Koncesionari paguhet çdo vit 876 milionë lekë, ose 1 844 lekë për çdo kontroll të planifikuar. Si rrjedhojë, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, rezulton se koncesionari ka marrë rreth 1.1 miliardë lekë (8.5 milionë euro) në periudhën 2015-2018 për kontrollet që realisht nuk i ka kryer! Edhe në rastin e këtij koncesioni, Ministria e Financave pranon se risku financiar është marrë përsipër nga shteti.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of