Prej më se 20 vjetësh në treg, Voyager është bërë një emblemë e këtij sektori dhe ka arritur të shitet në mbi 9 milionë ekzemplarë në të gjithë botën. Ky është brezi i katërt i monovolumes amerikane, e cila ndodhet në treg prej vitit 2001.Ka vetëm një mënyrë për tënjohur vlerat e Voyager: të bësh sa më shumë rrugë. Vetëm kështu, kilometër pas kilometri, arrin të çmosh komoditetin dhe ekonominë e motorit 2.5 turbodiesel. Pas një dite udhëtimi dhe qindra kilometrave të lëna pas, zbulon se serbatori është zbrazur vetëm përgjysmë. Është e vërtetë që me një kapacitet prej 75 litrash, autonomia do të jetë e gjatë por, duhet kuptuar që Voyager konsumon me të vërtetë shumë pak. E tëra për meritë të motorit 2.5 litra me injeksion direkt common rail, i aftë të zhvillojë një fuqi prej 104 kW(141 kf). Mund të thuhet se është më shumë se sa duhet. Në fakt, me shkeljen e fortë të gazit, kur i afrohet kuotës së 2000 rrotullimeve, veprimi i turbinës bën që fuqia të zhvillohet në mënyrë të menjëhershme. Me kalimin e kësaj kuote shtytja mbetet kostante deri kur afrohet tek zona e kuqe. Rritja e fuqisë me 25 kuaj kundrejt versionit paraardhës, ka bërë që Voyager të fitojë një temperament të panjohur më parë. Kutia e shpejtësisë me pesë marshe, me korsë të shkurtër dhe hyrje shumë të sakta, përshtatet mjaft mirë me karakteristikat e motorit. Akselerimi është i shkëlqyer (pavarësisht se ka një peshë mbi 2000 kg) dhe shpejtësia maksimale arrin deri në 180 km/orë. Dhe të tëra këto, pa dëmtuar fare konsumin. Me Voyager mund të mbahet një mesatare autostradale e lartë dhe të përshkohen më shumë se 10-11 kilometra me një litër. Edhe impianti i frenimit është përmirësuar kundrejt modelit të shkuar dhe tani, përveç sistemit ABS, ka edhe shpërndarësin elektronik të forcës frenuese tek të dy akset. Kjo ka eliminuar bllokimin e rrotave të pasme dhe në përgjithësi, sjelljen e makinës në frenim. Sidoqoftë, konforti në ecje është pika e fortë e monovolumes amerikane. Hapësira është e bollshme për gjashtë por, edhe shtatë rrijnë mirë. Katër vendet e parë kanë poltrona të veçanta dhe komode, ndërsa tre të fundit janë më të sakrifikuar. Pasagjerët e pasëm e ndjejnë më shumë veprimin e skemës së suspensioneve të pasme me balestra dhe urë të ngurtë. Është skemë e thjeshtë dhe amerikanët nuk heqin dorë kollaj, megjithatë, është e realizuar shumë mirë dhe ndryshimi me sustat është minimal. Kabina është e izoluar mirë nga zhurmat dhe për këtë projektuesit kanë punuar mirë, sidomos tek guarnicionet, pikat e fiksimit të suspensioneve dhe ato ku mbështetet motori. Përveç këtyre janë përdorur dhe materiale të rinj fonoabsorbues në zona të ndryshme të karrocerisë. Brenda Voyager mund të bisedohet pa ngritur zërin dhe të dëgjohet muzika e impiantit me 10 altoparlantë. Në shpejtësi të lartë, shufrat e ngarkesës mbi tavan bëjnë të lindin disa fëshfëritje por, megjithatë, nuk arrijnë nivel shqetësues. Cilësia e ajrit është e garantuar nga impianti i fuqishëm i klimatizimit. I tipit gjysmëautomatik, arrin shpejt në regjimin optimal dhe mund të komandohet si nga shoferi, ashtu dhe nga pasagjeri. Reth poltronave janë krijuar xhepa të shumtë për vendosje të sendeve dhe gotave. Secila ndenjëse është e pajisur me bërrylmbështetëse të regullueshme, ndërsa dy të parat i kanë me komandim elektrik. Por e reja e vërtetë që solli ky model Voyager, është hapja dhe mbyllja e dyerve anësore me telekomandë. Kjo mund të bëhet si nga jashtë, ashtu dhe nga brenda, ndërsa disa sensorë janë në gjendje të dallojnë pengesat e mundshme dhe ta bëjnë të kthehet në pozicionin fillestar. Siguria e pasagjerëve është një aspekt të cilit projektuesit i kanë kushtuar vëmendjen e duhur. Voyager është e pajisur me airbag anësorë për brinjët dhe për kokën e shoferit dhe të pasagjerit. Për të shmangur ndënjë dëmtim të mundshëm gjetë shpërthimit, fryrja e tyre bëhet në dy kohë. Kujdes është kushtuar dhe fëmijëve: radha e dytë dhe e tretë e ndenjëseve janë të pajisura me sistemin LATCH i cili, lejon që ndenjësja e fëmijëve të montohet drejt për së drejti në dysheme dhe jo nëpërmjet rripave të sigurimit.Në gamën e sotme të Voyager, përveç motorit turbodiesel 2.5 (prodhuar nga ndërmarja italiane VM, pjestare e grupit Daimler-Chrysler), janë dhe motorët e benzinës 2.4 (106 kW) dhe 3.3 (105 kW). Së shpejti mbërrin dhe motori 2.8 turbodiesel.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.