Brazili, eksportues i madh futbollistësh, ka thyer rekordin sipas CIES Football Observatory, me 1.289 lojtarë që ushtrojnë profesionin e tyre jashtë vendit.
Renditja e CIES përkufizon emigrantë (të huaj) futbollistët që luajnë jashtë Federatës ku janë rritur, prej së cilës janë larguar pas rekrutimit nga një klub i huaj.
Kjo i dallon nga futbollistët që për arsye të tjera janë transferuar në një vend, por më pas u rekrutuan nga klube të atij vendi.
Klasifikimi merr në konsideratë të dhënat që lidhen me 100 Federata kombëtare, me numrin më të madh të lojtarëve të huaj në 135 kampionate në të gjithë botën.
CIES e ka nisur monitorimin e migrimit të lojtarëve në vitin 2017, por të dhënat e vitit 2023 tregojnë një lëvizje më të madhe se çdo vit tjetër. Pas Brazilit në klasifikim renditen Franca (me 1.033 lojtarë) dhe Argjentina (905).
Nigeria është vendi afrikan me numrin më të madh të futbollistëve që luajnë jashtë vendit (385), ndërkohë që Japonia (169) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (162) udhëheqin klasifikimin e futbollistëve jashtë konfederatave AFC dhe Concacaf.
CIES vëren se shpërndarja është e ndryshme nëse shihet “numri i emigrantëve sipas grupmoshës”, me francezët në vendin e parë për lojtarët më pak se 23 vjeç; brazilianët për futbollistët e moshës 23 – 26 vjeç dhe 27 – 30 vjeç, dhe argjentinasit, për futbollistët mbi 30 vjeç.
Anglia renditet e katërta, me 535 futbollistë.
Katër nga pesë vendet e mëdha europiane (Big 5) janë ndër 20 eksportuesit e parë të talenteve – Franca, Anglia, Spanja dhe Gjermania. Italianët duket se nuk udhëtojnë aq shumë dhe renditen të 30-t.
Pavarësisht të gjitha pakënaqësive për “vjedhjen” e lojtarëve të tyre kryesorë nga strukturat kombëtare të futbollit, vetëm katër vende afrikane hyjnë në “top 20”, kurse Nigeria është e vetmja që renditet në mesin e dhjetë vendeve të parë.
Në këtë klasifikim, Shqipëria ka 57 futbollistë që luajnë jashtë vendit – 14 futbollistë janë më pak se 23 vjeç; 24 lojtarë janë të moshës 23 – 26 vjeç, 11 lojtarë, të moshës 27 – 30 vjeç, dhe 8 futbollistë, mbi 30 vjeç.
Ndërsa Kosova ka 41 futbollistë – 12 më pak se 23 vjeç, 17 lojtarë të moshës 23 – 26 vjeç, 8 futbollistë të moshës 27 – 30 vjeç dhe 4 lojtarë mbi 30 vjeç.
/ Inside World Football & CIES