Është shumë e vështirë që të nxirren në shesh sekretet në qytetin e varfër të Librazhdit, sidomos kur janë në lojë vendet e punës.
Por aktiviteti kontrovers i një fabrike cigaresh në periferi të qytetit me 50 të punësuar, duket se ka kaluar pa u vënë re që nga koha kur ajo filloi të prodhojë pa bujë miliona cigare në pako që bartin profilin e sundueses së fundit Ptolemeike të Egjiptit, Kleopatra.
Kleopatra është marka më e njohur e cigareve në Egjipt dhe një nga më të shiturit në botë.
Dokumentet e gjykatës në Shqipëri, raportet e rrjedhura të doganave britanike, kontratat dhe intervistat me drejtuesit e fabrikës, zbulojnë se që nga viti 2014 rreth 22 milionë paketa cigare janë prodhuar çdo vit në fabrikën Albania Tabak në Librazhd, përpara se të dërgohen në Libi.
Sipas pronarit të markës Cleopatra – ‘Eastern Company’ me seli në Giza, cigaret që eksportohen në Libi shpesh kontrabandohen nëpërmjet kufirit të gjelbër në Egjipt, ku një pako me 20 cigare shitet në treg për 1 USD.
Autoritetet doganore britanike e kanë gjurmuar prodhimin në Librazhd duke e shënuar atë si të falsifikuar. Paralajmërimet e tyre nxitën një hetim penal në Shqipëri në vitin 2015, i cili e ndali prodhimin për një vit. Hetimi më pas u pezullua pasi prokurorët prisnin informacione nga juridiksionet e huaja.
Sipas një kontratë të siguruar nga BIRN, e lehtësuar nga telashet ligjore fabrika nënshkroi një marrëveshje në 2017 me firmën Eques Holding Group – me seli në Ishujt Virgjin Britanik, për të prodhuar deri në 175 milionë paketa në vit,
Prokurorët shqiptarë deklaruan se e kanë rihapur rastin në vitin 2017. Të pashqetësuar, personat që po udhëheqin aferën po kërkojnë të zgjerohen.
Ata përfshijnë figura nga Ballkani, Lindja e Mesme dhe Qipro, disa nga të cilët kanë qenë të lidhur me raste të mëhershme të kontrabandës, dhe disa të tjerë përfshirja e të cilëve në këtë operacion ka qenë e fshehur përmes strukturave ‘offshore’ të cilat i kanë gjetur nga gazetarët e Rrjetit Ballkanik për Investigative, BIRN, dhe të Gazetarëve Arabë për Gazetari Investigative, ARIJ.
Në mesin e atyre që përfitojnë nga biznesi që po lulëzon me cigaret Kleopatra gjithashtu është edhe gruaja e një figure të fuqishme politike në Shqipëri nga Partia Socialiste në pushtet, edhe pse ajo insiston që nuk ishte në dijeni për dyshimet për kontrabandë.
Krimi i organizuar dhe sundimi i ligjit janë çështje madhore me të cilën po përballet Shqipëria ndërsa ajo tenton të bëjë progres në rrugën e vet drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi i është bashkuar NATO-s në vitin 2009.
Menaxheri i fabrikës në Librazhd, Servet Dauti, tha se ajo punon tërësisht në harmoni me ligjin shqiptar dhe se çfarë ndodhi me cigaret pasi ato u larguan nga Shqipëria nuk është problem i tij.
“Nga momenti kur prodhimi del nga Shqipëria, ne nuk kemi përgjegjësi ose obligim të dimë se çfarë ndodh me të”, tha ai.
‘Eques Holding Group’ refuzoi të komentojë për gjetjet e këtij investigimi.
Made In Librazhd
Të prodhuara më shumë se një mijë kilometra larg nga vendi i faraonëve, paketat e dyshuara si të falsifikuara megjithatë mbajnë profilin e njohur të Mbretëreshës Kleopatra, dashnores së Jul Cezarit, dhe bartin mbishkrimin në gjuhën arabe ‘Made in Egypt by Eastern Company S.A.E.’ Paket janë të mbuluara me paralajmërime shëndetësore të autoriteteve Egjiptiane.
Eastern Company S.A.E. e krijoi markën Kleopatra për Presidentin Egjiptian Gamal Abdel Nasser në vitet 1960, si një version vendas i markës të kontrabanduar amerikane Kent, të cilën ai pëlqente ta konsumonte. Kjo markë është prodhuar që nga atëherë, kryesisht për konsum vendor.
Taksat në rritje të cigareve që nga vitet 2010 e këtej krijuan një treg të zi të lulëzuar për produktin; mungesa e ligjit në Libinë fqinje – që nga rrëzimi i diktatorit Muammar Gadaffi në vitin 2011, e ka kthyer vendin në një parajsë të kontrabandës.
Cigaret “e falsifikuara” nga Shqipëria – siç janë të përshkruhen nga doganat britanike në një letër të majit 2015 drejtuar doganave të Egjiptit dhe të cilën e ka siguruar BIRN/ARIJ, janë të prodhuara për ‘Eques Holding Group,’ një kompani nga në pronësi të një biznesmeni iraken 38 vjeçar të quajtur Faris Al-Rifai.
Eques Holding Group ka një licencë për përdorim e markës Kleopatra në Bashkimin Europian dhe Shqipëri, të fituar nga një tjetër firmë nga Ishujt Virgjin Britanik, Worldwide Spirit Supply.
Eastern Company nuk ka qenë e suksesshme në rrëzimin e këtyre markave tregtare, pasi nuk ka qenë në gjendje të dëshmojë se e kishte përdorur markën së fundmi në këto shtete.
Por markat tregtare kanë vlerë në baza strikte gjeografike, dhe kompania ‘Worldwide’ nuk e mbulon Libinë ose Egjiptin, aty ku Eastern Company e ka të regjistruar markën e tyre.
Megjithatë, një hulumtim i BIRN/ARIJ ka zbuluar se Kleopatra e prodhuar në Shqipëri është eksportuar përmes portit të Durrësit në Libi edhe te një firmë e quajtur Al Zain International Company. Kërkesat për koment drejtuar kompanisë nuk morën përgjigje.
Një raport i brendshëm nga Eastern Company, i siguruar nga BIRN/ARIJ, përshkruan se si cigaret Kleopatra që arrinin në Libi nga shtetet si Vietnami dhe Mali i Zi, kontrabandoheshin në Egjipt ku mund të shiteshin krahas paketave origjinale, që kushton më pak se 1 dollar.
Edhe pse nuk ka prova të drejtpërdrejtë që Kleopatra-t e prodhuara në Shqipëri kanë gjetur rrugën drejt Egjiptit, zyrtarët kanë raportuar konfiskime të rregullta të markës në shtetin e Afrikës së Veriut gjatë viteve të fundit. Të ardhurat për Eastern Company dhe qeverinë e Egjiptit gjithashtu janë goditur rëndë nga cigaret e falsifikuara.
Cigaret e prodhuara në Shqipëri gjithashtu pretendojnë se prodhohen nga ‘Eastern Company S.A.E.’, dhe kjo e drejtë ishte dhënë nga një kompani me emër të njëjtë por me seli në Ishjut Virgjin Britanik dhe me adresë të njëjtë me Eques Holding Group. Nuk ka një lidhje të dukshme me Eastern Company-n origjinale që e ka selinë në Giza – shtëpi e piramidave të Gizës në jugperëndim të Kajros.
Letra që konfirmon të drejtat e prodhimit ishte lëshuar disa muaj përpara se prokurorët shqiptarë të hapin një hetim ndaj operacioneve të fabrikës, të nxitur nga doganat britanike, HRMC.
Hetimi penal rreth “shkeljes së të drejtës së pronësisë industriale”, “pastrimi i të ardhurave nga veprat penale ose aktiviteti kriminal” dhe “prodhim ilegal i artikujve/mallrave industriale apo ushqimore” u hap në fillim të vitit 2015.
Sipas raporteve të lajmeve nga ajo kohë, 9 milionë cigare të falsifikuara ishin kapur në një bastisje në fabrikë por artikujt nuk e përmendnin markën – Kleopatra – edhe pse ato dukeshin mjaft mirë nga fotografitë e bëra publike.
Pas bastisjes, rasti ishte pezulluar ndërkohë që prokurorët prisnin përgjigje nga juridiksione të ndryshme të huaja, përfshirë edhe Ishujt Virgjin Britanik dhe Egjipti.
Sipas një raporti të Eastern Company, pezullimi i dha mundësi Albania Tabak-ut që ta rifillojë prodhimin, megjithë kontaktet ndërmjet doganës së Shqipërisë dhe ambasadorit të Egjiptit në Tiranë, dhe sipas letrave zyrtare të siguruara nga BIRN/ARIJ shqetësimeve të doganës britanike dhe monitorimit të saj të vazhdueshëm. Britania është një nga tregjet më të mëdha në Europë për cigaret e falsifikuara dhe të kontrabanduara.
Në korrespondencë me doganat e Egjiptit pak kohë pas bastisjes në maj të vitit 2015, HMRC përshkroi se si një punonjës në Sofje por me përgjegjësi në Shqipëri, “ka qenë i suksesshëm së fundmi në mbylljen e një fabrike të prodhimit të cigareve që prodhonte markën e falsifikuar të Kleopatra-s”.
“Qëllimi i HMRC është që ta çrrënjosë prodhimin e falsifikuar të markës Kleopatra me ndihmën e Eastern Company, bartësin e licencës legjitime të markës”, thuhej në letër.
Deri tani, as Albania Tabak, as Eques Holding Group dhe Worldwide Spirit apo ndonjë punonjës i këtyre firmave nuk janë është për ndonjë krim.
/ MARRE NGA REPORTER.AL
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.