Mbi 500 milionë turistë vizitojnë Europën çdo vit, por në cilin nga 44 vendet e saj zgjedh që të shkojë shumica e tyre?
GlobalData, një kompani konsulence dhe e përpunimit të të dhënave, ka bërë disa analiza për të zbuluar se cili është vendi më i vizituar në Europë.
Franca ka qenë shpeshherë e renditur e para përgjatë viteve, dhe tani ajo është gjithashtu e vendosur për të rifituar titullin e saj si vendi më i vizituar në botë.
Cili është shteti më i vizituar në botë?
Përpara pandemisë COVID, Franca ishte vendi më i vizituar në botë, duke tërhequr plot 88.1 milionë vizitorë në vitin 2019, sipas GlobalData.
Spanja mori vendin e parë në vitin 2021, por Franca është drejt rrugës për t’ia kaluar përsëri Spanjës, pasi ka pritur plot 66.6 milionë vizitorë të huaj në vitin 2022.
“Përkrah Italisë dhe Spanjës, Franca përfaqëson një segment të rëndësishëm të rritjes në Europën Perëndimore”, thotë Hannah Free, analiste e udhëtimeve dhe e turizmit në GlobalData.
“Ky vend nuk është popullor vetëm tek udhëtarët nga vetë Europa – veçanërisht ata nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Belgjika – por është gjithashtu shumë i njohur edhe për vizitorët nga vende më të largëta, duke përfshirë Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.”
GlobalData raporton se numri i turistëve ndërkombëtare në Francë pritet të rritet me një normë vjetore prej 12.1 për qind midis vitit 2022 dhe 2025.
Kompania ka parashikuar që Franca do të tërheqë rreth 93.7 milionë udhëtarë të huaj në vit deri në vitin 2025, duke përforcuar kështu titullin e saj si vendi më i vizituar në botë.
Pse Franca është një destinacion kaq popullor turistik?
Një nga arsyet pse Franca mbetet një vend kaq i vizituar është transporti i saj, sipas GlobalData.
Udhëtimi midis qyteteve të mëdha është relativisht i lehtë, pasi çdo qytet është i lidhur nëpërmjet trenave të shpejtësisë të lartë.
Franca është gjithashtu e lidhur me vendet e tjera europiane, nëpërmjet trenave të distancave të largëta.
Trenat e rinj të fjetjes që do të fillojnë të përdoren këtë vit, do të mund të dërgojnë pasagjerët nga Parisi në Vjenë, Berlin dhe Milano, ndërsa në vitin 2024, kryeqyteti do të lidhet edhe me Barcelonën.
Cili është vendi i dytë më popullor në botë për t’u vizituar?
Spanja renditet shumë afër Francës në listën e vendeve më të vizituara në botë.
Megjithëse të gjitha vendet patën një rënie të numrit të vizitorëve përgjatë pandemisë COVID-19, Spanja arriti të mposhtë Francën duke marrë vendin e parë pasi priti 26.3 milionë vizitorë.
Ajo do të ndjekë Francën duke tërhequr gjithnjë e më shumë turistë në vitet e ardhshme.
Deri në vitin 2025, Spanja pritet të tërheqë 89.5 milionë vizitorë të huaj, sipas GlobalData.
“Numri i vizitorëve në Francë dhe në Spanjë do të mbetet i lartë në vitet në vijim, me festivalet, kulturën dhe gastronominë e famshme, të cilat përbëjnë një atraksion të madh për të gjithë turistët,” thotë Free.
“Të dyja vendet kanë shumë për t’u ofruar vizitorëve, me kulturat, kuzhinën dhe atmosferën e tyre unike. Të dyja vendet kanë gjithashtu përmasa të mëdha, me peizazhe të larmishme dhe të bukura, dhe secili prej tyre ka vijën e tij unike bregdetare.” / Euronews