Gëzuar Ditën Botërore të Librit! Tema e Ditës Botërore të Librit 2023 është “Gjuhët indigjene”. Kjo temë thekson trashëgiminë e pasur kulturore dhe rëndësinë e gjuhëve indigjene në letërsi dhe tregime.
Dita Botërore e Librit, e njohur edhe si Dita Botërore e Librit dhe së Drejtës së Autorit, festohet çdo vit më 23 Prill.
Është një ditë kushtuar promovimit të përfitimeve të leximit, të shkruarit, përkthimit, publikimit dhe mbrojtjes së të drejtës së autorit.
Dita Botërore e Librit u shpall nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) në vitin 1995 për të promovuar leximin, publikimin dhe mbrojtjen e së drejtës së autorit në botë.
Dita Botërore e Librit 2023, Historia
Ideja origjinale e Ditës Botërore të Librit u hodh nga Vicente Clavel, drejtues i shtëpisë botuese “Cervantes” në Barcelonë, në vitin 1922.
Clavel dëshironte të nderonte autorin e famshëm Miguel de Servantes dhe të rriste shitjet e librave.
Ajo u festua për herë të parë më 7 tetor 1926, data e lindjes së Servantes, para se të zhvendosej më 23 prill, data e vdekjes së tij, në vitin 1930.
Kjo traditë vijon të jetë shumë e famshme në Katalonja, ku njihet si Dita e Shën Gjergjit apo Dita e Librave dhe Trëndafilave.
Në vitin 1995, UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën përcaktoi 23 Prillin si datën zyrtare të Ditës Botërore të Librit dhe së Drejtës së Autorit.
Kjo datë shënon edhe përvjetorin e vdekjes së Uilliam Shekspir dhe Inca Garcilaso de la Vega, si dhe lindjen apo vdekjen e autorëve të tjerë të rëndësishëm.
Qëllimi i Ditës Botërore të Librit dhe së Drejtës së Autorit është t’u japë vlerë librave, të promovojë leximin dhe të theksojë rëndësinë e mbrojtjes së të drejtës së autorit për autorët dhe editorët në gjithë botën.
Dita Botërore e Librit 2023 – Tema
Tema e Ditës Botërore të Librit 2023 është “Gjuhët indigjene”. Kjo temë thekson trashëgiminë e pasur kulturore dhe rëndësinë e gjuhëve indigjene në letërsi dhe tregime.
Ajo nënvizon nevojën për të ruajtur dhe për të promovuar gjuhët indigjene që shpesh janë në rrezik apo rrezikohen të humbasin, pasi kanë dije të rëndësishme, mençuri dhe perspektiva unike.
Cilat vende europiane shpenzojnë më shumë për libra?
BE gjurmon se sa shpenzojnë europianët për letërsinë. Në vitin 2021, mesatarisht, një qytetar i BE-së shpenzoi rreth 1.1% të të ardhurave në gazeta, libra dhe artikuj kancelarie.
Por cili është vendi i BE-së që shpenzon më shumë për libra?
Është Sllovakia, dhe me diferencë. Sllovakët shpenzojnë mesatarisht 1.9% të të ardhurave vjetore për gazeta, libra apo artikuj kancelarie.
Sllovakia mbetet në krye të klasifikimit në pesë vitet e fundit dhe në të vërtetë ka rënë lehtë nga një nivel i lartë prej 2.1%.
Duke zbritur nga 1.9% në 1.2%, vendet europiane që kanë shpenzuar më shumë për libra janë Kroacia, Gjermania, Estonia, Letonia dhe Islanda.
Cili vend renditet i fundit?
Në pozicionin e palakmueshëm, vendi me shpenzimet më të ulëta për frymë për letërsinë, është Qiproja, me vetëm 0.4%.
Megjithatë, Greqia, Rumania, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia, nuk janë shumë larg, pasi të gjitha shpenzuan 0.5% në vitin 2021.
Humbësi i vërtetë në listë nuk ka paraqitur as shifra në BE, që nga viti 2019. Maqedonia e Veriut i deklaroi shpenzimet e saj për herë të fundit, tre vite më parë. Në atë kohë, vlera ishte mjerisht vetëm 0.1% e të ardhurave për frymë.
Cili shtet i kushton më shumë kohë leximit?
Një gjë është të shpenzosh para për letërsinë. Por, siç thotë shprehja e vjetër “kohë = para”, vlera e vërtetë në jetë është koha jonë.
Pra, cilat janë vendet që më shumë se të gjithë ulen dhe i kushtojnë kohë leximit?
Shifrat për këtë pyetje, në të gjithë Europën, janë pak më të vjetra, pasi Anketat e Harmonizuara Europiane të
Përdorimit të Kohës (Harmonised European Time Use Surveys), zhvillohen vetëm një herë në dekadë, dhe shifrat e vitit 2020 ende nuk janë publikuar.
Megjithatë, zotërojmë të dhëna që lidhen me sondazhet e kryera midis 2008 dhe 2015 në 18 vende europiane.
Në krye të listës për kohën që i kushtohet leximit në ditë është Estonia. Njerëzit nga 20 deri në 74 vjeç, kalojnë rreth 13 minuta në ditë duke lexuar. Kohën e mbi 10 minutave që ia kushtojnë leximit në ditë e kalojnë edhe Finlanda, Polonia dhe Hungaria.
Në fund të klasifikimit renditej Franca, e cila i kushton vetëm dy minuta në ditë leximit. Në një nivel të ngjashëm ishin Rumania, Austria dhe Italia, që shpenzojnë pesë minuta në ditë, duke lexuar.
Rezultate të ngjashme shfaqen edhe për popullatat të cilat e konsiderojnë leximin si një aktivitet të cilit duhet t’i kushtojnë kohë: 16.8% e finlandezëve e cilësojnë leximin një “aktivitet i rëndësishëm”, ndjekur nga Polonia, Estonia, Greqia dhe Luksemburgu.
Sërish, francezët janë në disavantazh, sa u përket lexuesve.
Pavarësisht se janë kombi, që i kanë dhënë botës Volterin, Hygonë, Prustin dhe së fundmi, fituesen e çmimit Nobel këtë vit, Annie Ernaux, vetëm 2.6% e francezëve e konsiderojnë leximin një aktivitet të rëndësishëm në jetën e tyre.
/ Euronews