Indeksi i kapitalizmit “me mik” në vitin 2023. Lufta, problemet e teknologjisë dhe pengesat kanë goditur disa plutokratë, shkruan The Economist
Gjatë 20 viteve të fundit, kryeqyteti i Britanisë ishte aq mikpritës për oligarkët, sa që u bë i njohur si “Londongrad”.
Shumë oligarkë blenë vila nga Highgate në Hyde Park; disa blenë aksione në klube futbolli.
Pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit të kaluar, 48 oligarkë u përballën me sanksione nga Perëndimi.
Pasuria e pamasë e shumë prej bashkëpunëtorëve të Vladimir Putinit, nxjerr në pah problemin e kapitalizmit “me mik” dhe pse duhen bërë më shumë përpjekje për ta luftuar atë.
Rritet pasuria e kapitalistëve
Sipas të dhënave më të fundit të indeksit të kapitalizmit “me mik” të “The Economist”, që së pari ka vlerësuar se sa kanë fituar plutokratët pothuajse një dekadë më parë nga industritë që kërkojnë qira ekonomike, pasuria e kapitalistëve të tillë, është rritur nga 315 miliardë dollarë, ose 1% e PBB-së globale, 25 vite më parë, në 3 trilionë dollarë ose gati 3% e PBB-së globale tani (shih grafikun 1).
Rreth 65% e rritjes ka ardhur nga Amerika, Kina, India dhe Rusia. Në përgjithësi, 40% e pasurisë së kapitalizmit “me mik”, rrjedh nga vendet autokrate dhe arrin në 9% të PBB-së së tyre. Ka me qindra miliarderë anembanë botës, pasuritë e të cilëve besohet se rrjedhin kryesisht nga sektorë të cilët shpesh kanë marrëdhënie të fshehta me shtetin.
Për ta vlerësuar të gjithë këtë, duhet të fillojmë me të dhënat nga Forbes. Revista ka publikuar një pasqyrë vjetore të të pasurve të botës për gati katër dekada. Në vitin 1998, ajo llogariti se kishte 209 miliarderë, me një vlerë totale prej 1 trilion dollarësh, e barasvlefshme me 3% të PBB-së globale. Këtë vit, publikimi llogarit 2640 miliarderë, me vlerë 12 trilionë dollarë, ose sa 12% e PBB-së.
Shumica e personave të klasifikim nuk operojnë në sektorë që kërkojnë qira ekonomike. Po t’i përshtasim me çmimet në rritje, 1 miliard dollarë në vitin 1998, tani janë të barabartë me 3.3 miliardë dollarë. Kështu që ka 877 miliarderë (me çmimet e vitit 1998) me një vlerë të përgjithshme prej 9 trilionë dollarësh.
Ne e klasifikojmë burimin e pasurisë në sektorë që kërkojnë dhe nuk kërkojnë qira ekonomike. Një qira ekonomike është teprica e mbetur, pasi janë paguar kapitali dhe puna. Në rastin e një konkurrence të përsosur, qiraja ekonomike zakonisht është pranë zeros. Kërkimi i qirasë ekonomike është i zakonshëm në sektorët me afërsi me shtetin, duke përfshirë bankat, ndërtimin, pronën dhe burimet natyrore.
Ndonjëherë mund të jetë e mundur që kërkuesit e qirave ekonomike të rrisin të ardhurat e tyre, duke fituar qasje të favorshme në tokë, licenca dhe burime. Ata mund të formojnë kartele për të kufizuar konkurrencën ose për të lobuar qeverinë për rregulla të volitshme. Ata mund t’i përkulin rregullat, por zakonisht nuk i thyejnë ato.
Të pasurit
Në vitin 1998, “Forbes” llogariti se kishte 209 miliarderë, me një vlerë totale prej 1 trilion dollarësh, e barasvlefshme me 3% të PBB-së globale. Këtë vit, publikimi llogarit 2640 miliarderë, me vlerë 12 trilionë dollarë, ose sa 12% e PBB-së. Shumica e personave të klasifikim nuk operojnë në sektorë që kërkojnë qira ekonomike.
Rusia është vendi më miqësor ndaj këtij lloj kapitalizmi në indeksin e “The Economist” (shih grafikun 2). Pasuria e miliarderëve nga sektorët me lidhje miqësore me shtetin, arrin në 19% të PBB-së.
Megjithatë, efektet e luftës në Ukrainë janë të qarta. Pasuria nga kapitalizmi “me mik”, ra nga 456 miliardë dollarë në vitin 2021, në 387 miliardë dollarë këtë vit. Vetëm një e pesta e pasurisë së miliarderëve rusë rrjedh nga sektorët e palidhur me shtetin, gjë që tregon sa e shtrembëruar është ekonomia e vendit.
Në mars të vitit të kaluar, G7-a, BE dhe Australia, krijuan Grupin e Punës të Elitave Ruse, Përfaqësuesve dhe Oligarkëve (REPO), “për të izoluar dhe për të ushtruar një trysni të jashtëzakonshme ndaj individëve rusë të sanksionuar”.
Një vit më vonë, ata njoftuan se kishin bllokuar ose ngrirë 58 miliardë dollarë asete. Por REPO e pranon se në disa raste, oligarkët e kanë pasur të lehtë t’u shmangen sanksioneve, duke përdorur kompani guaskë, duke i kaluar asetet e tyre tek anëtarët e familjes ose duke investuar në prona. Pasuria ruhet gjithnjë e më shumë në lëndina të zbukuruara dhe kolona mermeri.
Trysnia mbi oligarkët vjen edhe nga Rusia. Në mars, Putini i ndëshkoi ata se ishin bërë “të varur nga autoritetet e huaja”, duke fshehur pasuritë e veta jashtë vendit. Zoti Putin është një hipokrit.
Sepse sipas një vlerësimi, ai ka vjedhur më shumë se 100 miliardë dollarë nga Rusia, e cila ka ndihmuar në pagimin e një kompleksi në Detin e Zi, që vlerësohet se do të kushtojë 1.4 miliardë dollarë dhe një jaht prej 700 milionë dollarësh të konfiskuar nga autoritetet italiane vitin e kaluar. Por ai nuk është në listën e miliarderëve të Forbes.
Prirjet e reja
Indeksi hedh dritë mbi prirje të reja midis të pasurve. Shumë prej 735 miliarderëve të Amerikës janë goditur nga rënia e aksioneve të kompanive teknologjike vitin e kaluar; tre të pestat e pasurisë globale të miliarderëve në fushën e teknologjisë, origjinon prej tyre.
Treguesi NASDAQ i vendit, i përqendruar në kompanitë teknologjike, humbi rreth një të tretën e vlerës së tij midis nëntorit 2021 dhe dhjetorit 2022.
Ne vlerësojmë se miliarderët amerikanë të fushës së teknologjisë, pësuan rënie të pasurisë me 18%. Pasuria e përgjithshme e sektorëve të lidhur me klasën politike, arrin në rreth 2% të PBB-së në Amerikë.
Fusha e teknologjisë shfaq disa karakteristika të lidhjeve “me mik”. 20 kompanitë më të mëdha amerikane të teknologjisë, përbënë gjysmën e të gjitha shitjeve të industrisë në vitin 2017, duke e bërë atë sektorin më të përqendruar të vendit.
Firmat e teknologjisë janë ndër lobistët më të mëdhenj në Uashington, ku tetë firma shpenzuan kolektivisht 100 milionë dollarë vitin e kaluar. Nëse e riklasifikojmë teknologjinë si një industri “me mik” në indeksin tonë, pasuria e rrjedhur nga lidhjet “me mik” në Amerikë, rritet në 6% të PBB-së.
Ndërkohë, miliarderët kinezë vazhdojnë të luftojnë me ndryshimet e qëndrimit të qeverisë së tyre. Që kur presidenti Xi Jinping filloi një goditje ndaj kapitalit privat, pasuria “me mik”, ka rënë ndjeshëm, nga një kulm prej 4.4% të PBB-së në vitin 2018, në 2.5% tani.
Manjatët e të gjitha shtresave veprojnë vetëm me pëlqimin e shtetit. Në vitin 1998, kishte vetëm tetë miliarderë në vend (përfshirë Hong-Kongun dhe Makaun), me vlerë totale 50 miliardë dollarë. Tani 562 miliarderët e Kinës zotërojnë 2 trilionë dollarë.
Sipas matjes së “The Economist”, kapitalistët “me mik” përbëjnë rreth një të katërtën e këtij totali.
Një punim i kohëve të fundit, i botuar nga Qendra mbi Pabarazinë Sociale-Ekonomike, zbulon se midis 83% dhe 91% e zyrtarëve të lartë të korruptuar, ishin ndër personat që bënin pjesë në 1%-shin më të lartë të shpërndarjes së të ardhurave urbane për shkak të të ardhurave të paligjshme. Pa ato para, vetëm 6% do të ishin në atë grup.
Që nga ardhja e zotit Xi në pushtet në vitin 2012, mbi 1.5 milionë njerëz janë dënuar, në një goditje të vazhdueshme kundër korrupsionit. Manjatët e profilit të lartë gjithashtu përballen me më shumë kontrolle.
Kur Jack Ma, bashkëthemelues i gjigantit të teknologjisë Alibaba, u zhduk në fund të vitit 2020 pasi kritikoi autoritetet, ai kishte një vlerë rreth 50 miliardë dollarësh. Kohët e fundit, ai u rishfaq dhe vlera e kompanisë ishte përgjysmuar. Bao Fan, një bankier miliarder, u largua në shkurt për të ndihmuar me një hetim. Që atëherë, ai nuk është parë më.
Biseda zyrtare për “begatinë e përbashkët”, ka nxitur përpjekjet për heqjen e parave nga Kina. Singapori është një destinacion kryesor. Në vitin 2019, vendi kishte vetëm 33 zyra familjare kineze, firma që menaxhojnë asetet e një familjeje. Deri në fund të vitit 2022, ky numër kishte arritur në 750.
Udhëheqësi i Indisë, Narendra Modi, ka të parapëlqyerit e tij mes “kapitenëve” të korporatave të vendit. Në dekadën e fundit, pasuria nga sektorët e kapitalizmit “me mik” është rritur nga 5%, në gati 8% të PBB-së së vendit. Gautam Adani, pronari i konglomeratit me të njëjtin emër, ishte personi i tretë më i pasur në botë në shtator.
Por në janar, kompania e tij u akuzua për mashtrim dhe manipulim të bursës nga Hindenburg Research, një shitës amerikan. Ajo i mohon të gjitha akuzat. Pasuria e Adani-t ka rënë nga 90 miliardë dollarë në 47 miliardë dollarë.
Mos merrni asnjë fetë nga torta ime
Identifikimi i kleptokracisë është më shumë një art sesa shkencë. Zbulimet e The Economist lidhen vetëm paksa me indekset e demokracisë dhe korrupsionit. Dhe gjithsesi, në çfarë niveli i shkatërron korrupsioni funksionet e shtetit? USAID, agjencia amerikane për zhvillimin ndërkombëtar, botoi një udhëzues prej 84 faqesh për “dekleptifikimin” vitin e kaluar.
Pas studimit të 13 shteteve, duke përfshirë Brazilin, Malajzinë dhe Ukrainën, ai rekomandon thyerjen e monopoleve të korruptuara dhe dixhitalizimin e regjistrave të pronësisë, ndër masa të tjera të rëndësishme.
Amerika gjithashtu po përpiqet të tërheqë mbështetje ndërkombëtare për një goditje ndaj kësaj dukurie. Në mars, ajo mbajti “samitin e dytë për demokracinë”.
Shtatëdhjetë e katër vende që përfaqësojnë dy të tretat e PBB-së globale, deklaruan se, ndër të tjera, do të punonin ” për të parandaluar dhe për të luftuar korrupsionin”. Kuptohet se në këtë samit mungonin Rusia dhe Kina. Brazili, Indonezia dhe Afrika e Jugut nuk ishin gjithashtu të pranishme.
Në samit, Janet Yellen, sekretarja e Departamentit të Thesarit të Amerikës, vuri në dukje se “kleptokratët pastrojnë ryshfetet përmes blerjeve anonime të pasurive të paluajtshme të huaja”.
Pra, duke filluar nga viti i ardhshëm, Amerika do t’u kërkojë firmave të formuara në vend ose që operojnë në vend, që të zbulojnë pronarët e tyre realë ose “përfituesit”. 36 shtete të tjera kanë nënshkruar deklaratën e Amerikës për ta bërë më të vështirë fshehjen e identitetit.
Por transparenca nuk është gjithçka. Vitin e kaluar, një ligj i ri në Britani, u kërkonte bizneseve të huaja të cilat zotëronin asete pronësore, që të regjistroheshin dhe të zbulonin pronarët e tyre të vërtetë. Një raport në shkurt nga një mbikëqyrës kundër korrupsionit, zbuloi se pronarët e 52,000 nga 92,000 pronat që i nënshtrohen rregullit të ri, mbetën të pazbuluar.
Rregullave dhe regjistrave të pronarëve të dyshimtë, shpesh u mungojnë burimet për t’i kontrolluar ato. Amerika gjithashtu shqetësohet për vizat “e arta”, që shesin shtetësinë në këmbim të parave. Pesë parajsa fiskale të Karaibeve shesin pasaporta që ofrojnë udhëtime pa viza në rreth 150 vende për 100,000-150,000 dollarë.
Skema e vizave të Britanisë, e nisur në vitin 2008, u dha leje qëndrimi të përhershëm të huajve, të cilët mund të provonin se kishin 1 milion £ (1.25 milionë dollarë) për të investuar në bono ose aksione britanike. Skema u mbyll një javë para se të fillonte lufta në Ukrainë, për shkak të frikës për paratë ruse (britanikët u kujtuan pak si vonë për këtë).
Nga 13,777 viza të lëshuara, një e pesta shkoi për rusët (duke përfshirë dhjetë oligarkë që tani janë nën sanksione), dhe një e treta për kinezët.
Në Londër, në varrezat Highgate, mund të gjejmë një paralajmërim. Aty ndodhet varri i Alexander Litvinenko-s, jo shumë larg vilave të oligarkëve (dhe gjithashtu varri i Karl Marksit). Ai u vra në vitin 2006 nga agjentët rusë me një substancë të quajtur polonium-210, pasi bëri akuza të rënda ndaj rrethit të Putinit.
Litvinenko është varrosur në një arkivol të veshur me plumb, për të parandaluar përhapjen e rrezatimit. Tani autoritetet perëndimore duhet të parandalojnë depërtimin e aseteve të rrezikshme në vendet e tyre.
Përktheu: Lira Muça