Pranimi i një reforme nga Gjermania, rindez debatin mbi një tjetër
Sipas një analogjie të njohur në Bruksel, Eurozona është si një shtëpi e cila ka nevojë për riparime. Të gjithë janë të shqetësuar nëse ajo do të jetë e aftë të përballojë një stuhi të radhës, shkruan The Economist. E megjithatë, ndërtuesit dhe riparuesit nuk duken gjëkundi. Pronarët nuk bien dakord mbi riparimet që duhen bërë, e aq më pak mbi mënyrën sesi ato duhen bërë.
Kur Olaf Scholz, ministri gjerman i Financave, pranoi në mënyrë shumë të kujdesshme më 5 tetor idenë e një skeme të përgjithshme të sigurimit të depozitave, listës së gjatë të diskutimeve sapo iu hoq një prej pikave, iu shtua një tjetër, ajo për trajtimin rregullues të zotërimeve të borxhit sovran të bankave. Një karakteristikë famëkeqe e krizës së borxhit sovran të viteve 2009-‘15 ishte “nyja shkatërrimtare” nëpërmjet së cilës bankat dhe sovranët e dobët tërhiqnin zvarrë njëri-tjetrin.
Në vitin 2012, anëtarët ranë dakord se kjo nyje duhej të prishej dhe bashkimi monetar të mbështetej nga një bashkim bankar. Që atëherë është krijuar një strukturë e përbashkët mbikëqyrjeje dhe zgjidhjeje për bankat e mëdha. Por që prej asaj kohe, progresi ka qenë shumë i paktë në drejtim të sigurimit të depozitave të përgjithshme. Megjithatë, z. Scholz duket i arsyetueshëm në vendimet e tij, vetëm me kusht që të ndodhin edhe reforma të tjera. Reforma më e diskutueshme do të ndëshkonte bankat për mbajtjen e sasive të larta të borxhit sovran të vendeve të tyre, si në rastin e Italisë.
Mbështetësit e dënimeve të tilla rregullatore shprehen se ato do t’i detyrojnë bankat të zvogëlojnë ekspozimin e brendshëm dhe ndoshta të diversifikohen në borxhin sovran të anëtarëve të tjerë. Kritikët shqetësohen për efektin në tregjet e obligacioneve. Ndërsa rregulloret mbi likuiditetin dhe kapitalin inkurajojnë bankat të mbajnë borxhin sovran.
Sektorët bankarë në Europë zakonisht mbajnë 15-30% të stokut të borxhit të vendit të tyre. Rregullat e reja mund të marrin dy forma. Bankat mund të detyrohen të rrisin rezervat e kapitalit, nëse zotërimet e tyre e tejkalojnë një prag të caktuar. Ose ato mund të detyrohen të mbështesin zotërimet e tyre të borxhit sovran të rrezikshëm me kapital shtesë, duke rritur riskun, i njohur si “pesha e riskut” – bashkangjitur në disa obligacione sovrane, të cilat të gjithë rregullatorët tani i trajtojnë si pa asnjë rrezik.
Pesha e riskut është një prej pikave më të diskutueshme, sepse ajo është potencialisht më destabilizuese. Në rastin më të keq, kjo mund të nënkuptojë që një zbritje nga një agjenci e vlerësimit të kredisë i detyron bankat të heqin dorë nga disa aksione, duke sjellë trazira që reforma supozohej se duhej t’i parandalonte. Ministria e Financave e Gjermanisë duket se parapëlqen një përqasje hibride, duke vendosur një prag përqendrimi mbi të cilin pronat do t’i nënshtroheshin një pagese bazuar si në përqendrim, ashtu edhe në rrezikun e kredisë. Kjo do të ketë efekte domethënëse te bankat, dhe jo vetëm në Itali.
Nicolas Véron, nga organizata Bruegel, tregon se Gjermania ka disa nga ekspozimet më të përqendruara ndaj borxhit të qeverisë, ndërsa bankat e sektorit publik janë kreditorët më të mëdhenj të qeverive lokale. Z. Véron vlerësoi në vitin 2017 që, nëse pragu i përqendrimit përcaktohej në 33% të kapitalit të nivelit të parë, secila nga bankat e mëdha franceze dhe gjermane do të konsiderohej se kishte ekspozime të tepërta prej rreth 250 miliardë eurosh (280 miliardë dollarë amerikanë), dhe huadhënësit e mëdhenj italianë do të konsiderohej të kishin ekspozime në 145 miliardë euro.
Parashikimi sesi bankat do të diversifikohen në obligacione të tjera të Eurozonës, ose në borxhin e jashtëm është shumë i vështirë për t’u bërë. Ai do të varej nga sasia e kapitalit shtesë që u është kërkuar bankave që të lënë mënjanë, dhe gatishmëria e tyre për të marrë likuiditetin dhe rrezikun e kursit të këmbimit. Bankat që duan të shesin obligacionet e niveleve të ulëta, mund ta kenë të vështirë për të gjetur blerës. (Një aset i zakonshëm i sigurt, i propozuar nga komisioni, do të lehtësonte tranzicionin.
Por udhëheqësit francezë dhe gjermanë e vonuan tranzicionin gjatë vitit të kaluar.) Siç shprehet z. Véron, “nëngrupet e grupeve të punës të grupeve” janë duke u përmirësuar në drejtim të rregullimeve teknike. Por vendimi për të vazhduar përpara u takon politikanëve. Zyrtarët në Bruksel dëshirojnë të përgatisin një “udhërrëfyes” për reformën që liderët mund ta miratojnë kur të takohen në mes të dhjetorit. Pritshmëritë janë të ulëta. Edhe vetëm përfundimi i negociatave për fillimin ose jo të bisedimeve për reformat mund të konsiderohet një fitore më vetë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.