Me stil të pastër, është bërë më pak “country” dhe më shumë qytetase, duke sakrifikuar diçka nga origjinaliteti i vet. Suspensionet e reja privilegjojnë komfortin, edhe pse kush e paguan haraçin, është ndjesia në ngarje
Gjenerata e dytë e Citroën C4 Cactus, prezantohet me pamje shumë më “normale” krahasuar me impostimet kurajoze, madje në disa raste të guximshme, të modelit fillestar. Ka humbur kështu nga origjinaliteti, për t’i bërë vend pjesës ballore më të rafinuar dhe asaj fundore më spikatëse, ku bien në sy fenerët e rinj LED me efekt tre-dimensional.
Nuk duhen lënë pa përmendur ridimensionimin që i është bërë airbump, mbrojtëset anësore apo eliminimin e shufrave të mëdha mbi çati. Me pak fjalë, nëse përmasat e jashtme dhe hapi janë të njëjta, vetura franceze është “zbutur”, por pa humbur shijen origjinale “country”, që brenda në kabinë ndihet qartësisht.
Këtu ndryshimi më i madh ka të bëjë me zonën mes sediljeve të përparme, tani më pak origjinale, por pa dyshim më shumë funksionale, ndërsa paneli i drejtimit ruan impostimin e vjetër, me dy ekranet spikatës dhe “arkën” përballë pasagjerit. Janë rritur gjithashtu mundësitë e personalizimit: tani mund të zgjidhet mes pesë ambjenteve (përveçse 31 kombinimeve të ngjyrave të karrocerisë). Të shumta janë gjithashtu përmirësimet krahasuar me variantin fillestar, duke filluar nga timoni i rregullueshëm edhe në thellësi e deri tek divani i pasëm i ndarë në dy. Nga ana tjetër, nuk është eliminuar hapja jo fort në formë kompasi e xhamave të dyerve të pasme.
MBI QILIMIN FLUTURUES
Nëse gjenerata e parë ishte e fokusuar tek prakticiteti dhe dizajni, kjo e dyta luan pa dyshim kartën e komfortit. Në këtë drejtim, për të siguruar nivele më të larta se C4 Cactus dhe për ta bërë atë pikë referimi mes makinave kompakte, projektuesit francezë kanë punuar në më shumë se një drejtim: që nga projektimi i sediljeve të reja e deri tek zbutja e zhurmave. Por, mbi të gjitha, ata u përqendruan tek zhvillimi i suspensioneve me amortizatorë të zhvilluar rishtazi, të aftë për të kaluar mbi gungat e rrugëve në mënyrë më progresive, nëpërmjet veprimit zbutës hidraulik shtesë, si në zgjerim edhe në shtypje.
Efekti “qilim fluturues”, siç quhet pa shumë imagjinatë nga teknikët e Citroën-it, shfaqet menjëherë dukshëm. Në rrugë të sheshtë makina lëkundet, në rrugë të valëzuar rrëshqet pa kërcime, në rrugë me gunga thith me efikasitet të lartë parregullsitë më të theksuara, duke siguruar një komfort të kënaqshëm në kabinë.
Të paktën pjesërisht, vuan ndjesia e ngarjes së makinës, sidomos në rrugë dredha-dredha, për shkak edhe të timonit, mjaft progresiv, por pak komunikues. Mirë edhe kështu: modeli C4 Cactus ka prirje sidomos turistike, edhe pse në këtë version më të fuqishëm me 130 kf, përgjigja e trecilindërshit 1,200 turbo-benzinë, është sa e shkëlqyer, aq edhe e këndshme (bindës ishte edhe 110 kf, që u provua), me përjashtim të ndonjë vibrimi më shumë në regjime të larta.
Në kroskotin e modelit C4 Cactus, përpara sediljes së pasagjerit, gjendet “arka” origjinale, e pranishme edhe në gjeneratën e parë (këtu anash). Gjithashtu janë të konfirmuar edhe dy ekranet (foto më poshtë): ekrani qendror me prekje, 7 inç, ka butona të përdorshëm në kornizë
Kabina ka fituar në komfort dhe funksionalitet: shkuma e re poliretanike, i ka bërë edhe më të rehatshme sediljet dhe timoni është i rregullueshëm edhe në thellësi. Në pjesën e jashtme, airbump (mbrojtëset anësore karakteristike) janë reduktuar në masë të madhe
Të dhëna teknike
Motori
•L3 turbobenzinë
•Cilindrata 1.199 cm3
•Fuqia maksimale 96 kW (130 kf) në 5.500 xhiro/min
•Momenti përdredhës maksimal 230 Nm në 1.750 xhiro/min
Transmisioni
•Traksion në rrotat e para
•Kambio manuale me 6 marshe
Performanca
•Shpejtësia maksimale 193 km/h
•0-100 km/h 9,1 s
•Konsumi mesatar 20,8 km/l
Përmasat dhe pesha
•Hapi 260 cm
•Gjatësia 417 cm
•Gjerësia 173 cm
•Lartësia 149 cm
•Pesha 1.120 kg
Çmimi
•21.900 €
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.