Manchester City është shpallur klubi i futbollit me vlerën më të lartë të markës në botë nga Brand Finance Football 50 2023 Report.
Kjo është hera e parë që Manchester City – i cili këtë fundjavë do të përballet me Inter në finalen e Champions League në Stamboll – kryeson raportin e përvitshëm të klubeve të mëdha të futbollit.
Raporti ilustron në detaje rritjen pozitive me 34% të vlerës së markës së Manchester City që nga pandemia Covid-19 në 1.51 miliardë euro. Kampionët e Premier League lënë pas Real Madrid – vlera e klubit spanjoll është tkurrur me 4% gjatë vitit në 1.46 miliardë euro. Kjo është hera e parë që një klub anglez kryeson klasifikimin pas gjashtë vjetësh.
Një dekadë dominimi në fushë dhe të ardhurat më të larta se çdo klub tjetër në raport u cilësuan faktorët kyç për rritjen e City në klasifikim.
Ky rezultat vjen në kulmin e një sezoni të jashtëzakonshëm për Manchester City-n si brenda dhe jashtë fushës. Të shtunën, City fitoi FA Cup, duke kompletuar një dopjetë, pasi fitoi Premier League e tretë me radhë muajin e kaluar. Klubi do të përpiqet të arrijë një tjetër sukses në këtë sezon të jashtëzakonshëm, në filanen e UEFA Champions League në fundjavë.
Në këtë sezon, City kryesoi edhe në renditjen e Deloitte Money League për të dytin vit me radhë, pasi deklaroi të ardhura rekord në 613 milionë paund dhe 41.7 milionë paund fitim – ky i fundit, më shumë se dyfishi i rekordit të mëparshëm të klubit.
Viti ishte pozitiv edhe për portofolin tregtar të City, me disa partnerë të rinj dhe rinovime marrëveshjesh në afat të gjatë, të njoftuara gjatë sezonit.
Popullariteti i klubit reflektohet edhe në rritjen e madhe dhe nivelet e angazhimit në mediat sociale – në veçanti, City është klubi europian më popullor në YouTube për përdoruesit aktivë dhe shikimet e videove këtë sezon.
Roel de Vries, drejtues operativ i City Football Group, deklaroi: “Të qenët marka e klubit të futbollit me vlerën më të lartë në botë tregon historinë fenomenale të rritjes së Manchester City në vitet e fundit.
Ky rezultat tregon evolucionin jo vetëm të markës, por edhe të klubit të tërësi. Në këtë sezon, klubi ka arritur rezultate të vazhdueshme, duke thyer rekorde brenda dhe jashtë fushës, duke promovuar në të njëjtën kohë edhe qëndrueshmërinë financiare”.
“Ndërsa shohim nga e ardhmja, dëshirojmë të investojmë në gjërat e duhura – te talentet e futbollit, qyteti i Manchester dhe komuniteti lokal, infrastrukturat dhe përvoja e tifozëve.
Ne kemi dëshmuar një histori inovacioni dhe jemi të emocionuar për kapitullin tjetër në historinë e madhe të këtij klubi.”
Gjetjet kryesore të raportit
-Manchester City FC shpallet marka e futbollit me vlerën më të lartë në botë, duke i dhënë fund serisë katërvjeçare të Real Madridit në krye
-Real Madrid CF mbretëron si marka më e fortë e klubeve të futbollit në botë
-Klubet spanjolle vijojnë të regjistrojnë rezultate të mira në klasifikimin e vitit 2023
-Manchester United lë pas rivalin Liverpool FC, duke u renditur i 4-ti
-Klubet e futbollit londinezë mbeten në dhjetë vendet e para – Arsenal FC regjistron rritjen më të madhe të vlerës së markës
-AC Milan përfaqëson Italinë si marka e klubit të futbollit me rritjen më të shpejtë për të dytin vit me radhë
-Paris Saint-Germain lë pas FB Bayern Munich; vetëm tre klube franceze shfaqen në top 50
-Gjermania renditet e dyta për numrin më të madh të klubeve në klasifikim, pas Mbretërisë së Bashkuar, ndërkohë që Bundesliga vijon të humbë vlerë në markë
-Flamengo, në vendin e 50-të, është i vetmi klub jo europian në klasifikim