Profesor Ardian Civici propozon që, për të zbutur efektet e luhatjes së kursit të këmbimit, mund të bëhen politika apo të ndërmerren masa indirekte për kompensime të ndryshme monetare, apo fiskale, për kategoritë e bizneseve që preken direkt nga luhatjet e kursit të këmbimit.
Cilat vlerësoni se janë arsyet kryesore që kanë ndikuar në rënien e fortë të euros në tregun vendas dy vitet e fundit, sidomos në 5 muajt e parë të 2018-s?
Duket se në tregun monetar shqiptar, euro ka hyrë në një trend renës afatgjatë. Analizat e këtij fenomeni të çojnë në konkluzionin se shkaku kryesor është disponibiliteti apo oferta e lartë e euros në treg në raport me lekun.
Tregu monetar shqiptar reflekton një ofertë të madhe eurosh, si kundrejt nevojës apo tërheqjes së euros ashtu dhe kundrejt ofertës së lekut. Duke iu referuar analizave të Bankës së Shqipërisë mund të nënvizohet dhe fakti i efekteve pozitive të ndryshimeve me karakter strukturor, si përmirësimi i bilancit të pagesave, deficiti i ulët buxhetor, përmirësimi i raporteve import-eksport, shtimi i IHD, etj.
Faktor që duhet nënvizuar është dhe reagimi i publikut kundrejt politikës së de-euroizimit që po ndiqet aktualisht në Shqipëri, e cila në shumë raste është kuptuar e interpretuar gabimisht si tendencë dhe qëllim për të braktisur euron në emër të lekut. Po të kemi parasysh ardhjen e sezonit turistik që, historikisht është shoqëruar me hyrje masive eurosh, është e qartë se edhe në muajt në vazhdim mund të kemi të bëjmë me një euro që do të vazhdojë të këmbehet në nivelet 127 – 129 lekë. Pasojat e këtij kursi këmbimi do ndihen më shumë tek të ardhurat e eksportuesve shqiptarë, të cilat po shënojnë ulje, te kursimet apo depozitat në euro, vlera e të cilave do të ulet.
Mendoj se bankat tregtare gjithashtu po preken negativisht nga kursi i nënçmuar i euros. Ndërkohë, priten përfitime nga importuesit sidomos ata që operojnë në Eurozonë. Efekte pozitive kanë individët apo bizneset që kanë marrë kredi në euro dhe të ardhurat bazë i kanë në lekë. Kjo kategori do të favorizohet në shlyerjen e kësteve të kredisë. Edhe qeveria favorizohet nga kjo tendencë rënëse e euros, pasi ulet vlera e borxhit publik.
Çfarë masash duhen ndërmarrë në mënyrë që të reduktohet ekspozimi në ekonomi i luhatjeve të forta të kursit?
Mendoj se në kushtet e politikës të kursit të lirë të këmbimit, që ndjek Shqipëria, është pothuajse e pamundur dhe nuk rekomandohet që të ndërhyhet direkt në kursin e këmbimit, sidomos në raportet euro/lek. Aq më tepër që në rastin tonë, dobësimi i euros nuk vjen si pasojë e politikës monetare të Bankës Qendrore Europiane apo dobësimit të euros në tregjet valutore ndërkombëtare (përkundrazi në këto tregje, euro ka tendencë të forcohet sidomos kundrejt dollarit amerikan), por vjen nga faktorë të brendshëm në Shqipëri.
Për të zbutur efektet e luhatjes së kursit të këmbimit mund të bëhen politika apo ndërmerren masa indirekte për kompensime të ndryshme monetare apo fiskale për kategoritë e bizneseve që preken më direkt nga luhatjet e kursit të këmbimit. Politika jonë monetare dhe deri diku dhe ajo fiskale mund të ndikojnë në kontrollin e inflacionit dhe stabilitetin e lekut, por nuk kanë fuqi e efekte në vlerën e euros. Dëshiroj të nënvizoj dhe nevojën e zgjerimit të informimit dhe edukimit financiar e monetar, veçanërisht me bizneset që të jenë më të kujdesshëm kur operojnë me monedha të ndryshme në aktivitetet e tyre.
Si do ta vlerësonit idenë për të përshtatur euron si monedhë kombëtare (në mënyre të njëanshme, siç kanë bërë Kosova dhe Mali i Zi). A do të ishte e realizueshme konkretisht dhe cilat do të ishin avantazhet dhe dizavantazhet?
Adoptimi në mënyrë të njëanshme i euros si monedhë e vetme, duke eliminuar lekun, nën shembullin e Malit të Zi dhe Kosovës, më duket i pamundur dhe i papërshtatshëm në këto momente. Kosova dhe Mali i Zi u gjendën në një situatë e kontekst krejt tjetër, kur vendosën të kenë si monedhë nacionale euron. U gjendën në një moment kur Jugosllavia dhe dinari jugosllav nuk ekzistonin më, në një moment kur donin të shkëputeshin plotësisht nga Serbia dhe kontrolli monetar i saj. Adoptimi i euros si monedhë, kërkon së pari anëtarësimin në BE dhe Eurozonë.
Së dyti, kërkon një proces serioz axhustimi ekonomik e monetar me Bankën Qendrore Europiane, të ngjashëm me procesin e anëtarësimit në BE. Adoptimi i euros në mënyrë të njëanshme ka një sërë pikëpyetjesh e rreziqesh, që lidhen me pamundësinë e kryerjes së politikës monetare, përballimin me rreziqet e ndryshimit të kursit të saj, që burojnë nga një politikë monetare, ku Shqipëria nuk ka asnjë mundësi ndikimi apo bashkëpunimi, rrezikut të deflacionit dhe rritjes së çmimeve, kostot e larta të sigurimit të sasisë së nevojshme të eurove në qarkullim, në kuadrin e masës monetare të domosdoshme, etj.
Si përfundim, mendoj se në muajt apo disa vite në vazhdim, është më e vlefshme një politikë monetare sa më cilësore, në menaxhimin e inflacionit dhe vlerës së lekut, përfshirë këtu dhe kujdesin prudencial në kuadër të de-euroizimit, se sa një kalim në mënyrë të njëanshme në përdorimin e euros, si monedhë të vetme në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.