Çmimet e perimeve kanë rënë 40% krahasuar me një vit më parë. Por ndërkohë që konsumatorët po shijojnë çmimet e lira, fermerët janë në vështirësi financiare për të paguar detyrimet te furnitorët e lëndëve të para
Përpjekjet e konsumatorëve vendas për të kursyer duket se po i ndihmojnë së fundmi edhe fermerët shqiptarë. Këtë vit, ndryshe nga vitet e mëparshme, konsumatorët po shijojnë jo vetëm më shumë perime e fruta vendase, por me çmime shumë më të lira.
Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, bazuar në të dhënat e “Greenmarket.al”, çmimet e perimeve në vend janë ulur ndjeshëm, mesatarisht 40% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Barbunjat, spinaqi, qepët, domatet etj., blihen sot me çmime të lira, çka ka “befasuar” disi edhe familjarët.
Sipas të dhënave statistikore nga “GreenMarket.al”, domatja, speci, lulelakra, kastraveci apo spinaqi janë edhe perimet që kanë pësuar rënien më të madhe në çmime, 35-57% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Shkak për këtë përmirësim në tregun e fruta-perimeve është mbingopja e tregut me prodhimet vendase, duke zëvendësuar prodhimet e importit.
“Ka një superprodhim të perimeve për shkak të kohës së nxehtë, ndaj dhe ka shtim të sasisë së tyre. Kjo është normale që pasohet me ulje të çmimeve”, thotë Ruzhdi Koni, president i kompanisë së grumbullimit, tregtimit, shitjes e eksportit të fruta-perimeve, “Agrikon”.
Fermerët kanë nxituar këtë vit që të shtonin sipërfaqet e mbjella me perime, për shkak të ecurisë pozitive të eksporteve gjatë 2011-s dhe në fillim të këtij viti. Por eksportet nuk po ecin me ritme të larta, për shkak të rënies së kërkesës nga tregjet e huaja. Shqipëria eksporton fruta e perime kryesisht në Rumani, Bullgari, Kroaci, Serbi e Rusi, por falë motit të ngrohtë edhe këto shtete kanë regjistruar rritje të ndjeshme të prodhimit bujqësor.
Kjo situatë i ka detyruar fermerët që t’i hedhin në tregun vendas prodhimet dhe me çmime shumë të lira. “Rënia e eksporteve është shkaku kryesor që ka detyruar fermerët, me sasi të mëdha prodhimi, të ulin ndjeshëm çmimet në tregun vendas, duke avantazhuar konsumatorin”, thotë z. Koni.
Rënie të çmimeve kanë shënuar edhe frutat. Sipas përllogaritjeve, gjatë këtij muaji frutat kanë shënuar rënie prej 25% në çmime krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave nga “GreenMarket.al”, rënien më të madhe e kanë pasur pjepri me afro 57% dhe portokajtë me rreth 18%.
Por vuajnë fermerët
Të nxitur nga një kërkesë në rritje e tregjeve të huaja, fermerët vendas investuan më shumë gjatë këtij viti në mbjelljen e sipërfaqeve të reja, duke shtuar sasinë dhe volumin e prodhimeve. Në gjysmën e parë të këtij, sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, eksportet e perimeve regjistruan rritje prej 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shkak ishte moti i keq në mjaft vende të rajonit,çka rriti edhe kërkesën për perime e fruta nga importi në këto tregje.
Por tashmë, tregjet e huaja duket se janë stabilizuar çka bëri që fermerët vendas të gjenden përballë një superprodhimi. Kjo detyroi shumë prej tyre që të shtonin sasitë dhe të ulnin çmimet në tregun vendas. Në fakt, edhe nga vrojtimet e “Monitor” vihet re shtim i perimeve, si domates e kastravecit, lakrës e lulelakrës, etj., të cilat gjithashtu kanë edhe një shije të mirë.
“Shija e mirë është pasojë e motit, sepse nën temperatura të ngrohta, perimet rriten shpejt dhe me cilësi”, thotë Ruzhdi Koni i “Agrikon”.
Një rritje gati “befasuese” ka pasur ulliri, i cili “dergjet” tregjeve të Tiranës me çmime që nisin nga 120-200 lekë/kg, afro 30% më lirë se një vit më parë. Kjo, sipas ekspertëve të bujqësisë pritet të sjellë edhe shtim të prodhimit të vajit të ullirit në treg.
Tregtarët ambulantë dhe ata të shitjes me pakicë fitojnë mesatarisht rreth 10 lekë për kg, për çdo lloj frute apo perime.
“Jemi të kënaqur pasi me këto çmime konsumatorët bëjnë xhiro. Ky sezon është me leverdi për ne tregtarët, se ne fitimin nuk e kemi te çmimi i produktit që shesim, por tek fuqia blerëse e konsumatorit. Te numri i klientëve që tregtojnë te ne”, thotë një tregtar ambulant.
Por ndërkohë që konsumatorët “gëzojnë” uljen e çmimeve të produkteve të shijshme vendase, fermerët po përballen me rënien e të ardhurave dhe fitimeve. Kjo ka bërë, që shumë prej tyre të kenë vështirësi në pagimin e detyrimeve ndaj kompanive furnitore të lëndëve të para, kryesisht fara dhe plehra kimike. Në këtë drejtim, sipas fermerëve, duhet të ndërhyjë qeveria, për t’i mbështetur me skema financimi që ndihmojnë rritjen e prodhimeve dhe njëherësh edhe uljen e çmimeve në treg.
Pritet shtrenjtim
Por sinjalet që mbërrijnë nga grumbulluesit e fruta-perimeve konfirmojnë se gjatë ditëve në vazhdim çmimet e tyre do të nisin të rriten. Ulja e temperaturave do të reduktojë prodhimtarinë, duke tkurrur ofertën dhe duke sjellë si pasojë edhe shtrenjtimin e çmimeve.
Në periudhat kur në treg mungon prodhimi vendas tregtohen kryesisht prodhimet e importit, që mbërrijnë me çmime të larta dhe shiten edhe më pak.
“Ne tashmë kemi nisur të rrisim nga pak çmimet e disa artikujve, sepse edhe fermerët po na i shesin më shtrenjtë. Në javët në vazhdim do të ketë rritje të mëtejshme të çmimeve të fruta-perimeve”, thotë z. Koni.
Sipas tregtarëve, prodhimet që kanë pësuar rritje janë kryesisht specat, patatet, domatet, qepa dhe po ashtu edhe mollët dhe portokajtë. Qytetarët, si rezultat i rritjes së çmimeve janë të detyruar që të blejnë më pak. Ata thonë se e kanë të vështirë të përballojnë çmimet, edhe pse tashmë konsumojnë më pak. Rritja e çmimeve ka qenë një problem shqetësues që prej disa kohësh jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë. Sipas tregtarëve, futja në treg e prodhimeve të serave pritet që të ndikojë disi në uljen e çmimit të perimeve.
Të mbështetet prodhimi
Për t’i ardhur në ndihmë konsumatorit që të përfitojë çmime të lira, por nga ana tjetër edhe fermerëve, që të nxiten për të prodhuar sa më shumë fruta e perime, Shoqata e Agrobiznesit prej kohësh kanë insistuar në mbështetjen e serrave.
Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Enver Ferizaj, shpjegon që qeveria duhet t’u subvencionojnë fermerëve lëndën djegëse për serrat, me qëllim që të ketë prodhim vendas bujqësor gjatë gjithë vitit.
“Nuk i plotësojmë këto nevoja në periudhën e dimrit, pasi serrat që i kemi me ngrohje kanë kosto me ngritjen e çmimit të naftës. Ato pothuajse janë inaktive. Mendohej se duhet të bëjmë subvencionime për to për sa i përket naftës”.
Drejtuesit e KASH-it theksojnë se fermerët prodhojnë në sasi të konsiderueshme jo vetëm për të furnizuar tregjet e brendshme por edhe për eksport.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.