Çmimet më të larta të mallrave të importit po bëhen një nga shkaqet kryesore për rritjen e përgjithshme të çmimeve në tregun vendas. INSTAT raportoi sot se, Indeksi i Çmimeve të Importit, në tremujorin e tretë të vitit 2021, arriti 103.2 duke shënuar një rritje me 3,3 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2020. Krahasuar me tremujorin e dytë 2021 indeksi shënoi një rritje me 1,8 %.
Çmimet e importit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” kanë shënuar rritje me 35,1 %. Indeksi në seksionin “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 94,0 %, shënoi një rritje me 2,1 %.
Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 5,1 %, pasuar nga aktivitetet “Prodhimi i pijeve” me 4,9 %, “Metalurgjia” me 3,4 %, “Prodhimi i produkteve të duhanit” me 3,3 %, etj.
Nga ana tjetër çmimet në aktivitetin “Prodhimi i letrës dhe produkteve prej letre” kanë shënuar ulje me 2,1 %, pasuar nga “Shtypshkrime dhe rigrupim i mediave të regjistruara” me 1,7 %, “Industri të tjera p,k,t” me 0,5 %,
Indeksi i Çmimeve të Importit në tremujorin e tretë 2021 shënoi rritje me 1,8 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2021. Indeksi në seksionin “Industria përpunuese”, me ndikimin më të madh në ndryshimin mujor ka shënuar rritje me 0,8 %.
Inflacioni njohu një rritje të shpejtë në tremujorin e tretë, duke shënuar vlerën mesatare prej 2.4%, nga 1.4% në gjysmën e parë të vitit. Banka e Shqipërisë vlerësoi se, kjo ecuri u diktua pjesërisht nga rritja graduale e presioneve inflacioniste që shoqërojnë rimëkëmbjen e kërkesës dhe, pjesërisht, nga goditjet shtesë që erdhën nga rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimeve dhe të produkteve energjetike në tregjet ndërkombëtare.
Banka Shpjegoi se në aspektin makroekonomik, rritja e inflacionit pasqyroi më së shumti rritjen e inflacionit të importuar. Nga ana tjetër, rritja e presioneve të brendshme inflacioniste vijon të jetë graduale dhe e përmbajtur, në reflektim të rritjes ende të pamjaftueshme të punësimit dhe të pagave, si dhe të pritjeve inflacioniste ende nën objektiv.
Importet e mallrave u rritën me 28.0% në terma vjetorë gjatë tremujorit të tretë (grafik 23, djathtas). Kontributet pozitive kanë qenë me bazë të gjerë dhe janë udhëhequr nga kategoritë “Minerale lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “Ushqim, pije, duhan”. Edhe në këtë rast, rritja ndërkombëtare e çmimeve të naftës, e energjisë dhe ushqimeve vlerësohet të këtë pasur impakt të rëndësishëm në këtë dinamikë, përpos rimëkëmbjes së mëtejshme të kërkesës vendase. Ashtu si në dy tremujorët pararendës, kontribute pozitive në importin e mallrave kanë dhënë edhe kategoritë e lidhura me sektorin e ndërtimit dhe produktet farmaceutik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.