Shtimi i kostove të produkteve vendase ushqimore nga shtrenjtimi i energjisë, çmimit të vajit dhe miellit priten të reflektohen në ditët në vijim me rritje tjetër të çmimeve.
Çmimet e kroasantëve apo brioshëve të paketuar të prodhuar në vend do të rriten përsëri.
Kompanitë e shitjes me shumicë të mallrave ushqimore kanë lajmëruar tregtarët e pakicës se nga 1 Maji do të rriten të gjitha çmimet për llojet e kroasantit (briosh) të prodhuar në vend .
Burimet nga tregu pohuan se çmimi i minikroasantëve nga 40 lekë do të shkojë në 45 lekë (rritja 12,5 %); i kroasantit në paketim të mesëm nga 38 në 48 lekë (rritja 26%) dhe paketimi i madh nga 87 në 110 lekë (rritja 26,4 %).
Operatorët vendas, të kontaktuar nga “Monitor” thanë se për shkak të rritjes të kostove në harkun kohor të një viti janë detyruar të rrisin çmimet për këtë produkt mesatarisht 15-20%. Sipas tyre rritja nisi që nga muaji janar i vitit të kaluar kur çmimi i energjisë u shumëfishua.
Rritja ka nisur që në muajin janar të cilat reflektuan koston e çmimit të lartë të energjisë elektrike. Shtrenjtim të lartë pati edhe çmimi i miellit, vajit, margarinës 100%, karburantit që kanë ndikuar te shtimi i kostove të prodhimit. Këtë valë çmimesh në kosto jemi munduar ta transferojmë në çmime në mënyrë të përshkallëzuar, duke e amortizuar edhe te të ardhurat.
Aktualisht në tërësi tregu i kroasantëve duke përfshirë edhe atë të brendeve ndërkombëtare “Molto” dhe “7dayws” ka shënuar rritje. Nga fillimi i këtij viti kroasanti “Molto” në dyqanet e pakicës nga 60 lekë shitet 70 lekë (rritja 16,6%), ndërsa “7days” nga 70 lekë në 80 lekë (rritja 14%). Përveç shtrenjtimit të lëndëve të para prodhuese në tregjet ndërkombëtare, rritja është ndikuar edhe nga kostot e larta të transportit. /D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.