Çmimet e larta të biletave, rritet numri i të huajve që vizituan Shqipërinë përmes tokës

13/10/2017 11:36 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Më shumë se 85% e turistëve të huaj që vizituan Shqipërinë këtë vit kanë hyrë përmes udhëtimeve në tokë.
Shifrat e bëra publike nga INSTAT në buletinin e fundit “Vjetari statistikor 2012-2016” treguan se në harkun kohor 2012-2016, lëvizjet e shtetasve të huaj dhe shqiptarë kanë pasur tendencë në rritje. Hyrjet mesatare të shtetasve të huaj janë rritur me 8,1%, ku rritja më e madhe është shënuar në vitin 2016 me 14,6%. Në hyrjet e shtetasve të huaj gjithsej, pjesën më të madhe me 85,3%, e zënë hyrjet nga toka.

Ilir Konomi, administrator i “AlbaniaPropertyGroup” ka pohuar për Monitor që, duke nisur nga viti 2015 të huajt preferuan që të vinin në Shqipëri nëpërmjet udhëtimeve me autobusë të mëdhenj. Kjo, për disa arsye sipas tij. E para, lidhej me çmimet e larta të fluturimeve. Ndërsa një arsye tjetër është afërsia e Durrësit nga kufiri: europian-qendrorët kryesisht kanë preferuar Durrësin për vijën e gjatë bregdetare që ofron, si dhe plazhin me rërë.

Sipas raportit të INSTAT, Qarku i Kukësit është qarku me përqindjen më të lartë të hyrjeve nga toka me 50,9 % (ku 95,5% e këtyre hyrjeve vijnë nga pika kufitare e Morinës), i ndjekur nga ai i Shkodrës me 21,1% (ku 68,5% e këtyre hyrjeve vijnë nga pika kufitare e Muriqanit), nga Qarku i Korçës me 17,1% (ku 61,4% e këtyre hyrjeve vijnë nga pika kufitare e Qafë Thanës), dhe nga Qarku i Gjirokastrës me 9,2% (ku 49,7% e këtyre hyrjeve vijnë nga pika kufitare e Kakavijës).

Të dhënat tregonin se hyrjet e shtetasve të huaj nga ajri, në harkun kohor 2012-2016, janë rritur me 13,8%, ndërsa daljet e shtetasve shqiptarë janë ulur me 3,9%. Në periudhën kohore 2012-2016, hyrjet e shtetasve të huaj nga deti janë rritur mesatarisht me 11,8 % ndërsa daljet e shtetasve shqiptarë janë ulur mesatarisht me 0,4%. Në Portin e Durrësit, hyrjet dhe daljet e shtetasve të huaj dhe shqiptarë zënë respektivisht 56,5% dhe 72,9% të hyrjeve dhe daljeve gjithsej nga deti.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of