Tregjet e produkteve panë një periudhë të rrallë të rritjes së çmimeve përgjatë 10 viteve, duke filluar nga 2002-shi, që u ndërpre për një kohë të shkurtër nga kriza financiare e viteve 2008-09.
Rritja e qëndrueshme e çmimeve të lëndëve të para u nxit nga zgjerimi ekonomik në Kinë dhe në tregje të tjera në zhvillim, në kahun e ofertës dhe viteve të tëra mungese investimesh gjatë viteve 1980 dhe 1990 në kahun e ofertës.
Gjithsesi, Goldman, një nga aktorët kryesorë të tregut të produkteve në Wall Street, thotë se tregjet kanë hyrë në një fazë të re.
“Me kufizimet e ofertës për produkte që po lehtësohen, ngadalësimin e rritjes ekonomike të Kinës dhe prodhimin e kompanive që po rikthehet në normalitet, është tunduese të flasësh për një fund të superciklit të produkteve,” thotë kompania.
Zhvillimet aktuale janë “thjesht faza e re e një cikli investimesh të produkteve që filluan në vitet e fundit të 1990” dhe “duhet parë më shumë si një ‘rilindje’”, shtoi ajo.
Goldman beson se ndryshe nga tregu agresiv i çmimeve të produkteve në vitet 2000, ato do të kthehen në mënyrën se si lëviznin gjatë viteve 1980 dhe1990, kur çmimet afatgjata të produkteve ishin të qëndrueshme, por ndikoheshin nga ndryshimet afat-shkurtra të kërkesës.
Pritshmëritë për furnizime të qëndrueshme me energji dhe metale, në sajë të teknologjisë së përparuar dhe rritja e kapaciteteve prodhuese në Kinë, konsumuesit më të madh të bakrit dhe metaleve të tjera, janë ndër arsyet kryesore që e kanë shtyrë bankën të parashikojë për një qëndrueshmëri afatgjatë të çmimeve të produkteve.
Porsa i përket naftës bruto, Goldman tha se tregu global do të mbetej i shtrënguar në 2013 dhe 2014 pavarësisht një qëndrueshmërie më të madhe në afatin e gjatë.
Ajo parashikon që treguesi referencë i naftës evropiane, Brent, të jetë mesatarisht 110 dollarë për fuçi në vitin 2013 dhe 105 dollarë për fuçi në 2014, por pret që diferencat në çmime midis indeksit West Texas Intermediate, që shërben si referencë amerikane, do të ngushtohet teksa problemet me transportin do të lehtësohen.
Ajo parashikon që WTI të luhatet në 105 dollarë për fuçi në 2013 dhe 99 dollarë në 2014, duke nënkuptuar se diferenca mund të ngushtohej në 4.50 dollarë për fuçi në 2013 dhe 6 dollarë në 2014.
Bakri pritet që të arrijë kulmin në 9,000 dollarë në 2013 si rrjedhojë e përfundimit të ndërtimeve kineze, por do të luhatet mesatarisht në 7,000 dollarë për ton.
Banka uli parashikimin e saj për çmimin e arit teksa pret më pak rreziqe që do të ndikonin në shtrenjtimin e shufrave të verdha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.