Rimëkëmbja e Kinës pas izolimeve të Covid po zbehet, ndërsa banka qendrore uli normat e interesit.
Çmimet globale të naftës kanë pësuar rënie pas shqetësimeve për rritjen e dobët të ekonomisë së Kinës, që ka ardhur si rrjedhojë e izolimeve të vazhdueshme nga përhapja e Covid dhe rënies së aktivitetit ekonomik në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Ҫmimi i një fuçie me naftë të papërpunuar Brent ra me rreth 5%, duke shkuar nën 94 dollarë të hënën dhe duke arritur kështu nivelet më të ulëta që nga pushtimi rus i Ukrainës, pasi tregtarët reaguan ndaj shifrave të dobëta nga ekonomia e dytë më e madhe e botës.
Banka qendrore e Kinës uli papritur normat e interesit për facilitetet e saj kryesore të huadhënies për herë të dytë brenda këtij viti, pas shifrave zyrtare zhgënjyese të rritjes ekonomike.
Prodhimi i fabrikave në sektorin industrial të këtij vendi u rrit me 3.8% në muajin korrik krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, një rritje kjo që ishte nën parashikimet e analistëve prej 4.6%, sipas një sondazhi të Reuters. Shitjet me pakicë u rritën me 2.7% krahasuar me një vit më parë, një tjetër shifër që ishte dukshëm nën pritshmëritë e analistëve, ndërkohë që rimëkëmbja ekonomike e Kinës pas izolimeve të pandemisë në fillim të këtij viti shfaqi shenjat e para të zbehjes.
Ekonomia e Kinës pati pothuajse një rënie në tremujorin e dytë, kryesisht për shkak të izolimit të qendrës tregtare të Shangait dhe rënies së ndjeshme në aktivitetin e tregut të pasurive të paluajtshme, si dhe të niveleve vazhdimisht në rënie të shpenzimeve të konsumatorëve.
Sektori i pasurive të paluajtshme, i tronditur nga një bojkot i kredive hipotekore pasi mijëra blerës të shtëpive po refuzojnë të vazhdojnë me pagesat e kësteve për banesat e papërfunduara të cilat janë blerë përpara fillimit të ndërtimit, pati gjithashtu një rënie të aktivitetit në muajin korrik.
Julian Evans-Pritchard, një ekonomist për Kinën në firmën e konsulencës Capital Economics, tha: “Ne mendojmë se perspektiva do të mbetet sfiduese përgjatë muajve të ardhshëm, pasi eksportet do të fillojnë të bien, rënia e aktivitetit në sektorin e pasurive të paluajtshme do të thellohet dhe problemet e shkaktuara nga virusi do të vazhdojnë të ndikojnë tek ekonomia. ”
Si një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë në botë, rritja më e dobët e ekonomisë kineze do të zvogëlonte kërkesën për naftë të papërpunuar dhe burime të tjera natyrore. Tregtarët e energjisë po vlerësojnë gjithashtu potencialin për një marrëveshje bërthamore midis Iranit dhe negociatorëve të Perëndimit, e cila mund të hapë rrugën për një rritje të furnizimeve me naftë.
Çmimi global i naftës ka pësuar rënie të ndjeshme nga niveli rekord prej 140 dollarë që arriti në muajin mars, kur shqetësimet për furnizimet nga Rusia ishin në kulmin e tyre. Megjithatë, çmimet vazhdojnë të mbeten në nivele historikisht të larta, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon, pasi ato janë pothuajse 50% më shumë sesa nivelet ku ndodheshin në fund të vitit 2019.
Rritja e çmimeve të energjisë ka qenë nxitësi më i madh i inflacionit të lartë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në ekonomitë e tjera të përparuara, duke sjellë përkeqësimin e krizës së kostos të jetesës.
Bjarne Schieldrop, analisti kryesor për mallrat në bankën suedeze SEB, tha se ishte e qartë që dobësimi i kërkesës së Kinës për naftë ishte një nga arsyet kryesore për rënien e çmimeve të naftës që nga fillimi i muajit qershor.
“Nuk ka shumë shpresë se Kina do të ndryshojë qëndrimin e saj për Covid-19 në të ardhmen e afërt dhe ekziston rreziku që rënia e kërkesës në Kinë të vazhdojë për shkak të izolimeve të vazhdueshme nga njëri muaji në tjetrin,” tha ai./ The Guardian