Çmimet e naftës bien me 3-5 lekë për litër në tregun vendas

24/09/2020 11:00 AM 0 komente

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një rënie të lehtë në tregun vendas. Në pikat e tregtimit me pakicë, nafta po tregtohet me 3-5 lekë për litër më pak.

Te Kastrati, operatori më i madh i shumicës dhe pakicës në vend, nafta kushton 153-155 lekë, nga 158 lekë që ishte më parë. Në të njëjtat nivele ishte dhe Eida Petroleum, operatori i dytë më i madh në vend. Te Gega Oil, një litër naftë kushton 150 lekë.

Kjo është hera e katërt që çmimet e karburanteve ulen në tregun vendas. Ndryshimi më i madh ndodhi në prill, pas fillimit të pandemisë, kur si rrjedhojë e uljes në tregjet ndërkombëtare, nafta në vend zbriti me 15-20 lekë për litër, nga 178-180 lekë në fillim të vitit përpara se të shpërthente pandemia, që e çoi konsumin në kolaps në tremujorin e dytë të vitit.

Si rrjedhojë, që nga fillimi i vitit, nafta është tkurrur me rreth 13% në tregun vendas.

Edhe në bursa, nafta tregtohet në nivelet më të ulëta që nga janari 2016, pavarësisht se është rimëkëmbur nga nivelet e ulëta prej 22 dollarë për fuçi, që arriti në fillim të pandemisë. Ditën e djeshme, treguesi referencë Brent tregtohet me 42.3 dollarë për fuçi, teksa pasiguritë për rimëkëmbjen globale mbeten të mëdha.

Në tregun e brendshëm, konsumi i karburanteve ra ndjeshëm në tremujorin e dytë. Sipas INSTAT, në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve ka pësuar rënie me18,3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019.

Tkurrja më e fortë ishte në prill, me -33% në krahasim me prillin e 2019-s. Në maj, reduktimi vjetor ishte 18.4%, ndërsa në qershor ra më pak se 2%.

Konsumi ishte i ulët edhe gjatë muajve të verës, për shkak të turizmit të dobët. Të dhënat nga Ministria e Financave bënë të ditur se importi i karburanteve gjatë 8-mujorit shënoi rënie me -1,2%, por tkurrja ishte më e dukshme në gusht, kur importet ishin 8.7% më të ulëta se në gushtin e vitit 2019. Burimet nga tregu e lidhin këtë rënie me një kërkesë më të ulët, si rrjedhojë e kufizimeve të udhëtimeve nga jashtë.

Burimi: INSTAT

Ecuria e naftës në bursa në 5 vitet e fundit (Burimi: Financial Times)

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of