Të gjithë ata që kanë menduar të bëjnë një investim në pronat e biznesit, po përballen me çmime të larta. Ilda Zaloshnja, drejtuese në agjencinë The Point, thotë se çmimet e shitjeve të këtyre ambienteve po rriten, sidomos në zonat më të kërkuara e kryesore.
Është vënë re rritja e ofertës për njësi biznesi. Si ka qenë ecuria e kërkesës për njësi tregtare në gjashtë muajt e parë të 2019-s sipas agjencisë suaj?
Rritja e ofertës ka ardhur si pasojë e lirimit të disa ambienteve komerciale, pas hyrjes në fuqi të ligjit për lojërat e fatit. Pikërisht për mënyrat e aplikimit të këtij ligji, një pjesë e mirë e këtyre ambienteve u liruan vetëm në fund të marsit, duke krijuar një portofol interesant pronash komerciale për nga pikëpamja e vendndodhjes së këtyre pronave, por jo edhe aq interesante nga pikëpamja e çmimit.
Pronarët e këtyre ambienteve, të mësuar me qiratë e larta të përfituara deri në atë moment, kanë pretenduar vlera të njëjta apo të përafërta edhe nga bizneset e reja qiramarrëse, gjë që nuk justifikohet me të ardhurat normale të një biznesi në ditët e sotme. Kërkesa për ambiente komerciale është e njëjtë si më parë, gjithmonë e lartë, me të vetmin ndryshim që tani ka edhe portofol interesant pronash të tilla.
Duke marrë parasysh edhe krizën aktuale, si mund të ndikojë në ecurinë e mëtejshme të tregut?
Patjetër që ndikon në frenimin e nismës së lirë të biznesit, në planet afatgjata për zgjerimin e aktiviteteve të biznesit, frenim i cili vjen pikërisht nga pasiguria e së ardhmes. Megjithatë, dyqanet janë një nga kategoritë e pasurive të patundshme më të kërkuara edhe si investim në patundshmëri, pasi kanë kthim investimi më të sigurt e të shpejtë me anë të qiradhënies. Çmimet e shitjeve të këtyre ambienteve po rriten, sidomos në zonat më të kërkuara e qendrore, për këtë arsye, mirë është që investime të tilla të bëhen sa më shpejt, aq më mirë.
Çfarë ndryshimesh ka pasur në çmimin e qirasë së njësive tregtarë, si të atyre që ndodhen në rrugët kryesore dhe të atyre që ndodhen në qendrat tregtare?
Ambientet e qendrave tregtare përgjithësisht trajtohen nga kompanitë menaxhuese të tyre, informacionet që kemi janë rastësore dhe sporadike. Por, në lidhje me njësitë tregtare në zonat qendrore, çmimet e qirave shkojnë nga 25-50 euro/m².
Në ndërtimet e reja, sa për qind e tyre do të jenë të dedikuara për njësi biznesi? Nga pritet të vijë kërkesa për këto njësi?
Në tipologjinë e ndërtimeve në Shqipëri, gjithmonë 2-3 kate janë ambiente biznesi, njësi tregtare dhe zyra. Siç e thashë edhe më parë, përveç bizneseve ekzistuese që kërkojnë të rriten apo të rrisin cilësinë e përfaqësimit të tyre në treg me ambiente më prestigjioze dhe cilësore, blerës të mundshëm janë edhe ata që investojnë në blerje pronash të patundshme, si në Shqipëri po ashtu edhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Në çfarë niveli çmimesh pritet që të dalin ofertat e reja?
Në ndërtimet më të mira sot për sot, çmimet e shitjeve të dyqaneve në katet 0 shkojnë nga 8000-15.000 euro/m².
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.