Agjencia “The Point”ka bërë një vlerësim të çmimeve të apartamenteve në kryeqytet, sipas zonave. Ilda Zaloshnja, themeluese e agjencisë, me një përvojë mbi 10 vjeçare si broker, pohon se çmimet luhaten nga 500 euro në periferi (në zonën e Freskut, Yzberishtit, Astirit), në 4000 euro në qendër. –
Zona 1 përbëhet nga: Yzberisht, Unaza e re, Astiri dhe Fresku. Çmimet e shitjes variojnë nga 500 – 700 EUR euro/m2. Në dy vitet e fundit çmimet janë rritur në këto zona me gati 25%.
Zona 2 përbëhet nga Rr. Elbasanit, Rr. Medar Shtylla, Rr. Ali Demi, Rr. Dibres, Stacioni i trenit, dhe Liqeni. Çmimet e shitjes variojnë nga 800 – 1400 euro/m2. Gjatë 24 muajve të fundit në këto zona është vënë re rritje me 20%.
ZonA 3 përbëhet nga Blloku, Garda dhe RTSH. Çmimet luhaten nga 1,800 – 3000 euro/m2. Në 24 muajt e fundit çmimet në këto zona janë rritur me 14%.
Agjencia The Point ka bërë një projeksion të çmimeve për periudhën 2019-2021. Në zonën e Liqenit çmimet e shitjeve aktualisht variojnë midis 800 – 1,400 euro për metër katror.
“Ndërtimet e reja luksoze që pritet të përfundojnë në këtë zonë, me stilin arkitekturor që respekton natyrën, ku kombinohen ambientet tregtare të përshtatshme për lokale, bare, restorante, zyra me ato të banimit, kanë dalë në treg në këtë fazë të ndërtimit me një çmim nga 1700-2200 euro/m2, duke kapërcyer kështu edhe parashikimin e rritjes së gjithë zonës në pergjithesi dhe duke vendosur një standard të ri”, thotë Zaloshnja.
Në zonën e “Sheshit Skënderbe” çmimet e shitjeve aktualisht variojnë midis 1500-1800 euro për metër katror.
“Kjo zonë historike brenda zemrës së Tiranës do të ndërthurë restorantet, tregjet me pakicë, hapësirën për zyra dhe jetesën luksoze të banimit. Ndërtimet e reja, të cilat priten të përfundojnë pas 2-3 vite, do të dalin në shitje me një çmim prej 3500 euro/m2 në fazën fillestare të ndërtimit, për të arritur në 4000 euro/m2 në fazat e mëtejshme të avancuara të punimeve, duke e tejkaluar rritjen e parashikuar në këtë zonë. Në zonën e Radio Televizionit Shqiptar çmimet e shitjeve variojnë midis 1800-3000 euro për metër katror.
“Kjo zonë ekskluzive brenda qendrës së qytetit të Tiranës, do të përmirësojë më tej nivelin, nëpërmjet ndërtimeve të reja ku do të gjenden si ambiente komerciale ashtu edhe ato luksoze të banimit. Parashikimi është që çmimet e shitjeve në fazat fillestare të ndërtimit të shkojnë nga 3000 – 3500 euro/m2, duke rritur me 15% nivelin e çmimeve në zonë”,-pohon ajo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.