Çmimi i energjisë, me të cilin bizneset që kanë detyrimin e sigurimit të saj në treg të lire, por vijojnë ta marrin nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, pësoi rënie në muajin shkurt. Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi tarfiën për muajin e dytë të këtij viti e cila është 10.50 lekë/kwh sipas aplikimit që ka bërë pranë këtij insitucioni Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF). Kjo është hera e parë që nga korriku i 2018-ës që çmimi i energjisë për grupin e bizneseve të lidhura në 35 kilovolt dhe që furnizohen ende nga një kompani e shërbimit publik ulet në këtë nivel.
Dy vitet e fundit ai 2018 kur nisi procesi i liberalizimit dhe 2019 kanë pasur çmime relativisht të kripura në disa raste edhe me gati dyfishim të çmimit me të cilin dikur këto biznese siguronin energjinë në tregun e rregulluar. Kjo edhe si rezultat i situatës së vështirë hidrike. Në janar 2020 të njëjtat biznese paguan një tarifë 12.49 lekë/kwh.
Në vendimin e fundit ERE nënvizon së nga deklarimet e FSHU sh.a., analizës së të dhënave në këtë aplikim në lidhje me procedurat e blerjes së energjisë nga tregu i parregulluar si dhe kurseve zyrtare të këmbimit bazuar nga publikimet e Bankës së Shqipërisë, ka rezultuar çmimi mesatar i ponderuar i blerjes së energjisë elektrike nga tregu i parregulluar për muajin Shkurt 2020 prej 6.269 lek/kwh.
“Në analizën e dokumentacionit të aplikimit që shoqëria FSHU sh.a ka depozituar në ERE, evidentohet se për përcaktimin e Kostove Administrative të Funizuesit të Mundësisë së Fundit, aplikuesi i ka vlerësuar si vijon: shpenzime Operative 0.54 Lekë/kwh, kosto e Borxhit të keq 0.66 Lekë/kwh kompensimi për Humbjet 0.59 Lekë/kwh, kosto administrative gjithsej 1.79 Lekë/kwh”, thuhet në vendimin e ERE.
I njëjti detajon se kësaj kostoje i shtohet edhe tarifa e përdorimit të rrjetit të transmetimit që i paguhet Operatorit të Sistemit të Transmetimit prej 0.75 lekë/këh si dhe tarifa e përdorimit të rrjetit të shpërndarjes në nivelin e tensionit 35 kV që është 1.5 lekë/kwh.
“Për sa përcaktuar për çdo element të formulës llogaritëse rezulton që çmimi i shitjes së energjisë elektrike të furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për muajin Shkurt 2020 të jetë 10.50 lekë/kwh” vlerëson ERE.
Në treg sipas ligjit duhet të kishin dalë tashmë të gjithë bizneset e lidhura në 35 kilovolt që llogariten rreth 90 të tilla dhe pjesa më e madhe i kanë ezauruar procedurat dhe kanë kohë që kanë gjetur furnizues. Për një pakicë OSHEE do të bënte furnizimin deri në datën 17 mars 2020 dhe më pas duhet t’i nxirrte dhe ata në treg të lirë por mbetet e paqartë si ka vijuar procesi në kushtet kur vëmendja tani është tek situata e shkaktuar nga pandemia COVID-19.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.