Nevoja për solidaritet ndërkombëtar dhe bashkëpunim shumëpalësh është më e nevojshme se kurrë. Komiteti Norvegjez i Nobelit vendosi t’i japë Çmimin Nobel për Paqen 2020 “World Food Programme” (WFP – Programi Botëror i Ushqimit), për angazhimin në luftën kundër urisë, ndihmën në përmirësimin e kushteve të paqes në zonat e përfshira nga konfliktet dhe veprimin, si një forcë shtytëse, në parandalimin e përdorimit të urisë si armë lufte dhe konflikti.
“Besoj se kjo është hera e parë në jetën time që kam mbetur pa fjalë” – tha kreu i WFP, David Beasley, për Associated Press nga Nigeri. “U trondita dhe befasova”.
Në vazhdën e pandemisë së koronavirusit, Komiteti Norvegjez i Nobelit tha se WFP “ka shfaqur një aftësi mbresëlënëse në intensifikimin e përpjekjeve”.
“Në vende si Jemeni, Republika Demokratike e Kongos, Nigeria, Sudani i Jugut dhe Burkina Faso, ndërthurja e konflikteve të dhunshme dhe pandemisë ka rritur në mënyrë dramatike numrin e personave që jetojnë në pragun e urisë” – tha Komiteti.
“Me çmimin e këtij viti, Komiteti dëshiron të kthejë sytë e së gjithë botës te miliona njerëz që vuajnë apo përballen me kërcënimin e urisë” – tha Berit Reiss-Andersen, kreu i Komitetit të Nobelit. Programi Borëror i Ushqimit luan një rol kyç në bashkëpunimin shumëpalësh për ta bërë sigurinë ushqimore një instrument të paqes.”
“Deri sa të kemi një vaksinë, ushqimi është vaksina më e mirë kundër kaosit” – tha WFP. Në një tweet WFP bëri “falënderimet më të thella” për çmimin, duke thënë se kjo ishte një “kujtesë e fuqishme për botën që paqja dhe # ZeroHunger ecin dorë për dore”.
“World Food Programme” është organizata më e madhe humanitare në botë që angazhohet në luftën kundër urisë dhe nxit sigurinë ushqimore. Në vitin 2019, WFP siguroi ndihmë për 100 milionë njerëz në 88 vende, viktima të pasigurisë ushqimore akute dhe urisë. Në vitin 2015, zhdukja e urisë ishte një nga objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.
WFP është instrumenti kryesor i Kombeve të Bashkuara për realizimin e këtij qëllimi. Në vitet e fundit, situata ka marrë një kthesë negative. Në vitin 2019, 135 milionë njerëz vuanin nga uria akute, numri më i lartë në shumë vite, kryesisht për shkak të luftës dhe konflikteve të armatosura.