Colangeli i BERZH: Rreziqet që lidhen me PPP-të, rritja do përshpejtohet këtë vit

18/01/2020 10:05 PM 0 komente

Flet Matteo Colangeli, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri: Është më e rëndësishme, sipas mendimit tim, t’i kushtohet vëmendje qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike, veçanërisht në ecurinë e sektorëve kryesorë që mund të gjenerojnë vlerë të shtuar dhe punësim afatgjatë, siç janë turizmi dhe agrobiznesi

 

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pret që rritja ekonomike të përshpejtohet në 3.5% këtë vit, nga 2.8% që është vlerësimi për 2019-n. Z. Matteo Colangeli, kreu i BERZH në Shqipëri thotë se ka hapësira për të siguruar rritje pozitive si lufta ndaj informalitetit, investimet në infrastrukturë, diversifikimi i burimeve të energjisë. Z. Colangeli shton se ka ende shumë më tepër për të bërë për të mbushur hendekun që do të mbetet nga përfundimi i projekteve të TAP dhe hidrocentralit të Devollit. E rëndësishme është që Shqipëria duhet të bëjë përpjekje për t’u ngjitur më lart në zinxhirin e vlerës në sektorë ku ka avantazhe konkurruese. Edhe situata politike vitin e kaluar nuk e ndihmoi klimën e investimeve.

Për projektet e Partneritetit Publik Privat (PPP), kreu i BERZH pohon se ka mospërputhjen që vihet re mes madhësisë së disa prej projekteve dhe të investitorëve që i kanë kërkuar e më pas i kanë fituar këto PPP. Ai propozon që të përdoret modeli me propozime të kërkuara, ku është pala publike që përgatit projektin dhe organizon një tender të hapur konkurrues, ka shumë më shumë të ngjarë të japë rezultate optimale.

 

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë së Shqipërisë gjatë vitit 2019?

Parashikimi ynë për rritjen e PBB-së gjatë vitit 2019 është 2.8%, çka paraqet dukshëm një ngadalësim krahasuar me vitet e fundit. Megjithatë, duhet parë përtej kësaj shifre, veçanërisht kur pjesa më e madhe e ndryshimit nga viti në vit vjen nga ndryshimet në sasinë e reshjeve dhe prodhimi i energjisë hidrike lidhur me to. Është më e rëndësishme, sipas mendimit tim, t’i kushtohet vëmendje qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike, veçanërisht në ecurinë e sektorëve kryesorë që mund të gjenerojnë vlerë të shtuar dhe punësim afatgjatë, siç janë turizmi dhe agrobiznesi. I pari vijoi të ketë një ecuri pozitive në vitin 2019, të paktën për sa tregojnë numrat e vizitorëve. I dyti shënoi një vit të ngadaltë në drejtim të investimeve, pjesërisht sepse bizneset prisnin rezultatet e aplikimeve të tyre për grante IPARD. Pati disa arritje në tërheqjen e investimeve të huaja, e çka është e rëndësishme, edhe në sektorin e prodhimit. Sidoqoftë, ka ende shumë më tepër për të bërë për të mbushur hendekun që do të mbetet nga përfundimi i projekteve të TAP dhe hidrocentralit të Devollit. Situata politike vitin e kaluar nuk e ndihmoi klimën e investimeve.

 

Si është parashikimi juaj për ekonominë shqiptare gjatë vitit 2020? Cilët janë faktorët (vendas dhe të jashtëm) që mund të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht në ecurinë e ekonomisë shqiptare? Veçanërisht, cili do të jetë ndikimi i tërmetit në ekonominë shqiptare?

Ne parashikojmë që rritja e PBB-së të përshpejtohet deri në 3.5% këtë vit. Një sërë faktorësh të jashtëm dhe kryesisht të pakontrollueshëm do të kenë ndikime thelbësore, përfshirë zhvillimet ekonomike në partnerët kryesorë tregtarë të BE-së, dinamikat e tregut global për mallrat e eksportit si nafta dhe kromi / ferrokromi, si edhe, sigurisht, reshjet e shirave dhe prodhimi i energjisë hidrike. Megjithatë, ka disa sfera të rëndësishme, ku mund të ndërmerren masa për të siguruar ecuri pozitive. Së pari dhe më e rëndësishmja, duhen vijuar përpjekjet për të zvogëluar informalitetin, përfshirë edhe në turizëm ku vëmendja duhet të shtohet edhe për rritjen e të ardhurave për vizitor (përtej thjesht numrit të vizitorëve) dhe të cilësisë përgjatë të gjithë eksperiencës së ofruar. Së dyti, kryerja e investimeve në infrastrukturë duhet të përshpejtohet duke u dhënë përparësi atyre që adresojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë pengesat për zhvillimin ekonomik. Së treti, është e rëndësishme të ecet përpara me shpejtësi drejt diversifikimit të burimeve të energjisë, veçanërisht me energjinë diellore. Në lidhje me tërmetin, unë mendoj se do të ketë më shumë qartësi rreth ndikimit të tij në ekonominë shqiptare pasi të përfundojë vlerësimi i nevojave që po kryhet aktualisht me mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë.

 

Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare në mënyrë që të sigurojnë fondet për rindërtim, pas pasojave shkatërruese të tërmetit?

Rezultatet nga procesi i vlerësimit të nevojave duhet të ofrojnë informacionin e nevojshëm për organizimin e një reagimi të strukturuar ndaj shkatërrimit të shkaktuar nga tërmetet. Është e rëndësishme të sigurohet bashkërendimi me partnerët ndërkombëtarë dhe të shfrytëzohet sa më mirë mbështetja e ofruar, si në aspektin e asistencës teknike për përgatitjen e projekteve ashtu edhe në aspektin e financimit të tyre. Konferenca e ardhshme e donatorëve do të jetë një pikë referimi e rëndësishme në këtë drejtim. Një orientim që mund të meritojë vëmendje do të ishte edhe ai ndaj rishikimit të programeve me partnerët ndërkombëtarë, si programet ekzistuese ashtu edhe ato në një fazë të përparuar të përgatitjes, për të shqyrtuar mundësinë e maksimizimit të ndikimit të tyre në zonat më të prekura nga tërmeti.

 

Raporti i fundit i BERZH (Prospekti Ekonomik Rajonal) ishte shumë kritik për programet e partneritetit publik-privat të qeverisë shqiptare. Pse, dhe cilat janë rreziqet e këtyre projekteve dhe si mund të shmangen këto rreziqe?

Rreziqet lidhen kryesisht me natyrën e pa kërkuar të propozimeve të këtyre PPP-ve, çka nënkupton që është investitori ai që kryen përgatitjen teknike të projekteve. Kjo sjell rrezikun që tenderët të mos jenë konkurrues, pasi investitori që ‘kërkon’ një PPP natyrisht do të ketë një avantazh të rëndësishëm informacioni ndaj palëve të tjera të interesuara. Një çështje tjetër e rëndësishme lidhet me mospërputhjen që vihet re mes madhësisë së disa prej projekteve dhe të investitorëve që i kanë kërkuar e më pas i kanë fituar këto PPP. Kjo krijon rreziqe lidhur me aftësinë e këtyre investitorëve për të siguruar burimet e nevojshme, përfshirë financimin, për të realizuar zbatimin e projektit.

Unë besoj se në shumë raste PPP-të mund të jenë mjeti më efikas për ndërtimin e infrastrukturës publike, veçanërisht kur financimi mund të strukturohet sipas fluksit të parave që burojnë nga projekti (si për shembull në rastin e një rruge me pagesë). Megjithatë, modeli me propozime të kërkuara, ku është pala publike që përgatit projektin dhe organizon një tender të hapur konkurrues, ka shumë më shumë të ngjarë të japë rezultate optimale. Për më tepër, kështu qeveria do të ketë edhe më shumë mundësi të sigurojë që projektet zgjidhen sipas përparësisë së duhur dhe janë në përputhje me strategjinë e saj të infrastrukturës.

 

Ndërkohë që dy investime të mëdha, TAP dhe Hidrocentrali i Devollit, po përfundojnë,  cilët janë sektorët (me vlerë të lartë të shtuar) që do të nxisin rritjen në të ardhmen? Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për të mbështetur këta sektorë?

Burimet natyrore dhe energjia janë pasuri të rëndësishme dhe do të vazhdojnë të luajnë një rol kryesor në ekonominë e vendit. Është e rëndësishme që ato të shfrytëzohen duke pasur konsideratën e duhur ndaj mjedisit dhe ndaj ndikimit që ato mund të kenë në sektorët e tjerë me potencial për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm. Shqipëria duhet të bëjë përpjekje për t’u ngjitur më lart në zinxhirin e vlerës në sektorë ku ka avantazhe konkurruese, të tilla si turizmi, agrobiznesi, prodhimi fason dhe shërbimet e nënkontraktuara të biznesit. Natyrisht, janë disa faktorë të ndërthurur që mundësojnë sa më sipër: si investimi në infrastrukturë dhe aftësi, luftimi i informalitetit dhe korrupsionit, si dhe adresimi i problemeve me të drejtën mbi pronën.

Një element specifik që kërkon vëmendje është nevoja për të mundësuar shtimin e kompanive të mesme në një mjedis biznesi i cili karakterizohet nga një pakicë kompanish të mëdha dhe një shumicë ndërmarrjesh mikro. Mbështetja për rritjen e disa prej këtyre bizneseve të vogla, formalizimi dhe rritja e aftësisë së tyre për konkurrueshmëri do të jenë thelbësore për një rritje të qëndrueshme ekonomike.

 

Sektorët

Shqipëria duhet të bëjë përpjekje për t’u ngjitur më lart në zinxhirin e vlerës në sektorë ku ka avantazhe konkurruese, të tilla si turizmi, agrobiznesi, prodhimi fason dhe shërbimet e nënkontraktuara të biznesit. Natyrisht, janë disa faktorë të ndërthurur që mundësojnë sa më sipër: si investimi në infrastrukturë dhe aftësi, luftimi i informalitetit dhe korrupsionit, si dhe adresimi i problemeve me të drejtën mbi pronën.

 

Shqipëria nisi vitin e kaluar një proces konkurrues tenderimi për të dhënë një kontratë për ndërtimin e një impianti PV diellore prej 50 MW në Akerni. I gjithë procesi u mbështet nga BERZH. Kompania fituese ishte India Power Corporation Ltd, por nënshkrimi i kontratës u vonua. Si po shkon procesi tani?

Ne nuk kemi qenë të përfshirë në procesin e tenderimit konkurrues lidhur me projektin në Akernia. Në një moment të mëvonshëm ne përgatitëm një program të rëndësishëm asistence teknike, i cili është duke u zbatuar aktualisht, për të mbështetur Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës në zhvillimin e sektorit të energjisë diellore në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, duke përfshirë edhe këshillimin për përgatitjen në të ardhmen të tenderave konkurrues për shpërndarjen e kapaciteteve prodhuese. Ne besojmë fuqimisht në potencialin e energjisë diellore në Shqipëri dhe jemi të interesuar të financojmë projekte në këtë sektor sapo ato të hyjnë në fazën e zbatimit.

 

BERZH ka pasur një fokus në sektorin hekurudhor dhe një nga projektet është rehabilitimi i hekurudhës ekzistuese dhe seksioni i ri Durrës-Tirane-Rinas. U zhvillua një proces prokurimi ku të paktën 24 kompani shprehën interes. A mund të kemi ndonjë detaj kur do të zgjidhet fituesi dhe kur është afati për fillimin dhe përfundimin e punëve civile?

Unë besoj se kjo është një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e infrastrukturës, që mund të kontribuojë ndjeshëm në rimëkëmbjen ekonomike të zonave të goditura nga tërmetet e fundit. Ne jemi duke e financuar këtë projekt së bashku me një grant të vënë në dispozicion nga BE. Informacioni mbi procesin e prokurimit ndërkombëtar me dy faza, që është duke u zhvilluar, është në dispozicion të publikut dhe afati i synuar për mbylljen e tij është muaji Mars. Pasi të vendoset dhe nënshkruhet kontrata, punimet pritet të përfundojnë përafërsisht brenda dy vjetësh e gjysmë.

 

Si e vlerësoni ecurinë e portofolit të kredisë të BERZH-it në Shqipëri? Cilat janë planet për projekte të reja?

2019-a ka qenë një vit rekord për sa i përket projekteve të reja të realizuara (13) për një total investimi prej pothuajse 150 milionë euro, duke e rritur portofolin tonë në mbi 720 milionë euro; niveli më i lartë që nga fillimi i operacioneve tona në Shqipëri.

2020-a do të jetë një vit i rëndësishëm për ne. Strategjia jonë e re për vendin, për periudhën 5 vjeçare deri në vitin 2025, është aktualisht në fazën e konsultimit publik. Ne do të përqendrohemi në mbështetjen për përmirësimin e qeverisjes në të gjithë ekonominë,  rritjen e konkurrueshmërisë dhe gjithë përfshirjen e sektorit privat, diversifikimin e burimeve të energjisë dhe ekonominë e gjelbër. Për këtë vit kemi në plan investime në infrastrukturë për të zhbllokuar potencialin turistik të vendit. Jemi gjithashtu duke punuar për një instrument financimi të mbështetur nga grante të BE-së për bizneset që operojnë në zinxhirin e vlerës së turizmit. Energjia diellore do të jetë një tjetër përparësi kryesore. Do të vazhdojmë, gjithashtu, të forcojmë partneritetin tonë për ndarjen e rrezikut me bankat vendase për të rritur kreditimin e tyre ndaj ekonomisë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of