Confindustria Albania kërkon shtyrjen e afatit të regjistrit të pronarëve përfitues deri më 30 qershor, pasi kompanitë po hasin vështirësi teknike në regjistrin elektronik dhe se ai nuk funksionon siç duhet.
Nga ana tjetër, Confindustria nënvizon se afati i caktuar përkon edhe me periudhën më të ngarkuar për bizneset, sepse është sezoni i mbylljes dhe deklarimit të pasqyrave financiare dhe auditimit.
“Confindustria Albania është në dijeni të Ligjit nr. 112/2020 dhe VKM pasuese n. 1088/2020, me të cilën ligjvënësi shqiptar i është përshtatur me legjislacionit evropian për pastrimin e parave, duke krijuar një regjistër për pronarët përfitues dhe ka ndërmarrë menjëherë masa për të informuar anëtarët e saj, në mënyrë që të gjitha palët e interesuara (midis tyre edhe vetë Confindustria Albania) të jenë në përputhje me kërkesat e këtij ligji brenda afateve të përcaktuara.
Në kushtet e kufizimeve të shumta të vendosura në Shqipëri dhe jashtë saj, për shkak të situatës së krijuar prej Covid- 19, pavarësisht se investitorët e huaj do të përpiqen të përmbushin detyrimet ligjore brenda 60 ditëve (duke filluar nga 2 shkurti 2021) ne nuk përjashtojmë mundësinë e vonesave për shkaqe të ndryshme që s’varen nga biznesi.
Për më tepër, periudha e përcaktuar në këtë ligj përkon me një periudhë të ngarkuar për drejtuesit e bizneseve, sepse është sezoni i mbylljes dhe deklarimit të pasqyrave financiare dhe auditimit. Për sa më sipër, kërkojmë me mirësjellje që Ministria të rishikojë disa nga afatet e përcaktuara me ligj”.
Më konkretisht, ne do të kërkojmë që:
-“Të shtyhet afati i regjistrimit në regjistrin e pronarëve përfitues deri në 30 Qershor, në mënyrë që t’u jepet mundësia të gjithë investitorëve të huaj të përmbushin detyrimet ligjore, pa u ndëshkuar me gjoba të rënda në këtë moment aspak të favorshëm për likuiditetin e sipërmarjes.
– Të zgjatet vlefshmëria e dokumentave me origjinë të huaj deri në 90 ditë. Teknikisht është e vështirë që një kompani ndërkombëtare të pajiset me dokumentacionin voluminoz në vendin e origjinës, ta apostilojë, ta përkthejë zyrtarisht në gjuhën shqipe dhe ta noterizojë në afatin kohor prej 30 ditësh.
– Janë hasur vështirësi teknike në lidhje me pajisjen me nënshkrim ekektronik të shoqërive me administrator shtetas të huaj – si p.sh administratori merr link-un e regjistrimit me email, por nuk arrin të marrë kodin përkatës për aktivizimin e link-ut, i cili dërgohet në numrin e telefonit.
– Përveç sa më sipër, shumë nga kompanitë anëtare na konfirmojnë që regjistri nuk funksionon siç duhet. Regjistri elektronik nuk krijon as mundësinë e ruajtjes së aplikimit. Nëse procesi i regjistrimit nuk përfundon me sukses për arsye nga më të ndryshmet, aplikimi rifillon nga pika zero, duke i bërë subjektet të humbin kohë të vlefshme në pritje të ngarkimit të dokumentave”, thuhet në komunikatën për shtyp.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.