Constantin von Alvensleben Drejtori i Përgjithshëm i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës do të jetë kryetari i ri i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri. Në mbledhjen e asamblesë vjetore të të anëtarëve të kësaj shoqate mbajtur në 26 shkurt u mor edhe vendimi lidhur me kreun e ri. Bordi i ri Drejtues i FIAA-s përbëhet nga Drejtorë të Lartë të kompanive të rëndësishme në vend: Z. Constantin von Alvensleben Drejtori i Përgjithshëm i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, President i sapo zgjedhur i FIAA-s, Z. Elvin Guri, Investitor në Telekom Albania, Anëtar i Ri i Zgjedhur në Bordin e FIAA-s, Z. Bledar Shella, Drejtori i Përgjithshëm i OTP Bank Albania, Anëtar i Ri i Zgjedhur në Bordin e FIAA-s Z. Rohan D’souza, Kryetar i Kompanive SHELL në Shqipëri, i zgjedhur në vitin 2019, Znj. Stela Dhami Partnere e Colliers International në Shqipëri, e zgjedhur në vitin 2019 Z. Xingyun SSun, Drejtori i Përgjithshëm i Bankers Petroleum Albania, i zgjedhur në vitin 2019 Z. Përparim Kalo Partner në Kalo & Associates, i zgjedhur në vitin 2019.
Kush është Kryetari i ri i FIAA
Constantin von Alavensleben ka një përvojë të gjatë në menaxhimin e aeroporteve dhe aviacionit si edhe në industrinë e zhvillimit të pronave. Ai e njeh Shqipërinë dhe mjedisin e saj të biznesit që nga detyra e tij e parë si Drejtor i Përgjithshëm i TIA-s gjatë viteve 2005-2007, ku ai menaxhoi me sukses fazën fillestare në Aeroportin e vetëm në Shqipëri.
Në Shtator të vitit 2019, Constantin u zhvendos në Shqipëri përsëri, për të ndërmarrë një sfidë të re si Drejtor i Përgjithshëm i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, këtë herë në pronësi të kompanisë kineze ”China Everbright” e cila është e themeluar dhe e regjistruar në Hong Kong.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Ri, falenderoi anëtarët e FIAA-s për besimin dhe zgjedhjen e tij, duke i dhënë mundësinë për të drejtuar një shoqatë të rëndësishme si FIAA.
Me 20 vjet prezencë në Shqipëri, FIAA ka qenë dhe vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm për Shqipërinë në zhvillimin dhe integrimin ekonomik të saj. Shoqata ka konsoliduar një bashkëpunim të qëndrueshëm me autoritetet lokale dhe ndërkombëtare në vend, duke u pozicionuar si pjesë e strukturave të ndryshme këshilluese, me fokus klimën e biznesit në vend dhe për përthithjen e investime të reja. FIAA numëron 80 kompani anëtare, mes tyre korporata të mëdha ndërkombëtare si Shell, Statkraft, banka të rëndësishme ndërkombëtare dhe kompani me përvojë në telekomunikacion, infrastrukturë, energji, real estate.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.