Presidenti amerikan sulmon Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Por pjesa më e madhe e akuzave të tij janë të pabaza
Presidenti amerikan, Donald Trump, duket se është armiqësor ndaj çdo organizate ndërkombëtare. Shënjestra e tij më e fundit ka qenë Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe drejtuesi i saj, Tedros Adhanom Ghebreyesus, një mikrobiolog i cili dikur ka qenë ministër i Shëndetësisë i Etiopisë, shkruan The Economist. Zoti Trump e ka akuzuar organizatën për keqmenaxhimin e pandemisë së koronavirusit që është përhapur tashmë në të gjithë planetin. Si pasojë, ai thotë se do të ndalojë kontributin financiar të Amerikës për OBSH, deri në pritje të një hetimi zyrtar. Meqenëse taksapaguesit amerikanë kontribuojnë me 15% të buxhetit vjetor të OBSH prej 4.5 miliardë dollarësh, ky është pa dyshim një kërcënim serioz.
Kritikët si zoti Trump kanë të drejtë në vëzhgimin e tyre se drejtuesit e OBSH janë treguar të butë ndaj Kinës, burimit gjeografik të virusit shkaktar të Covid-19, sars-cov-2. Vetë doktor Tedros ka lavdëruar presidentin e Kinës, Xi Jinping, për “udhëheqjen e tij politike”. Sidoqoftë, ai ka vlerësuar gjithashtu edhe zotin Trump për “punën e tij të shkëlqyer”. Kjo sjellje e butë është pasojë e faktit se vetëm me bashkëpunimin e vendeve të saj anëtare, OBSH mund të jetë në gjendje të kryejë punën e saj të zakonshme, duke mbledhur të dhëna, duke i peshuar ato dhe duke dhënë këshilla dhe mbështetje në të gjithë botën. Kjo vlen jo vetëm për epidemitë e papritura si kjo e tanishmja, por edhe për sëmundjet e tjera që marrin jetë çdo ditë, si fruthi, malaria, HIV-i, tuberkulozi, poliomieliti, diarreja, kequshqyerja, kanceri dhe diabeti.
Realizimi i punës me efikasitet në kontekstin e epidemisë përfshin informimin e shteteve anëtare për mënyrat si mund të përmbahet koronavirusi, mbledhjen e provave për të gjetur cilat masa janë efektive dhe cilat jo, dhe mbledhjen e të dhënave mbi gjithçka tjetër, duke filluar nga përdorimi i ilaçeve, deri në mënyrën se si mjekët trajtojnë pacientët. OBSH gjithashtu ofron mbështetje për programet e testimit të koronavirusit dhe këshilla në lidhje me testet që duhet të përdoren dhe si ato duhet të ekzekutohen dhe ndihmon në zhvillimin e mënyrave për të provuar efikasitetin e testeve. Organizata gjithashtu po koordinon studimet dhe provat klinike për ilaçet dhe vaksinat kundër sars-cov-2.
Pa dyshim që organizata ka të meta. Për shembull, vjet u kritikua për ngurrimin e saj në shpalljen e emergjencës ndërkombëtare të shëndetit publik gjatë shpërthimit të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos (DRC), megjithëse në fund e shpalli atë. Edhe përgjigjja e saj gjatë dhe pas një shpërthimi të mëparshëm të Ebolës në Afrikën Perëndimore në vitin 2013 tërhoqi kritika, megjithëse kjo ndodhi para se të vinte në krye doktor Tedros. Një raport mbi këtë çështje, botuar në vitin 2017 nga Royal Society, akademia më e lartë shkencore në Britani, thoshte se “pavarësisht se OBSH ofroi një udhëheqje normative gjatë shpërthimit të Ebolës, sipas Kushtetutës së saj, ajo nuk dha një përgjigje efektive operative”. Sidoqoftë, kjo kritikë u ndoq nga një vëzhgim me vend: “por as nuk kishte mandat për ta bërë këtë”. Pa mbështetjen e qartë të anëtarëve të saj, OBSH nuk mund të veprojë.
Kur e pyetën mbi kritikat ndaj OBSH-së, David Heymann nga Shkolla e Higjienës dhe e Mjekësisë Tropikale në Londër, e anashkaloi pyetjen duke thënë se ishte me të vërtetë e jashtëzakonshme shpejtësia me të cilën është kuptuar se ç’po ndodh me sars-cov-2 dhe se tensionet midis shteteve nuk e kanë ndalur rrjedhën e informacionit teknik që këto shtete kanë siguruar. Për shembull, ai tha se më 14 prill, Qendra e Kinës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kishte ndarë informacione me OBSH-në në lidhje me karantinën, strategjitë e tyre të zhbllokimit, çfarë po zbulojnë në lidhje me heqjen e masave izoluese dhe shqetësimet e tyre kryesore për çështjen e izolimit.
Doktor Tedros ka udhëhequr një përpjekje për të reformuar organizatën, por kjo është një punë e vështirë. Për shkak se shumica e parave që merr OBSH lidhen me projektet e preferuara të vendeve anëtare, organizatës i mbeten pak para për të investuar në çështje të tjera. Prandaj kur ballafaqohet me një emergjencë të tillë si Covid-19, OBSH i duhet të mbledhë fonde në mënyrë të menjëhershme. Sidoqoftë, nuk mund të fajësohet për mungesë largpamësie. Vitin e kaluar, kur doktor Tedros po haste vështirësi në grumbullimin e parave për të penguar përhapjen e Ebolës në Kongo, ai theksoi se donatorët nuk paguajnë derisa të ketë arritur pika e “frikës dhe panikut”. Ai sugjeroi se zgjidhja do të ishte një financim më i rregullt i organizatës, për të qenë të përgatitur më mirë për epidemitë e ardhshme. Sa mirë do të ishte sikur t’ia kishin vënë veshin atëherë.