Për shkak të pengesave të reja, vendi mund të mos ketë një rezultat të pastër zgjedhor
Në debatin e fundit me Hillary Clinton në vitin 2016, Donald Trump nuk premtoi se do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme. Ditën tjetër, ai e bëri pozicionin e tij më të qartë. “Do t’i pranoj plotësisht rezultatet e këtyre zgjedhjeve presidenciale të mëdha dhe historike”, tha ai me një ton solemn tallës, dhe duke tundur gishtin: “Nëse jam unë fituesi”. Këto fjalë u shoqëruan nga brohoritjet e turmave, shkruan The Economist.
Në fund, presidenti Trump arriti të siguronte fitoren me 304 vota të Kolegjit Elektoral, krahasuar me 227 që mori zonja Clinton, kështu që mënyra sesi do të kishte reaguar në rast humbjeje, mbetet një çështje spekulimi. Këtë vit, duket se ka një shans të madh që ai të mos fitojë.
Sipas modelit të parashikimit të zgjedhjeve nga The Economist, shanset aktuale janë një në shtatë. Megjithatë, zoti Trump, mohon çdo mundësi që ai mund të humbasë një garë të ndershme: “E vetmja mënyrë se si mund të humbas në këto zgjedhje, është nëse ato janë të manipuluara”, deklaroi para mbështetësve në gusht. Pa dyshim se, nëse ai humbet me të vërtetë, do të pretendonte se zgjedhjet janë vjedhur.
Është shumë e pamundur që një mashtrim i tillë të ndodhë më 4 nëntor. William Evanina, i cili drejton Qendrën Kombëtare të Kundërzbulimit dhe Sigurisë, thotë se Kina dhe Irani i janë bashkuar Rusisë në përpjekjen për të ndikuar në këto zgjedhje nëpërmjet mjeteve të fshehta, për më tepër që Rusia nuk ka paguar ndonjë çmim të madh pasi e bëri këtë herën e kaluar.
Ky është një zhvillim tronditës. Por edhe sikur këto shtete të përpiqeshin bashkërisht në këtë drejtim, nuk ka asnjë arsye për të menduar se ato mund të vendosnin rezultatin. Sistemi zgjedhor amerikan është mjaft i decentralizuar dhe përpjekjet për të manipuluar votën në një shkallë të gjerë janë të vështira. Dhe megjithëse mashtrimi në votime ndodh herë pas here, si personalisht ashtu edhe me fletëvotime që mungojnë, ai ndëshkohet ashpër dhe është shumë i rrallë; studime të ndryshme kanë konstatuar se shkalla e mashtrimit është nën një në një milion vota të hedhura.
Por kjo nuk do të thotë se protestat e zotit Trump nuk do të sjellin asnjë pasojë. Amerika është thellësisht e polarizuar në këtë moment dhe në disa vende, demonstrues të armatosur kanë dalë nëpër rrugë për të protestuar. Të dyja palët i kanë portretizuar zgjedhjet e këtij viti si jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e Amerikës, duke paralajmëruar se vendi do të ndryshojë përgjithmonë për keq nëse kandidati tjetër fiton.
Raundi i ri i ndërhyrjeve të huaja, së bashku me gënjeshtrat dhe frikësimet që vijnë nga vetë presidenti, e përforcojnë edhe më tepër çorientimin dhe idenë e përhapur se asgjëje nuk i duhet zënë besë. Si rezultat, një numër i konsiderueshëm i amerikanëve nga të gjitha vijat politike, dyshojnë se zgjedhjet do të mbahen në mënyrë të drejtë (shih grafikun). Mbi të gjitha, zgjedhjet po mbahen gjatë një epidemie që, deri në ditën e zgjedhjeve, do të ketë vrarë mbi 200,000 veta.
Në qershor, një grup veteranësh, zyrtarësh të zgjedhur, gazetarësh dhe akademikësh jopartiakë të mbledhur nga Projekti i Integritetit të Tranzicionit, një grup i themeluar vitin e kaluar, parashikoi katër rezultate të ndryshme të mundshme për zgjedhjet: një fitore e madhe për Joe Biden, një fitore e ngushtë për zotin Biden, një fitore e ngushtë për zotin Trump, që do të arrihej si zgjedhjet e kaluara, pa fituar shumicën e votave popullore, dhe një rezultat ku identiteti i fituesit do të ishte i paqartë, për shkak të kontestimeve. Në të katër skenarët, parashikohen manipulime dhe trazira të një niveli që nuk është parë ndonjëherë në zgjedhjet amerikane të kohëve të fundit. Sipas skenarit të një fitoreje të ngushtë të zotit Biden, shërbimi sekret e shoqëron zotin Trump jashtë Shtëpisë së Bardhë Ditën e Inaugurimit. Është e vështirë të mbivlerësohet domethënia e këtyre pamjeve për amerikanët – dhe për pjesën tjetër të botës.
Më tepër nuk është gjithnjë më mirë
Në parim, zgjedhjet janë një proces mjaft i thjeshtë. Duhen identifikuar njerëzit me të drejtë vote; u duhen siguruar atyre mjetet për të votuar; dhe duhen numëruar me saktësi votat; pas kësaj, thjesht duhen respektuar rezultatet siç e kërkon Kushtetuta.
Për sa i përket hapit të parë, Kushtetuta e Amerikës thotë se mund të votojnë vetëm qytetarët amerikanë dhe se ata mbi moshën 18 vjeç, nuk mund të ndalohen ta bëjnë këtë në bazë të racës ose gjinisë së tyre. Akti për të Drejtat e Votimit në vitin 1965, u përqendrua në kërkesat ligjore, si provat e aftësisë në shkrim dhe lexim dhe taksat e votimeve. Duke përdorur këto të fundit, demokratët në shtetet jugore po komplotonin të hiqnin të drejtën e votës në bazë racore. Pas këtyre ndryshimeve, shumë të bardhë konservatorë në jug u kthyen nga demokratë në republikanë.
Me kalimin e dekadave, të bardhët konservatorë janë përqendruar gjithnjë e më tepër në Partinë Republikane dhe përbëjnë një pjesë gjithnjë e më të vogël të elektoratit amerikan. Kështu, partia ka zhvilluar një interes për të kufizuar pjesëmarrjen elektorale, në vend që ta rrisë atë. Siç e tha zoti Trump në fillim të këtij viti, duke diskutuar një propozim për të zgjeruar votimin postar, “Ata kishin nivele votimi për të cilat, nëse do të ishe ndonjëherë dakord, në këtë vend nuk do të zgjidhej më kurrë një republikan”.
Ngritja e barrierave ndaj votimit, është bërë më e lehtë që në vitin 2013, kur Gjykata e Lartë rrëzoi një dispozitë të Ligjit për të Drejtat e Votimit, e cila kërkonte që juridiksionet me një histori të diskriminimit racor, të kërkonin miratimin e Departamentit të Drejtësisë, për çdo ndryshim zgjedhor që ndërmerrnin. Në vitin 2016, një gjykatë federale rrëzoi një ligj në Karolinën e Veriut mbi identitetin e votuesve, sepse ai “shënjestronte afro-amerikanët me një saktësi pothuajse kirurgjikale”. Fakti që gjykatat morën këtë vendim është shpresëdhënës; por fakti që kjo ishte e nevojshme, është vërtet zhgënjyes.
Sidoqoftë, elektorati i Amerikës po bëhet gjithnjë e më i larmishëm. Këtë vit, personat me ngjyrë përbëjnë një të tretën e personave me të drejtë votimi, një shifër rekord. Hispanikët e tejkalojnë për herë të parë numrin e afro-amerikanëve. Elektorati është gjithashtu më i ri – një tjetër faktor që favorizon demokratët. Shumica e analistëve parashikojnë një pjesëmarrje të lartë në nëntor. Deri në 70% e elektoratit prej 240 milionë vetash pritet të votojë, krahasuar me 60% në zgjedhjet e vitit 2016 dhe 50% në zgjedhjet e ndërmjetme të vitit 2018.
Por nuk do ta kenë të lehtë. Konferenca e Lidershipit për të Drejtat Civile dhe të Njeriut, ka zbuluar se gati 1,700 qendra votimi u mbyllën midis viteve 2012 dhe 2018 në shtete që më parë duhej të zbatonin dispozitën e Ligjit për të Drejtat e Votimit. Numri më i madh i qendrave të mbyllura ka qenë në Teksas, Arizona dhe Xhorxhia – tre shtete kyçe këtë vit. Shumë nga mbylljet janë në zona ku popullsia është më së shumti me ngjyrë ose hispanike.
Mbylljet e qendrave të votimit do të çojnë në rritjen e radhëve të votimit diku tjetër, dhe radhët janë tashmë një problem. Qendra e Politikave Asnjanëse, zbuloi se në vitin 2016, mbi 560,000 votues nuk arritën të votojnë për shkak të problemeve me menaxhimin e qendrave të votimit, përfshirë radhët e gjata. Në mënyrë të parashikueshme, një studim i zgjedhjeve të ndërmjetme të vitit 2018 nga Qendra e Drejtësisë Brennan, zbuloi se votuesit me ngjyrë dhe latinë, kishin të ngjarë të prisnin në radhë për të votuar më shumë se 30 minuta se votuesit e bardhë. Vonesa të tilla e dekurajojnë votimin edhe në kohë të mira.
Dhe këto nuk janë aspak kohë të mira. Covid-19 nuk e bën tërheqës qëndrimin në një radhë të gjatë në nëntor. Kjo gjithashtu mund të zgjasë radhët dhe kohën e nevojshme për të votuar. Për shkak të pandemisë, Wisconsin kishte probleme në rekrutimin e punëtorëve të mjaftueshëm për zgjedhjet primare në prill; si rezultat, qyteti më i madh i shtetit, Milwaukee, kishte vetëm pesë qendra votimi, nga 180 në vitin 2016.
Që nga ajo kohë, ka pasur më shumë kohë për planifikim, gjë që padyshim do t’i përmirësojë gjërat, por Amerika vazhdon të ketë mungesa në punonjësit e qendrave të votimeve. Tashmë që qeveritë lokale janë ngushtë në para, kanë filluar të ndërhyjnë ndërmarrjet private: Shoqata Kombëtare e Basketbollit, për shembull, thotë se do të shndërrojë shumë prej stadiumeve të saj në qendra votimi.
Koronavirusi nuk është kërcënimi i vetëm i padukshëm që duhet të marrin parasysh vende të tilla. Viruset kompjuterike, ransomware dhe sulme të tjera janë gjithashtu një shqetësim. Komiteti i Inteligjencës i Senatit, i cili kryesohet nga republikani Marco Rubio, në vitin 2019, arriti në përfundimin se hakerat rusë hetuan të gjitha sistemet elektorale të 50 shteteve në vitin 2016, duke kërkuar për dobësi. Aftësia e Kongresit për të vëzhguar çfarë po ndodh këtë herë, mund të jetë e kufizuar.
John Ratcliffe, një kongresmen me tre mandate pa përvojë të mëparshme në fushën e inteligjencës, i cili është caktuar kohët e fundit si drejtor i Inteligjencës Kombëtare, e ka ndalur informimin e Komitetit të Inteligjencës së Kongresit, të udhëhequr nga demokratët. Ai pretendon se njoftimi me shkrim do të zvogëlojë mundësinë e përhapjes së padëshiruar të informacionit; kjo mënyrë gjithashtu do t’u mohojë anëtarëve të komisionit mundësinë për ta marrë atë në pyetje. Sipas zotit Rubio, zoti Ratcliffe do të vazhdojë informimet personale për Komitetin e Senatit.
Në nivelin shtetëror, sipas Marian Schneider, presidente e grupit jo-partiak “Votim i Verifikuar”, që përqendrohet në teknologjinë e zgjedhjeve, “ka pasur përmirësime të konsiderueshme” që nga viti 2016. Shumë shtete kanë hequr qafe makineritë e votimit që nuk prodhojnë gjurma letre për vlefshmëri, gjë që u hapte rrugë mashtrimeve. Por sipas zonjës Schneider duhet bërë shumë më tepër: “Amerika e ka pasur prej kohësh të nënfinancuar infrastrukturën zgjedhore”.
Dhe mbështetja e re nuk arrin gjithmonë aty ku nevojitet më tepër. Sipas Mac Warner, i cili është zyrtari kryesor zgjedhor në West Virginia, “pjesa më e prekshme është qarku. Ata mund të mos kenë një zyrtar informacioni, edhe sikur ta dinin problemin, mund të mos kishin para për ta rregulluar”.
Një situatë e pazakontë
Nuk ka ndonjë rrezik domethënës që hakerat, madje edhe ata me mbështetjen e shteteve, të arrijnë të transformojnë rezultatin e zgjedhjeve në shkallë kombëtare. Por pirateria në një qark vendimtar në një shtet kyç, është një detyrë shumë më pak e vështirë, siç është edhe dëmtimi i sistemit zgjedhor shtetëror për disa orë në ditën e zgjedhjeve, duke rritur kështu kohën e pritjes së votuesve dhe duke humbur besimin e publikut. Vetë fakti që amerikanët po zhvillojnë biseda të tilla, është një fitore për aktorët e këqij. Siç shpjegon zonja Schneider, “Ideja shkatërruese se zgjedhjet tona janë të manipuluara dhe dikush do t’i sulmojë, është pothuajse po aq e keqe sa vetë akti”.
Fatkeqësisht, kjo nuk është ideja e vetme shkatërruese që është përhapur në Amerikë. Zoti Trump po bën çmos për të ulur besimin në një nga proceset kryesore ku po mbështeten shtetet dhe individët për të lehtësuar zgjedhjet në një kohë kur mbizotëron një sëmundje infektive: votimi me postë.
Në 34 shtete, tani çdo votues mund të kërkojë të drejtën e votimit me postë, për çdo arsye. Pothuajse çdo shtet kyç hyn në këtë kategori, dhe frika nga Covid-19 mund t’i shtyjë më shumë votues për të shfrytëzuar rastin. Në një sërë shtetesh, mundësia për të votuar me postë është zgjeruar ose po zgjerohet posaçërisht si masë ndaj Covid-19 (shih grafikun 2). Kjo i bën votuesit të ndihen më të sigurt dhe ul presionet në qendrat e votimit. Katër shtete, së bashku me Uashington, DC, do t’u shtohen radhëve të atyre shteteve të cilat, si Kolorado, dërgojnë fletëvotime me postë për çdo votues të regjistruar.
Zoti Trump ka luftuar kundër këtyre ndryshimeve që nga fillimi i verës: “ME MILIONA FLETËVOTIME ME POSTË DO TË SHTYPEN NGA VENDET E TJERA. DO TË JETË SKANDALI MË I MADH I KOHËVE TONA!”; Votimi me postë është “një katastrofë e korruptuar” që “do të çojë në ZGJEDHJET MË TË KORRUPTUARA në historinë e kombit tonë”; e kështu me radhë.
Armiqësia e tij nuk kufizohet vetëm në Twitter; zgjerimet e votimit me postë janë ndër ndryshimet më të mëdha në rregullat e votimit gjatë epidemisë Covid-19, që po sfidohen aktualisht në gjykata. Sipas Justin Levitt, një profesor në Shkollën e Drejtësisë Loyola, deri më 31 gusht, gjykatat në 43 shtete, Porto Riko dhe Distriktin e Kolumbisë, po shqyrtojnë të paktën 228 raste të tilla.
Kur rregullat ndryshojnë shpejt në përgjigje të një emergjence, shqyrtimi ligjor është diçka e mirë. Megjithatë, është e dukshme se shumica e rasteve ka të bëjë me demokratë të cilët bëjnë presion për akses më të gjerë ndaj fletëve të votimit dhe republikanë që kërkojnë të kundërtën.
Marrim për shembull Pensilvaninë, një shtet kyç ku zoti Trump fitoi me diferencë të ulët në vitin 2016 dhe ku sondazhet aktualisht tregojnë se është prapa zotit Biden. Vjet, shteti i ndryshoi dispozitat për votimin në mungesë; fushata e zotit Trump po sfidon një pjesë të këtij zgjerimi. Fushata gjithashtu ka hedhur në gjyq Nevadan mbi një ligj që i dërgon nga një fletë votimi çdo votuesi të regjistruar (diçka që e bëjnë edhe disa shtete të tjera perëndimore), rrit numrin e qendrave të votimit dhe u lejon personave jo të afërm të dorëzojnë fletët e votimit të votuesve të moshuar ose me aftësi të kufizuara. Ekipi ligjor i zotit Trump pretendon pa prova se të gjitha këto procese rrisin rrezikun e mashtrimit.
Tashmë disa çështje kanë mbërritur deri në Gjykatën e Lartë, ku shumica konservatore ka treguar pak interes në zgjerimin e pjesëmarrjes së votuesve, pavarësisht zemërimit të pakicës liberale. Kur shumica rrëzoi një vendim nga një gjykatë e Wisconsin për të pranuar votimet e vona në zgjedhjet primare të shtetit, gjykatësja Ruth Bader Ginsburg shkroi se nuk mund t’i besohej që gjykata po rrezikonte heqjen e të drejtave, duke e trajtuar votimin gjatë një pandemie si të ishte një zgjedhje e zakonshme.
Në korrik, gjykatësja Sonia Sotomayor i bëri vërejtje shumicës për faktin se kishte lejuar Floridën t’i hiqte të drejtën e votimit rreth 800,000 personave të liruar nga burgu. Në vitin 2018, votuesit e Floridës miratuan një ndryshim kushtetues që i lejonte të gjithë kriminelëve, përveç vrasësve dhe përdhunuesve, të votonin pasi kishin përfunduar dënimin. Në përgjigje të këtij veprimi, legjislatura e kontrolluar nga republikanët, e ripërcaktoi përfundimin e një dënimi me burg, duke përfshirë pagimin e të gjitha gjobave dhe tarifave.
Gjykata e Lartë nuk u bind nga argumentet që sugjeronin se kjo ishte një taksë për votën. Gjykatësja Sotomayor shkroi se duke ratifikuar një skemë “paguaj që të votosh”, sipas së cilës ish-shkelësit e ligjit duhet të paguajnë të gjitha gjobat para se të lejohen të hyjnë në një qendër votimi, Gjykata e Lartë po vazhdon trendin e mbështetjes së heqjes së të drejtës së votës”.
Për shkak të kohës së kufizuar në dispozicion, shumë nga këto pyetje zgjedhore po i drejtohen gjykatës si kërkesa urgjente; në raste të tilla, gjykatësit japin vendime me pak ose aspak shpjegim pas vetëm një njoftimi të pjesshëm, pa dëgjim të drejtpërdrejtë dhe me diskutim të shpejtë, dhe i zbulojnë votat e tyre vetëm nëse kanë dëshirë. Dale Ho, drejtori i projektit për të drejtat e votimit në Unionin Amerikan të Lirive Civile, argumenton se gjyqtarët “duhet të shpjegojnë më tepër arsyetimin e tyre” në çështjet që lidhen me ligjin zgjedhor, në mënyrë që të sigurojnë një udhëzues për gjykatat më të ulëta dhe raundin tjetër të çështjeve gjyqësore.
Rick Pildes, një profesor i drejtësisë në Universitetin e Nju Jorkut, thotë se gjykatësit duhet të përpiqen për “konsensus të konsiderueshëm” në nxjerrjen e vendimeve mbi rregullat e votimit, nëse duan që rezultatet e zgjedhjeve të “pranohen gjerësisht si të ligjshme”.
Nën hije
Teksa gjykatat merren me çështjet e ngritura nga përgjigjet e shteteve ndaj Covid-19, zyrtarët e zgjedhjeve duhet t’i vënë këto vendime në praktikë. Ballafaqimi me sistemet e reja të numërimit që respektojnë kërkesat e distancimit social, duke menaxhuar njëkohësisht votimin në mungesë dhe me postë, do të jetë i vështirë. Në zgjedhjet paraprake të Nju Jorkut, më 23 qershor, numri i fletëve të votimit me postë të kthyera në New York City, ishte dhjetë herë më i lartë se zakonisht. Me mijëra njerëz nuk i morën fletët e votimit që kërkuan; fituesit në disa gara të Kongresit u njoftuan më shumë se një muaj më vonë.
Për t’u numëruar, fletët e votimit duhet të arrijnë aty ku duhet në një datë të caktuar, pa marrë parasysh se kur janë dërguar ose vulosur. Kjo është arsyeja pse Louis DeJoy, një donator bujar republikan, që shërben si gjeneral postar, është kritikuar ashpër. Pasi u emërua në maj, zoti DeJoy u përgatit për ndryshime operacionale në Shërbimin Postar të Shteteve të Bashkuara (USPS), një institucion ku ai nuk kishte punuar kurrë më parë. Këto përfshinin kufizime në kohën shtesë dhe kufizime në numrin e udhëtimeve që transportuesit e postës mund të kryenin në zyrën postare për të marrë më shumë zarfe.
USPS gjithashtu ka hequr me qindra makina për klasifikimin e fletëvotimeve postare nga magazinat e përpunimit, gjë që e bën shpërndarjen më të ngadaltë. Në Miçigan – një shtet vendimtar, të cilin, ashtu si Pensilvania, zoti Trump e fitoi me një rezultat të ngushtë në vitin 2016, dhe ku pritet të humbasë këtë vit – zyrtarët e Unionit Postar thonë se heqja e makinave ka ngadalësuar kapacitetin e klasifikimit me 270,000 fletëvotime postare në orë. Që një fletë votimi të numërohet në Miçigan, ajo duhet të mbërrijë në bordin e zgjedhjeve të qarkut deri në ditën e zgjedhjeve, pa marrë parasysh datën e vulës postare; kështu, një fletëvotim i vonuar mund t’i heqë lehtësisht një votuesi të drejtën e votës.
Zoti DeJoy ka thënë se e gjithë kjo bëhet me qëllimin e uljes së kostove. Të tjerë i shohin ndryshimet e tij si sabotime të qëllimshme, të imponuara shumë shpejt para zgjedhjeve presidenciale që do të varen shumë nga fletëvotimet e postuara. Të paktën 20 shtete kanë hedhur në gjyq USPS-në për këto ndryshime, ose kanë njoftuar se planifikojnë ta bëjnë këtë. Zoti DeJoy e siguroi Kongresin në gusht se USPS ishte në gjendje të përballonte zgjedhjet e ardhshme. Dhe nën presionin publik, ka premtuar se nuk do të ketë ndryshime të mëtejshme operacionale. Por ai nuk është zotuar t’i kthejë mbrapsht ndryshimet e bëra deri tani.
Këto barra të reja mbi sistemet e ndryshuara i rrisin shanset që Amerika të mos ketë një rezultat të pastër natën e zgjedhjeve. Ky ishte një nga përfundimet kryesore të nxjerra nga Projekti i Integritetit të Tranzicionit. Një numër shtetesh kyçe i ndalojnë zyrtarët e zgjedhjeve të rendisin fletët e votimit me postë përpara ditës së zgjedhjeve, gjë që i zgjat ditët e numërimit.
Zyrtarët gjithashtu duhet të verifikojnë votat e përkohshme të hedhura nga votuesit, e drejta e votës së të cilëve është e pavendosur, për shkaqe të tilla si, harrimi i kartës së identitetit, ndryshimi i adresës ose gabim në listat e votuesve. Një verifikim i tillë mund të zgjasë pak personalisht; por mund të duhet më shumë kohë për votat e postuara.
Jocelyn Benson, një demokrat që është sekretari i Shtetit i Miçiganit, thotë se hendeku midis mbylljes së sondazheve dhe shpalljes së rezultateve “është ai kur ne parashikojmë se disa individë… mund të nxisin pasiguri dhe të mbjellin dyshime për shenjtërinë e procesit… Duke siguruar vazhdimisht informacion dhe duke qenë transparentë, ne shpresojmë t’i zbusim këto përpjekje”.
Hendeku është veçanërisht shqetësues për shkak të gjasave që fletët e votimit të numëruara herët mund të tregojnë një histori të ndryshme nga ato të numëruara më vonë. Pas zgjedhjeve të vitit 2012, Edward Foley, një profesor i drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Ohajos, vuri re një tendencë që tregonte se votat e numëruara më vonë favorizonin demokratët. Ai e quajti këtë fenomen “zhvendosja blu”. Për shembull, në Pensilvani, fletët e votimit të numëruara vonë kanë shtuar rreth 20,000 vota më shumë në favor të demokratëve në katër zgjedhjet e fundit presidenciale. Në vitin 2016, epërsia e zotit Trump në këtë shtet, zbriti nga 67,951 natën e zgjedhjeve, në vetëm 44,292 në fund të saj.
Ekzistojnë faktorë të ndryshëm që shkaktojnë “zhvendosjen blu” dhe rëndësia e tyre relative është çështje e debatueshme. Këtu luan rol të konsiderueshëm ndarja urbane/rurale. Numërimi nëpër zonat rurale është përgjithësisht më i shpejtë dhe zonat rurale janë në përgjithësi më republikane. Votuesit e rinj dhe urbanë, janë më të prirë për të votuar për Partinë Demokrate dhe mund të kenë më shumë gjasa të votojnë me vota të përkohshme.
Këtë vit, fletëvotimet me postë mund të rrisin zhvendosjen në vendet ku numërohen vonë, ose ku numri i tyre i madh bllokon sistemin. Fletëvotimet me postë normalisht nuk pritet të tregojnë një model mbështetjeje të ndryshëm nga ai që vihet re në zgjedhjet në tërësi. Por këtë vit, mbështetësit e zotit Biden priren të jenë më të shqetësuar për Covid-19 sesa ata të zotit Trump, të cilët normalisht kanë të njëjtat pikëpamje me të për sa i përket mospëlqimit të këtij procesi. Një sondazh i fundit nga YouGov zbuloi se gjysma e mbështetësve të zotit Biden planifikonin të votonin me postë, krahasuar me vetëm një të pestën e zotit Trump.
Një zhvendosje e madhe blu ngre mundësinë e një “mirazhi të kuq”: pra, një situatë ku zoti Trump do të duket se po udhëheq gjatë kohës kur njerëzit janë mësuar të dëgjojnë shpalljen e rezultatit nga rrjetet televizive, por do të mbetet prapa teksa numërimi do të vazhdojë. Llogaritjet e bazuara në modelin tonë të parashikimit të zgjedhjeve, krijojnë një ide se si mund të duket kjo situatë (shih grafikun 3).
Megjithëse pa dyshim që ka mundësi gabimi, modeli aktual parashikon se, kur të numërohen të gjitha votat, zoti Biden do të fitojë 334 vota të Kolegjit Elektoral. Imagjinoni sikur çdo shtet do të ketë një dyfishim të fletëvotimeve me postë dhe fletëvotimeve të tjera të vonuara, gjë që nuk është e sigurt, por duket e arsyeshme, dhe që përqindja e votave pro Biden në ato fletëvotime postare do të ishte 75%.
Kjo përputhet me çfarë kanë deklaruar votuesit në YouGov për qëllimet e tyre, kur bëhet fjalë për votimin me postë ose paraqitjen personalisht. Në një fazë kur janë numëruar vetëm 70% e votave me shumicë pro-Biden, zgjedhjet do të duken si një fitore e qartë për zotin Trump. Vetëm pasi të numërohen 90% e tyre, do të bëhen të qarta rezultatet e vërteta për secilin shtet.
Në të vërtetë, nuk do të ketë një mirazh kombëtar të përhapur në mënyrë kaq të barabartë. Por kushtet e nevojshme për luhatjet e vona do të jenë të pranishme në shumë shtete. Miçigani pret që pjesa e votave në mungesë, të trefishohet nga nivelet e vitit 2018. Në shtetet kyçe Wisconsin dhe Karolina e Veriut, ku në vitin 2016, përkatësisht 5% dhe 4% e votave u hodhën me postë, shanset e një ngritjeje të vrullshme duken të mëdha.
Dhe nëse zoti Trump arrin atë që duket si një mirazh në një shtet të vetëm kyç – për shembull, nëse sheh një udhëheqje të vogël në Pensilvani, të ngushtë vetëm me 20,000 votat e zakonshme, dhe pastaj vazhdon të ngushtohet – efekti në tablonë e zgjedhjeve, madje edhe në procesin e tij themelor, do të bëhet kombëtar.
Nils Gilman nga Instituti Berggruen, një nga themeluesit e Projektit të Integritetit të Tranzicionit, thotë se një nga mësimet që mori në qershor ishte se “agresioni i lëvizjes së parë kishte një efekt vërtet vendimtar në mënyrën sesi luhet loja”.
Nëse në vend që të shkruajë në Twitter se numërimi duhet të ndalë, siç bëri kur pa zhvendosjen blu në vitin 2018, zoti Trump jep urdhra konkretë për këtë qëllim, ato mund të zbatohen. Gati 80 grupe, me prirje të majtë, janë bashkuar me atë që ata e quajnë koalicioni Mbroni Rezultatet, i cili synon t’i nxisë zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve të vazhdojnë numërimin çfarëdo që të thotë ose të bëjë presidenti.
Nëse zoti Trump refuzon të pranojë humbjen, Sean Eldridge, i cili themeloi koalicionin “Mbroni Rezultatet”, zotohet se do të ketë “një prani të paparë protestuesish në rrugë”.
Këtë vit, kur prania e politikës në rrugë në formën e protestave të justifikuara paqësore, është përdorur si pretekst për trazira dhe vjedhje, dhe kur një mbështetës i zotit Trump është arrestuar për vrasje, pasi shkoi në Kenosha, Wisconsin si një vigjilent i armatosur, fjala “e paparë” tingëllon vërtet shqetësuese.
Konkluzioni tjetër që nxori zoti Gilman nga projekti, ishte se “sa pak kufij imponohen mbi një president në detyrë, i cili është i pakufizuar nga normat demokratike dhe i papërmbajtur nga partia e tij politike”. Dallimi më i rëndësishëm midis perspektivave të këtij viti dhe rezultatit të zgjedhjeve të mëparshme të kontestuara, qëndron pikërisht në faktin se tashmë është një president në detyrë që i përshtatet plotësisht këtij përshkrimi. Në vitin 2000, George W. Bush dhe Al Gore ishin kandidatë me të njëjtat shanse.
Kur Gjykata e Lartë vendosi, në një vendim pesë kundër katër përgjatë linjave ideologjike, se lëvizjet për të rinumëruar votat e Floridës duhet të përfundonin, duke i dhënë fitoren zotit Bush, zoti Gore u tërhoq. Në fjalimin elokuent dhe të hijshëm të pranimit që mbajti më 13 dhjetor, 36 ditë pas zgjedhjeve, ai u bëri thirrje të gjithë amerikanëve që “të bashkohen pas presidentit tonë të ardhshëm” dhe i kërkoi Zotit të bekonte administratën e zotit Bush. Ai gjithashtu shprehu besimin se “ky rezultat i ngushtë mund të shërbejë për të na kujtuar se ne jemi një popull me një histori dhe fat të përbashkët”. Sot, këto fjalë tingëllojnë si një mesazh nga një vend tjetër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.