Nga Les Nemethy*
Në fillim të marsit 2020, shkrova një artikull që shumë e konsideruan të çuditshëm në atë kohë – që vdekjet nga Covid-19, vetëm në SHBA, mund të kalonin shifrën një milion. Do të doja të gabohesha, por që nga mesi i tetorit, vdekjet në SHBA kanë arritur në 735,000 – dhe janë ende në rritje. Sipas The Economist, ka pasur mbi 16 milionë ‘vdekje shtesë’ në mbarë botën – që mund të jenë shkaktuar nga Covid-19.
Më lejoni, së pari, të përmbledh skenarët e mundshëm që shoh për Covid-19 në të ardhmen; më pas do të flas për ndikimin e tyre në tregjet financiare dhe në ekonomi.
(a) Skenarët e mundshëm për Covid-19 në të ardhmen
Shumica e ekspertëve mendojnë se Covid-19 përfundimisht do të bëhet endemik si gripi – pra do të jetë gjithmonë i pranishëm, por duke shkaktuar nivele “të pranueshme” të vdekjeve. Por ka shumë rrugë për t’u bërë endemik.
Skenari më i mirë është që Covid-19 të zbehet relativisht shpejt në një status endemik. Skenari më i keq është që para se të arrijmë në këtë pikë, do të shfaqen një ose më shumë variante rezistente ndaj vaksinave, që përhapen më shpejt dhe/ose janë më fatale se versioni Delta. Dhe sigurisht që ka skenarë të panumërt të ndërmjetëm.
Probabiliteti i shfaqjes së një versioni të ri, më të shpejtë dhe/ose më fatal është për fat të keq – i konsiderueshëm. Numri i njerëzve që mbartin virusin vazhdon të rritet globalisht: sa më shumë njerëz të jenë të infektuar, aq më shumë variante të ndryshme Covid-19 do të ekzistojnë, duke shtuar mundësitë për mutacion. Përfundimisht, mund të shfaqet një variant tjetër që do të zërë vendin e variantit Delta, duke mbizotëruar globalisht.
Le të vëzhgojmë me më tepër hollësi skenarin më të keq. Përhapja e një varianti rezistent ndaj vaksinës, që do të ishte më i dëmshëm se Delta, do të fillonte me vetëm disa raste të pakta (si në tremujorin e dytë 2020) – por më pas do të përhapej në mënyrë eksponenciale. Kjo do t’u mundësonte virologëve dhe prodhuesve të vaksinave vetëm pak kohë për (a) identifikimin dhe izolimin e virusit; (b) gjetjen e gjurmës gjenetike të virusit; (c) prodhimin dhe shpërndarjen në shkallë të gjerë të një vaksine. (Të gjitha rezervat e mëparshme të vaksinave do të ishin të padobishme kundër variantit të ri).
Do të ishte një garë me kohën. Megjithëse disa mund të argumentojnë se procesi i mësipërm do të ishte më i shpejtë sepse teknologjia dhe kapaciteti i prodhimit të vaksinave kanë përparuar me shpejtësi të rrufeshme gjatë dy viteve të fundit, në fakt, deri në tetor 2021, më pak se 50% e popullsisë globale ka marrë një dozë të vetme të vaksinës. Një variant i ri, më fatal dhe rezistent ndaj vaksinave, pa dyshim që do të kishte potencialin për të bërë kërdinë në të gjithë botën.
(b) Efektet financiare dhe ekonomike të Covid-19 në vitet e ardhshme
Tregjet financiare duket se tashmë e kanë shpërfillur Covid-19 dhe vazhdojnë të rriten dhe zhvillohen në nivele rekord. Madje, disa sektorë të caktuar, si teknologjia, duket se kanë përfituar nga virusi (p.sh. nga përshpejtimi i procesit të dixhitalizimit).
Duke pasur parasysh shkallën e lartë të pasigurisë në lidhje me evoluimin e virusit, dhe vështirësitë e shkaktuara ende prej tij, qeveritë mund të mos fajësohen për dështimin në disiplinën fiskale. Ka pasur nivele të jashtëzakonshme të stimujve dhe ndihmave ekonomike, garancive bankare, deficiteve, etj. Ndoshta efekti financiar më mbizotërues i virusit do të jetë një efekt përshpejtues në akumulimin e borxhit. (Borxhi global tani tejkalon 350% të PBB-së globale). Në mënyrë të ngjashme, bankat qendrore nuk kanë rritur normat e interesit për të zbutur inflacionin.
Supozimet e mësipërme mbështeten në një ecuri relativisht të parrezikshme të virusit. Por nëse shfaqet një variant rezistent ndaj vaksinës që përhapet më shpejt ose që është më fatal se Delta – efektet mund të jenë edhe më të rënda. Udhëtimet dhe turizmi mund të ndalojnë sërish, karantinat mund të rivendosen si në pranverën e vitit 2020, duke kufizuar në mënyrë dramatike aktivitetin ekonomik.
Megjithatë, ndryshe nga pranvera e vitit 2020, kur nuk kishte dritë në horizont (p.sh. një vaksinë që mund të nxiste shpresat për normalitet), karantinat dhe masat kufizuese mund të jenë të shkurtra dhe do të kishte pritshmëri se këto masa do të shërbenin për të kapërcyer hendekun derisa të shpërndaheshin vaksinat e reja në sasi të mjaftueshme. Një skenar i tillë i rastit më të keq, krahasuar me skenarin e parrezikshëm, ka të ngjarë të rezultojë në një stimul të mëtejshëm ekonomik dhe akumulim të borxhit.
Skenari i mësipërm që parashikon rastin më të keq, është i vlefshëm për vendet e zhvilluara. Me shumë gjasa, vonesat në shpërndarjen e vaksinave për vendet në zhvillim, nuk do të ndryshonin, duke bërë që këto vende të mbanin barrën kryesore të shpërthimit të një varianti rezistent ndaj vaksinave. (Për më tepër, shumë vende në zhvillim nuk kanë fuqinë financiare për të lejuar stimuj/deficite masive).
Duke supozuar se mutacioni i ri do të përhapet me shpejtësi në botën në zhvillim – cikli do të përsëritet dhe mund të shfaqen variante të reja, më rezistente. Kjo tregon se e vetmja përgjigje e mirë ndaj një epidemie është një përgjigje globale – e cila deri tani ka munguar më së shumti.
Akumulimi i shpejtë i borxhit dhe përshpejtimi i inflacionit pas Covid-19 nuk duhet të nënvlerësohen. Këto do të jenë çështje kyçe financiare në dekadën e ardhshme. Nivelet e larta të borxhit krijojnë paqëndrueshmëri dhe pasiguri financiare (p.sh. rriten gjithashtu shanset për një përplasje financiare).
Unë nuk po sugjeroj aspak që bankat qendrore dhe qeveritë janë krejt të pafajshme dhe se problemi është vetëm përhapja e Covid-19. Por virusi ka luajtur një rol në lehtësimin e qëndrimeve të tilla të lëshuara.
*Autori është CEO i Euro-Phoenix Financial Advisors Ltd., një kompani e specializuar në financimet e korporatave dhe blerjet e shitjet, me prani në SHBA, MB dhe Hungari Në bazë të një marrëveshje me autorin, “Monitor” do të publikojë periodikisht artikuj nga blogu i tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.