Është “moralisht i gabuar” t’u ofrosh doza vaksinash Covid-19 fëmijëve në vendet e pasura kur grupet me risk të lartë në shtetet më të varfra mbeten të pavaksinuara, shprehet Drejtori i Grupit të Vaksinës së Oksfordit.
Profesori Andrew Pollard, i cili ndihmoi në zhvillimin e dozës Oxford / AstraZeneca Covid-19, tha se pabarazia globale e vaksinave ishte mëse e dukshme.
Komentet e tij vijnë pas deklaratave të fundit se Britania e Madhe ka siguruar mjaftueshëm doza vaksinash për t’ia ofruar ato fëmijëve 12 vjeç e lart, nëse një gjë e tillë miratohet klinikisht.
Por Prof. Pollard tha se fëmijët kishin një rrezik “afër zeros” për t’u sëmurur rëndë nga ky virus.
Dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se disa vende sapo kishin filluar të vaksinonin ata me rrezik më të lartë nga Covid-19.
Prof. Pollard i tha Grupit Parlamentar të të gjitha Partive mbi Coronavirusin se “Objektivi i përgjithshëm i një programi global të vaksinimit gjatë një pandemie, është të minimizohet në maksimum numri i vdekjeve”.
“Ne po përballemi me një situatë në këtë moment kur ka shumë njerëz të pavaksinuar në botë, por jo doza të mjaftueshme për të gjithë akoma”, tha Prof. Pollard.
Por paradoksi qendron në faktin se edhe pse ka ende kaq shumë njerëz të pavaksinuar në botë, njerëzit, rreziku i të cilëve është jashtëzakonisht i ulët po vaksinohen, përfshirë fëmijët, të cilët e kanë gati-në-zero rrezikun për t’u sëmurur rëndë nga ky virus.
Ai shtoi se mungesa e barazisë së vaksinave në të gjithë botën ishte gjithashtu një rrezik për sigurinë shëndetësore, duke shtuar se nëse do të kemi shpërndarje më të mirë të vaksinave, do të kemi një presion në rënie mbi variantet shqetësuese.
Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca u angazhuan më parë për të siguruar vaksinën e tyre Covid-19 mbi një bazë jo-fitimprurëse për kohëzgjatjen e pandemisë në të gjithë botën, dhe në vazhdimësi në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se Mbretëria e Bashkuar kishte siguruar mjaftueshëm doza vaksinash Pfizer për t’ia ofruar atë atyre mbi moshën 12 vjeç nëse vaksina do të lejohej për përdorim në këtë grupmoshë. Doza tashmë është aprovuar për përdorim midis atyre mbi moshën 12 vjeç në SH.B.A.
Prof. Pollard tha se kjo nuk duhet të ndodhte gjatë një krizë globale.
Prof. Kate O’Brien, nga OBSH, tha se ekzistonte një “hendek i madh në barazi” midis shpërndarjes së vaksinave dhe aksesit në vendet me të ardhura të larta krahasuar me vendet me të ardhura të ulëta. Ajo u tha parlamentarëve “Disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, janë duke përparuar shumë përtej këtij grupi me përparësi më të lartë.
“Disa vende (po) konsiderojnë imunizimin e fëmijëve, i cili ka të bëjë vërtet me një objektiv transmetimi. “Ne kemi këtë hendek vërtet të konsiderueshëm midis asaj që disa vende po arrijnë në drejtim të aksesit dhe imunizimit, ndërsa në të njëjtën kohë vendet e tjera janë në fillim të mbulimit të atyre grupeve me përparësi më të lartë”.
“Dhe nga një perspektivë ekonomike, ne jemi aq të ndërlidhur në të gjithë botën sa që rimëkëmbja e ekonomisë në vend varet gjithashtu edhe nga rimëkëmbja globale, tha ajo më tej”.
Prof. O’Brien shtoi se më shumë veprime mund të ndërmerren nga vendet dhe prodhuesit me të ardhura të larta për të prodhuar sa më shumë vaksina brenda një kohe më të shkurtër.