Vendet europiane, përfshirë Italinë, po marrin masa të rrepta për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, ndërsa rastet në kontinent vijojnë të rriten.
Italia, një nga vendet më të goditura në Europë gjatë valës së parë të pandemisë, ka vendosur rregulla të reja këtë javë, pasi në fundjavë regjistroi nivelin më të lartë të rasteve të reja të personave që futen në terapi intesive që nga 31 marsi.
Pas takimit me Komitetin Teknik dhe Shkencor të hënën qeveria italiane ka miratuar masat e reja.
Maskat tashmë do të jenë të detyrueshme edhe në çdo ambient të mbyllur, ku ka prezencë te njerzëve të tjerë. Madje rekomandohet të përdoret edhe në shtëpi, nëse ka persona të tjerë të rritur.
Gjithashtu ndalohen edhe festat private apo mbledhjet familjare me më shumë se gjashtë persona/të ftuar.
Brenda mesnatës baret dhe restorantet duhet të mbyllen, ndërkohë pas orës 21:00 do të shërbehet vetëm nëse personat janë të ulur në tryeza të distancuara.
Ngjarje sportive do të vijojnë të kenë spektatorë, ku aktualisht lejohen 1 mijë persona. Njerëzit mund të bëjnë vrap në natyrë, por nuk lejohen kalçetot apo sportet amatore. Palestrat do të vijojnë të jenë të hapura për sa kohë respektojnë protokollet e vendosura. Të gjitha eskursionet apo aktivitetet shkollore jashtë do të ndalohen.
Nga e enjtja e kaluar Italia vendosi përdorimin e detyrueshëm të maskave edhe në ambientet e jashtme dhe kur janë në kontakt të ngushtë me njerëz që nuk janë anëtarë të shtëpisë, me përjashtim për fëmijët e vegjël e personat me aftësi të kufizuara.
Kushdo që kapet duke shkelur rregullin përballet me gjobë midis 400 dhe 1000 eurove.
Të dielën në spitale u futën në terapi intensive 420 persona, ndërsa humbën jetën 26 të tjerë dhe u konfimruan pozitivë 5,456 rastesh të reja.
Masat e firmosura nga kryeministri Giuseppe Conte do të zgjasin 30 ditë, për momentin.