Covid-19 ka shkatërruar ekonomitë në të gjithë botën, por jo në Tajvan

26/12/2020 10:02 PM 0 komente

Balsam Tigri. Ai i ka shpëtuar epidemisë dhe po mirëpret firmat që ishin zhvendosur në Kinë, shkruan The Economist

 

Tre vjet më parë, një studiues i njohur deklaroi se ekonomia e Tajvanit ishte “në prag të vdekjes”. Këto fjalë ishin ekstreme, por mendimi u përhap gjerësisht. Tajvani u përball me një mori problemesh në dukje të pazgjidhshme. Shumë nga kompanitë më të mira ishin zhvendosur në Kinë; pagat ngecën në vend; rritja ishte gjithnjë e më e ulët dhe popullsia po plakej me shpejtësi. Ditët e lavdishme të Tajvanit, si një tigër aziatik (i quajtur kështu në sajë të zhvillimit të shpejtë), dukej se i përkisnin së kaluarës.

Megjithatë, në vitin 2020, Tajvani e ka kthyer orën mbrapa: ai është përsëri një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë. Natyrisht, PBB-ja parashikohet të zgjerohet me vetëm rreth 2% këtë vit. Por këtë nuk do ta arrijnë shumë vende, madje, më pak se një duzinë ekonomish pritet të përjetojnë qoftë edhe rritjen më të vogël, për shkak të koronavirusit. Për herë të parë në dekada, ekonomia e Tajvanit mund të rritet më shpejt se ajo e Kinës. Pyetja është nëse forca befasuese e Tajvanit shënon një fillim të ri, apo nëse është thjesht një devijim i shkurtër nga rënia e vazhdueshme.

Dy faktorë të lidhur me ndihmën pandemike kanë ndikuar në suksesin relativ të Tajvanit këtë vit. Së pari, ai ishte i vetmi vend që arriti ta përmbante Covid-19 pa mbylljen masive të shkollave, zyrave dhe dyqaneve. Qeveria tajvaneze, vigjilente ndaj sëmundjeve të reja në Kinë, nisi të kontrollonte vizitorët nga Wuhan-i në fund të vitit 2019, sapo dolën raportet për një shpërthim misterioz të pneumonisë.

Falë gjurmimit të imtësishëm të kontakteve dhe mbajtjes gati universale të maskave, jeta në Tajvan ka vazhduar pak a shumë si normalisht. Që nga korriku, të ardhurat për shitësit me pakicë dhe restorantet janë rritur, krahasuar me një vit më parë.

Së dyti, prodhuesit e Tajvanit i janë përgjigjur mirë kërkesës globale. Nga gjysmëpërçuesit e vegjël te serverët gjigantë kompjuterikë, elektronika përbën një të tretën e eksporteve të Tajvanit. Me kaq shumë njerëz të detyruar papritmas të punojnë nga shtëpia, shitjet e produkteve si tableta kompjuterike dhe kufje, kanë qenë të mëdha. Pra, ndërsa tregtia globale këtë vit do të tkurret me rreth 10%, eksportet e Tajvanit janë rritur me gati 5%.

Të dyja këto burime me sa duket do të zbehen kur të zbehet pandemia. Megjithatë, Tajvani ka qenë gjithashtu një përfitues nga tensionet midis Kinës dhe Amerikës. Kompanitë tajvaneze që kishin investuar më parë në Kinë, kanë zhvendosur disa nga operacionet e tyre në shtëpi, në mënyrë që të shmangin tarifat amerikane.

Midis tyre janë Giant, një prodhues biçikletash, Long Chen, një kompani letrash dhe Compal, një prodhues kompjuterësh. Investimet në fabrika dhe asete të tjera fikse në Tajvan, vitin e kaluar arritën kulmin më të lartë të të gjitha kohërave, me mbi 4 NT $ (140 miliard dollarë) dhe janë në rrugën e duhur për një rekord të ri këtë vit (shih grafikun).

Zhurma që jehon përmes Parkut Teknologjik Hwa Ya në Taoyuan, një qytet i madh në veri të ishullit, është dëshmi e bumit të ndërtimit. Quanta Computer, një nga prodhuesit më të mëdhenj të elektronikës në botë, po rrit prodhimin e brendshëm të serverëve të sofistikuar që dikur kryhej në Kinë. Punëtorët po shkatërrojnë skelat plastike blu që mbulojnë një fabrikë edhe më të madhe serverësh që po ndërtohet për 15 miliardë NT$ (525 milion dollarë). “Do të jetë gati së shpejti”, thotë një punëtor me helmetë.

Disa në Tajvan shqetësohen se kjo inerci, e katalizuar nga politikat tregtare të Donald Trump, do të shuhet kur Joe Biden të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Megjithëse Biden është zotuar të marrë një qëndrim të ashpër ndaj Kinës, ai mund t’i tërheqë tarifat. Por Gordon Sun nga Instituti i Kërkimeve Ekonomike në Tajvan, mendon se kompanitë tajvaneze do të vazhdojnë të diversifikohen larg Kinës. “Ato nuk mund të pranojnë të ngecin sërish në një luftë tjetër tregtare, edhe nëse mundësia është e ulët”, thotë ai.

Kthimi i kompanive në Tajvan, do të adresonte pjesërisht një nga shqetësimet për të ardhmen: migrimi i pamëshirshëm i kompanive dhe punëve të mira në Kinë. Rreth 400,000 tajvanezë, rreth 2% e popullsisë, tani jetojnë përtej ngushticës së Tajvanit.

Bizneset tajvaneze flasin me frikë për shfaqjen e një “zinxhiri të kuq furnizimi” në Kinë, që së shpejti do të sfidojë ato si Foxconn, një prodhues tajvanez i cili prodhon shumicën e celularëve iPhone të Apple. Konkurrenca nga Kina ka ndikuar edhe në rritjen e dobët të pagave në Tajvan. Pagat kanë qenë të sheshta që nga viti 2000, duke arritur mesatarisht në më pak se 20,000 dollarë në vit.

Megjithatë, rritja e investimeve në Tajvan ka kufij të qartë. Presidenti Tsai Ing-wen shpesh flet për “pesë mungesat” e vendit, pra furnizimin me tokë, ujë, energji, punëtorë dhe talent. Nuk mund të arrihet shumë në një ishull të vogël, që është i përkushtuar për të hequr gradualisht energjinë bërthamore dhe ka një nga nivelet më të ulëta të lindjeve në botë. Popullsia e Tajvanit pritet të fillojë të tkurret këtë vit dhe qeveria parashikon që ajo do të ulet nga 24 milionë sot, në 16 milionë në 2070.

 

 

Realiteti tjetër

Përveç këtyre vështirësive kronike, është edhe realiteti i vështirë i mbështetjes së Tajvanit te Kina. Gati 40% e eksporteve të Tajvanit shkojnë në Kinë dhe Hong Kong. “Tajvani nuk mundet thjesht të shkëputet nga ekonomia e Kinës dhe të kërkojë motorë të tjerë të rritjes”, thotë Chen Chien-liang, një ekonomist i cili ka shërbyer në administratën e mëparshme, që u përpoq të afrohej me Kinën.

Shpëtimi për Tajvanin është se Kina ka nevojë për produkte tajvaneze po aq sa kompanitë tajvaneze kanë nevojë për tregun kinez. Firmat kineze nuk kanë arritur ende të kapin zotësinë e kompanisë tajvaneze TSMC, që prodhon gjysmëpërçuesit më të përparuar në botë. Kina gjithashtu nuk i ka shkaktuar ndonjë dëm ekonomisë së Tajvanit kohët e fundit, përveçse ka kufizuar fluksin e turistëve (për ironi të fatit, kjo mund të ketë ndihmuar në izolimin e Tajvanit nga Covid-19). Amerika në fakt, mund të shkaktojë më shumë dëm, nëse shpall rregulla të reja që parandalojnë TSMC për të punuar me klientë kinezë si Huawei, një gjigant i telekomunikacionit.

Sipas Liang Kuo-yuan, nga Instituti Kërkimor Yuanta-Polaris, receta ekonomike për Tajvanin është e thjeshtë. Ishulli duhet ta bëjë veten të domosdoshëm në industri si pajisjet mjekësore dhe bateritë, thotë ai, siç ka bërë për prodhimin e gjysmëpërçuesve. Nisma të tilla me vlerë të lartë do të ndihmojnë në mbrojtjen e Tajvanit nga presioni kinez dhe do të përshtaten me burimet e kufizuara të Tajvanit dhe rënien e popullsisë.

Një vit i vetëm me rritje mbresëlënëse ekonomike nuk e lëviz Tajvanin më afër këtij objektivi. Zoti Liang vë në dukje se Kina po e tejkalon Tajvanin në planifikimin afatgjatë ekonomik. Por performanca e shkëlqyer në këtë vit sfidues, të paktën u ka dhënë shumë njerëzve në Tajvan shpresë, pas viteve të errëta.

Përballë rrugës ku ndodhet Parku Teknologjik Hwa Ya në Taoyuan, Chris Liang ka hapur një restorant të vogël. Ai ka vënë re një ndryshim të madh në optimizmin e klientëve të tij që punojnë në firmën teknologjike. “Kontrolli i epidemisë ka ndryshuar qëndrimet e njerëzve në lidhje me ekonominë. Njerëzit janë më optimistë”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of