COVID-19, lëvizjet nga Rinasi u tkurrën me 60 për qind në janar-qershor 2020

12/08/2020 11:38 AM 0 komente

Muaji qershor kur edhe nisën fluturimet e disa charterave për efekt turizmi nga vende të tilla si Bjellorusia, Ukraina dhe më pas Polonia nuk kanë arritur të bëjnë ndonjë diferencë të dukshme sa i takon lëvizjes së pasagjerëve nga Aeroporti i Rinasit.

Qershori i këtij viti në raport me atë të një viti më parë ka një rënie me 91 për qind të pasagjerëve. Të dhënat zyrtare tregojnë se edhe fluturimet me linjat e tjera të rregullta me vende si Italia kanë qenë të limituar duke bërë që numri i pasagjerëve të tkurret me 60 për qind në 6 muajt e parë të këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu nëse në janar-qershor 2019 në aeroportin e Rinasit hynë dhe dolën në total 1.4 milonë pasagjerë , këtë vit për të njëjtën periudhë kanë lëvizur 558 mijë pasagjerë.

Në një vështrim të ecurisë muaj pas muaji që nga nisja e kufizimeve për shkak të shpërthimit të pandemisë muaji me më pak pasagjerë ishte prilli ku nga Rinasi janë nisur jashtë Shqipërie apo kanë hyrë në Shqipëri në total 4500 pasagjerë. Ky numër i referohet pjesës së riatdhesimeve të bëra nga qeveria për ata shtetas shqiptarë që kishin mbetur jashtë territorit për shkak të kufizimeve të menjëhershme. Edhe në maj që regjistrohet një total prej 7 mijë pasagjerësh janë kryesisht riatdhesimet e bëra në vijim të planit të nisur më herët. Qershori ka shënuar një total prej 28.5 mijë pasagjerësh teksa një vit më parë ky muaj regjistronte 312 mijë të tillë.

Pavarësisht lehtësimit të kufizimeve sa i takon lëvizjes mes disa shteteve Bashkimi Europian vijon të mbajë të mbyllur kufijtë për vendet si Shqiëpria ku numri i rasteve të të prekurve me koronavirus ka qenë në rritje ng dita në ditë një rritje kjo që erdhi menjëherë pas heqjes së plotë të masave kufizuese në fillim të qershorit. Fluturimet që kryhen nga Rinasi nuk kufizojnë vetëm pasagjerët që duan të udhëtojnë drejt vendeve ku janë rezidentë. Sa i takon të huajve që duan të udhëtojnë drejt Shqipërisë kjo nuk i kufizon por shumica e vendeve kërkojnë një karantinë 14 ditore pas kthimit. Kjo ka bërë që të ketë edhe stepje për të fluturuar drejt Shqipërisë një fakt që po mban peng sidomos sektorin e turizmit që priste të kishte vizitorë nga disa vende si ato nordike, Gjermania apo Cekia.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of