Gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor në Kosovë do të përfundojë më 18 dhjetor, ndërsa ai i dyti do të fillojë më 18 janar. Po ashtu, Kosova do të vendosë disa masa të reja për festat e fundvitit, për të cilat do të vendoset nga ana e institucioneve të Kosovës në ditët në vijim. Në fuqi mbesin masat e marra ditë më parë.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se gjendja me pandeminë në Kosovë është serioze, por e menaxhueshme.
Ai të martën mbrëma në një konferencë për media, ka shprehur ngushëllime për të gjitha familjarët që kanë humbur të afërmit e tyre për shkak të COVID-19.
Hoti ka thënë se në Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka rritur deri në dymijë numrin e testeve ditore. Tha se do të vazhdohet të rritet ky numër.
“Nga java e ardhshme do të bëhen testime në së paku dy rajone tjera”, ka shtuar Hoti.
Hoti ka thënë se sipas të dhënave grupmosha më e prekur nga pandemia është 30-40 vjet, për shkak se janë më aktiv.
“Numri më i madh është në sektorin e Shëndetësisë, kjo tregon për punën e madhe që po e bëjnë ata. Gjatë këtyre dy javëve të masave është stabilizu numri i të infektuarve. Pasi që numri i të shëruarve është më i madh se sa ai i të prekurve. Në bazë të vlerësimit të IKSHPK, ne e kemi vendosur nën kontrollë pandeminë. Sugjerimi i Institutit është që masat të mbahen dhe të jetë rigoroz zbatimi i tyre. Nesër në ora 8:30, do të kemi takim, me të gjitha inspektoratet. IKSHPK dhe SHSKUK kanë punuar shumë për të siguruar vaksinën antiCOVID. Po punojmë në disa fronte në këtë”.
Kryeministri Hoti ka njoftuar po ashtu se gjysmëvjetori i parë në shkollat fillore dhe mesme do të përfundojë me 18 dhjetor dhe pushimi do të zgjasë deri më 18 janar.
Ka thënë se vendimi është marrë në dakordim me ministrin e Arsimit, Ramë Likaj
“Kështu do të kemi mundësi që në pranverë ose në qershor të kompensojmë mësimin. Kjo i bie se gjysmëvjetori i parë do të përfundojë 10 ditë më herët. Ishte planifikuar që të përfundonte më 28 dhjetor, por situata me pandeminë”.
Ndërkohë Hoti ka paralajmëruar edhe masa të reja, që do të merren javën tjetër, si masë mbrojtëse për festat e fundvitit.
“Sa i përket masave në ekonomi. Sipas ministrit të Tregtisë, duhet të shkojmë me zbatimin e masave të deritanishme. Ministria e ka marrë për obligim që me ministrin e Shëndetësisë të takohet me përfaqësuesit e bizneseve për t’u dakorduar për masat e reja, që do të merren javën tjetër për festat e fundvitit”, ka thënë Hoti.
Hoti e ka falënderuar SHSKUK-në për furnizim me barna.
“I kemi ngritur kapacitetet dhe nuk kemi probleme për furnizim me të gjitha barnat”, ka thënë Hoti.
Rreth dy javë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke kufizuar lëvizjen e lirë në disa komuna nga ora 19:00 e deri në 05:00 të mëngjesit.
Të martën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe 10 viktima nga koronavirusi. Sipas IKSHPK-së, nga 1.375 mostra të testuara janë konfirmuar edhe 521 raste të reja me koronavirus.
Në bazë të raportit, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 585 pacientë ndërsa raste aktive janë 13.505.
Me këto të dhëna, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 40.117, prej të cilëve 1.026 kanë vdekur ndërsa 25.586 janë shëruar. Rastet e para me koronavirus janë shënuar në mes të muajit mars./Fatos Shala
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.