Ndonëse për gati tre muaj, ekonomia dhe lëvizja e popullatës ishin pothuajse të bllokuara, në Portin e Durrësit nuk është ndalur puna në asnjë moment. Të dhënat zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës bëjnë të ditur se përpunimi i mallrave është rritur.
Që nga fillimi i këtij viti në Terminalin e Mallrave Gjenerale (TMGJ) të portit të Durrësit janë përpunuar 137 anije tregtare me afro 414 mijë ton mallra gjithsej.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave mësohet se shifra e këtij 6-mujori është 12 pë rqind më e lartë se sa periudha janar-qershor e vitit 2019.
Megjithëse në Terminalin Perëndimor (siç njihet ndryshe TMGJ) u përpunuan 2 anije më pak se sa vitin e kaluar, sasia e mallrave të përpunuar është rreth 45 mijë ton më e lartë se sa janar-qershori i vitit 2019.
Produkti më i përpunuar është gruri. Operatorët e tregut pohojnë se rritja erdhi për shkak të kërkesës së lartë për miell në ditët e para të marsit, pas fillimit të pandemisë, çka bëri që kompanitë e përpunimit të miellit të përdornin rezervat e grurit, që po i zëvendësojnë tani.
Sipas Autoritetit Portual, gjatë periudhës janar-qershor 2020 në Terminalin Perëndimor janë përpunuar 110 mijë t grurë, 98 mijë ton materiale hekuri, 66 mijë ton çimento, 56 mijë ton plehra bujqësore, 32 mijë ton melaminë, 21 mijë ton xhama, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.